E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, prezantohet misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it

Prezantohet përpara mediave misioni i OSBE/ODIHR-it i cili do të vëzhgojë zgjedhjet vendore të 8 majit.
 

Këshilltari i lartë zgjedhor pranë zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut në Varshavë dhe njëkohësisht edhe kreu i vëzhguesve Jonathan Stonestreet theksoi se 4 nëntor OSBE/ODIHR-i ka marrë një ftesë nga qeveria shqiptare për të vëzhguar zgjedhjet vendore, ftesë e cila u pranua dhe në këtë kuadër u vendos që të vinte një mision i plotë dhe afatgjatë në Shqipëri.
 

Sipas tij vëzhguesit do të jenë analistë të fushave të ndryshme ndërsa theksoi se gjatë javës pritet që të mbërrijnë edhe 24 vëzhgues afatgjatë nga 400 gjithsej që do të marrin pjesë në monitorimin e zgjedhjeve.
 

Ai gjithashtu theksoi se misioni i vëzhguesve nuk do të monitorojë vetëm procesin zgjedhor por edhe median dhe sidomos transmetuesin publik.
 

Kreu i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it gjithashtu theksoi se do të zhvillohen edhe takime me aktorët kryesorë të politikës në vend.

Ndërkohë i pyetur nga “Ora News” se si do të ishte reagimi i OSBE/ODIHR-it nëse ndonjë nga partitë politike nuk do ta pranojë procesin zgjedhor, kreu i vëzhguesve Stonestreet theksoi se në fillim do të vëzhgohet procesi zgjedhor dhe më pas rezultatet do të paraqiten në raport.
 

"Situata politike ka ndikim në zgjedhjet vendore dhe do të shohim si do të jetë ky refkektim dhe do t`i pasqyrojmë ato në raportet tona” theksoi Stonestreet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›