E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eto‘o, fjalët e para si interist: Faleminderit Morati, tani Champions

"Jam shumë i lumtur që do të luaj me Interin. Erdha në këtë klub për të punuar dhe për të fituar Champions-in". Këto ishin fjalët e para të Samuel Eto‘o si lojtar i zikaltërve. Në orën 09:45 të ditës së djeshme, sulmuesi kamerunas mbërriti në aeroportin e Linates, për të startuar aventurën e re në Serinë A italiane. "Falënderoj presidentin Masimo Morati, i cili tregoi se ka zemër të madhe", shtoi ish-lojtari i Barcelonës. "Gjithashtu dëshiroj t‘u bëj komplimentet e mia shokëve të rinj të skuadrës, që fituan derbin (miqësorja e zhvilluar në Amerikë, e fituar 2-0 me Milanin)". Eto‘o shoqërohej nga menaxheri Mesales dhe përgjegjësi për mediat tek Interi, Paolo Vinjano. Deklaratat e para të sulmuesit me gazetarët, për çudinë e të gjithëve u bënë në frëngjisht (dhe jo në spanjisht, ashtu siç mund të mendohej). Pasi intervistat e shkurtra përfunduan, 28-vjeçari u paraqit në qendrën mjekësore të Komitetit Olimpik Italian (CONI) për vizitat e para. Më pas ai udhëtoi drejt Pavias, ku kreu me sukses vizitat mjekësore edhe në spitalin "San Mateo". Pas daljes, lojtari shkëmbeu sërish disa fjalë me mediat: "Filloj një aventurë të re, pas 13 sezonesh që luaj në Spanjë. Kam shkruar historinë e Barçës, por tashmë ky kapitull quhet i mbyllur. Me Interin do të filloj gjithçka nga zero. Ibrahimoviçit i uroj shumë fat në ‘Kamp Nou‘. Kam fituar shumë trofe në Barcelonë. Shpresoj që të të njëjtat fitore ti përsëris edhe me ngjyrat zikaltër, pse jo të arrij edhe më shumë". Në mbrëmje Eto‘o hodhi firmën në kontratën 5-vjeçare, ndërsa sot do të prezantohet përpara mediave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›