Zgjedhjet, raporti i ODIHR-it publikohet brenda pak ditësh
Debateve të shumta të politikës në vend nëse zgjedhjet e 28 qershorit ishin sipas standardeve apo jo, shumë shpejt do t‘u jepet fund. Këta zëra do t‘i shuajë raporti përfundimtar i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, i cili pritet të dalë zyrtarisht ditën e premte. Ky raport do të japë edhe notën që klasa politike dhe shqiptarët kanë marrë në realizimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat janë vlerësuar si një provë e rëndësishme për hedhjen e hapave të mëtejshëm të Shqipërisë drejt integrimit të vendit. Burime nga OSBE/ODIHR bëjnë të ditur se ditën e premte pritet që misioni i kryesuar nga Odri Glover, në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të OSBE, të nxjerrë raportin e fundit me konkluzionet për 28 qershorin. Më parë u deklarua se raporti përfundimtar i zgjedhjeve të Shqipërisë do të dilte 28 ditë pas shpalljes së rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pra më datë 29 gusht, por për shkak të pushimeve verore në administratën e selisë qendrore të ODIHR në Varshavë është shtyrë publikimi i raportit për datën 4 shtator, ndonëse mësohet se zyra e Glover e ka dorëzuar raportin që prej disa kohësh. Pas aprovimit nga drejtuesit në Poloni, vlerësimi për zgjedhjet e 2009, në Shqipëri do të zbardhet këtë fundjavë nga ambasadorja Glover dhe zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk. Vëzhguesit afatgjatë dhe afatshkurtër të ODIHR-it monitoruan gjithë sagën zgjedhore, që nga hapja e fushatës deri në shpalljen e mandateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas përfundimit të apelimeve në Kolegjin Zgjedhor. Pas bërjes publike të notës për 28 qershorin tri organizata ndërkombëtare ku aderon Shqipëria do të vlerësojnë standardet e procesit, si dhe fatin e integrimit të vendit. OSBE, Këshilli i Europës dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s. Një raport i dytë po përgatitet gjithashtu nga Këshilli i Europës dhe do të bëhet publik më 28 shtator. Ndërsa në muajin nëntor del raporti i 3-të, në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s.