E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, qeveria preku rezervën valutore

Qeveria shqiptare duket se ka gjetur një mënyrë indirekte për të përdorur rezervën valutore të Shqipërisë gjatë pjesës së parë të vitit, për mbulimin e shpenzimeve të tepërta paraelektorale, bëjnë të ditur ekspertë të fushës. Sipas tyre, qeveria iu drejtua disa herë gjatë periudhës dhjetor ‘08-prill ‘09 Bankës së Shqipërisë për kredi direkte. BSH i dha Ministrisë së Financave 3 miliardë lekë në dhjetorin e kaluar dhe 7 miliardë të tjera në mars të këtij viti. Por kredia direkte nga BSH është thjesht një term teknik që nënkupton praktikisht emetim monetar, i cili konvertohet menjëherë në zhvlerësim të lekut. Euro u mbi[mua nga 122 në 123.6 lekë në dhjetor dhe nga 123.6 në 130 lekë gjatë muajve shkurt-mars dhe ekspertët thonë se shkaku i zhvlerësimit qe pikërisht "kredia direkte". Për pasojë, Banka e Shqipërisë u detyrua të përdorë rezervat e veta valutore për të shmangur zhvlerësimin e mëtejshëm të lekut. Zyrtarisht është bërë e ditur se BSH shpenzoi rreth 40 milionë euro gjatë muajit mars për të blerë lekun që pati shpërndarë me tepri në treg përmes kreditimit të shpenzimeve të qeverisë.

Rezerva valutore në rënie

Rezerva valutore e një vendi konsiston në valutë të monedhave të ndryshme që investohet në tituj borxhi të vendeve të zhvilluara dhe që shërben për të përballuar ndonjë ndërprerje të papritur të hyrjes së valutës nga jashtë. Objektivi i Shqipërisë i vendosur në bashkëpunim me FMN-në një dekadë më parë, është që të mbajë mënjanë rezervë valutore në masën 4.6 muaj importe. Në fund të vitit 2008, rezerva qe 2.37 miliardë dollarë, ose vetëm 4.2 muaj importe. Ajo gjendet sakaq në nivelin më të ulët që prej vitit 1996, kryesisht për shkak se importet janë rritur shumë më shpejt sesa rezerva valutore. Rezerva valutore e Shqipërisë u bë dikur objekt debati politik, kur në vitin 2004, ministri aktual i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se rezerva është tepër e lartë dhe se mund të përdoret për kreditimin e ekonomisë.

Banka e Shqipërisë nuk ka hasur shumë vështirësi në rritjen e rezervës valutore gjatë dekadës së fundit, për shkak se ndërhyrjet e saj në tregun valutor përgjithësisht kanë qenë për blerjen e valutës dhe mosforcimin e lekut. Ndërhyrja në treg gjatë marsit për shitje valute ka qenë një nga operacionet më të mëdha të ndërmarra gjatë vitit të fundit. Operatorët e tregut valutor thonë se BSH ka vijuar të shesë valutë në treg gjatë tremujorit të dytë, por një konfirmim zyrtar i ndërhyrjes dhe i sasisë së valutës së shitur pritet të publikohet jo më parë se shtatori.

Precedent i rrezikshëm

Ekspertët thonë se sasia e parave që qeveria mori hua nga BSH, nuk është e konsiderueshme, por praktika zbatohet për herë të parë në tetë vjet dhe përbën një precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Qeveria shqiptare i dha fund praktikës së huamarrjes së drejtpërdrejtë nga Banka Qendrore në vitin 2001, nën këmbënguljen e fortë të FMN-së. Në ligjin për Bankën e Shqipërisë u lejua përdorimi i kredisë direkt vetëm në "kushte të jashtëzakonshme". Shqipëria nuk ka ende një rregullore që të përcaktojë se çfarë përbën një situatë të jashtëzakonshme dhe çfarë jo. Fakti është që kjo metodë nuk u përdor asnjëherë që nga viti 2002 deri në dhjetor 2008, dhe shumë ekspertë janë të shqetësuar për faktin se në Shqipëri dëshira për shpenzime paraelektorale mund të konsiderohet një "rast i jashtëzakonshëm".

Kryeministri Sali Berisha përsëriti edhe një herë javën e kaluar se shpenzimet e qeverisë së tij nuk qenë "paraelektorale", por qenë tërësisht të programuara. Kjo deklaratë u krye vetëm pak ditë para se vetë Berisha të firmoste urdhrin për ndalimin e të gjithë tenderëve të programuar për t‘u zhvilluar gjatë 5-mujorit të fundit të vitit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›