E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati: Ja përse e shita Ibrahimoviçin

Masimo Morati tregon arsyet përse i hapi rrugë transferimit të Zlatan Ibrahimoviç te Barcelona. Presidenti i Interit beson se shkëmbimi me Eto‘o ishte një lëvizje e mirë për të dyja klubet. Megjithatë, ai nuk dëshiron të shihet si protagonist i transferimit që përfshiu dy prej sulmuesve më të mirë në botë: "Një shkëmbim i jashtëzakonshëm: nuk mbaj mend një operacion të këtij niveli në merkato nga klubet europiane".

President, përse lejuat largimin e një sulmuesi që ju ka argëtuar dhe e ka ndihmuar ekipin të fitojë?

Gjatë këtyre muajve të fundit, Ibra kishte shprehur në më shumë se një rast dëshirën që të ndryshonte skuadër. Na ka thënë se tashmë e imagjinonte vazhdimin e karrierës diku tjetër. Këtu po flasim për një lloj lojtari… indiferent në pikëpamjen sentimentale. Një profesionist i vërtetë.

Kur ju rikujtojnë se klubi kampion i Europës u përforcua me një lojtarin tuaj, ju mendoni që…

Nuk gaboj kur e krahasoj Interin për nga niveli me ekipet më të mira.

Menaxheri Raiola pohoi se Ibra mendonte për Barçën prej një viti. U besoni këtyre deklaratave?

Nëse kjo është e vërtetë, duhet të them se u tregua mjaft i zoti që mos ta tregonte hapur. Mendoj se askush nuk e ka vënë re, por ai u largua si golashënuesi më i mirë i Serisë A. Ibra iku mes falënderimeve tona.

Mes falënderimeve, por edhe të bërtiturave tuaja. E vërtetë apo e sajuar, në Mançester e qortuat për golat e gabuar përpara portës?

Është e vërtetë, por qortova të gjithë skuadrën dhe jo vetëm suedezin. Isha i mërzitur, sepse u eliminuam prej shënjestrës dhe jo prej lojës së keqe. Ai është krenar, ndoshta i ka marrë fjalët si ofendime. Por mendoj se nuk u largua i mërzitur dhe do t‘i kujtojë me kënaqësi vitet që kaloi tek Interi. Me ne ai u rrit edhe më shumë dhe u afirmua përfundimisht si një prej më të mirëve në botë.

A ju ka çuditur oferta e Laportës? Barça nuk dukej e gatshme të investonte shifra të larta…

Darka me Laportën në fillim të qershorit ndoshta ka shërbyer si pikënisja për akordin mes dy klubeve. Kur ndërmjet dy presidentëve ekzistojnë marrëdhënie të mira, mund të arrihet një marrëveshje. Lëvizjen e Barcelonës, për të ndryshuar disi kurs, e cilësoj mjaft inteligjente. Ndërsa për Interin ky ishte një operacion pozitiv, edhe për bilancet e klubit.

Dyzetepesë milionë euro nga shitja e Ibrahimoviç kanë bërë që në arkat e Interit të derdhet shifra më e lartë nga shitja e një lojtari gjatë presidencës suaj…

Mos harroni se këtu duhet llogaritur edhe vlera sportive e Eto‘o, vlerë e cila logjikisht është më e ulët në merkato… Megjithatë, edhe (Kristiano) Ronaldo u shit për një shifër të konsiderueshme.

Murinjo ka theksuar se kjo ishte një marrëveshje me vlerë 100 milionë euro. Trajneri është shprehur i kënaqur nga lëvizjet në merkato…

Shikoni, kemi punuar në sintoni të plotë me stafin teknik dhe Murinjo është informuar hap pas hapi për çdo lëvizje. Të enjten më telefonoi për të shprehur entuziazmin. Mendoj se i pëlqen ideja që tashmë duhet "të shpikë" një mënyrë tjetër loje. Ai është forca plotësuese e Interit, një element që u mungon të tjerëve.

Eto‘o dhe Milito, mendoni se mund të luajnë bashkë, apo si alternativa të njëri-tjetrit?

Besoj se do t‘i shohim shpesh përkrah njëri-tjetrit në fushë. Janë dy lojtarë shumë të mirë brenda zonës dhe dinë të krijojnë hapësira kur ndodhen larg portës kundërshtare. Kam besim në idetë e trajnerit: në sezonin e ri pres që skuadra ta qarkullojë më shumë topin, në mënyrë që të nxjerrë në dukje cilësitë e lojtarëve të rinj. Mendoj se do të ketë hapësira edhe për Balotelin, një djalosh të cilin duhet ta mbrojmë.

Murinjo ka thënë: Nëse Morati dëshiron ta ngrejë me patjetër trofeun e Champions-it, të vijë në shtëpinë time, sepse kam një kopje…

As unë nuk dëshiroj që Champions League të shndërrohet në fiksim. Objektivi kryesor mbetet kampionati, ndërsa më pas do të luajmë me kurajë në Europë. Mendoj se skuadra jonë është në nivelin e të tjerave dhe nëse gjërat nuk do të ecin siç dëshirojmë, nuk do të vrasim veten.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›