Maqedoni, nis zbatimi i ligjit të lustracionit
Në Maqedoni, zyrtarët më të lartë shtetërorë, prej ditës së djeshme e deri në fund të muajit, duhet të depozitojnë deklaratat përkatëse nëse kanë bashkëpunuar me shërbimet e sistemit monist. Me fillimin e këtyre normave nis edhe zbatimi i ligjit të lustracionit, i cili do t‘u ndalojë atyre personave që kanë qenë pjesë e shërbimeve të sistemit të kaluar, të kenë poste publike. Pas verifikimeve të zyrtarëve aktualë, ligji parashikon që në 10 vitet e ardhshme, edhe ata që do të marrin poste publike, fillimisht do të verifikohen nëse kanë qenë pjesë e shërbimeve moniste. Kryetari i komisionit verifikues, Shpend Vinca, thotë se ligji ndonëse fillon të zbatohet me vonesa, do të arrijë të funksionojë. Komisioni i Verifikimit për zbatimin e Ligjit për Lustrim tha se ende ndeshet me vështirësi. Prej 6 muajsh, qeveria nuk ka siguruar zyrat dhe fondet e duhura. Procesin e lustrimit të figurave, që kanë qenë pjesë e sistemit të kaluar monist, Maqedonia po e zbaton e fundit ndër ish-shtetet komuniste.