E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet serbe në Kosovë, BE thirrje për qetësi

BRUKSEL- Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Ashton, ka bërë thirrje për sjellje të përgjegjshme, shmangie të provokimeve dhe bashkëpunim me OSBE-në në ato pjesë të Kosovës, ku votohet për zgjedhjet Serbe.

“Bashkimi Evropian mbështet plotësisht rolin e OSBE-së në lehtësimin e votimeve në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. U bëj thirrje të gjithëve që të sillen me përgjegjësi, që të shmangin provokimet dhe të bashkëpunojnë me OSBE-në në mirëbesim, në mënyrë që votimet të zhvillohen qetësisht”,- thuhet në deklaratën për shtyp të baroneshës Ashton.

Sipas saj, marrëveshja me OSBE-në ofron perspektivë reale për pjesëmarrje demokratike në një mjedis sfidues të sigurisë, "me kusht që të respektohet nga të gjithë". “Si i tillë, ai paraqet një rast për rajonin që të jetësojë synimet evropiane”, ka thënë Ashton.

Ajo po ashtu ka kujtuar se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, do të monitorojë situatën e sigurisë dhe se “është i përgatitur për t’u marrë me eventualitetet, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in”.
(el.me/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›