E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet serbe në Kosovë, Jahjaga letër 5 zyrtarëve të lartë të BE-së: Sfidojnë integritetin territorial dhe provokojnë

16-03-2012 / Gazeta 55

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u ka dërguar një letër presidentit të Këshillit të Evropës, Herman von Rompuy, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Caterine Ashton, dhe përfaqësuesve të pesë shteteve, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, pas vendimit të Republikës së Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.
“Që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, Republika e Kosovës është ndërtuar mbi parimet e demokracisë me synime të qarta për anëtarësim në organizatat euroatlantike. Bashkimi Evropian, për shumë vjet ka luajtur një rol të rëndësishëm në Kosovë në ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe një shoqërie që respekton ligjin. Rruga jonë evropiane është një përpjekje e përbashkët me BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare për të ndërtuar një shtet stabel, faktor paqeje dhe stabiliteti dhe një shembull të respektimit të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e vendit” shkruan Jahjaga në letër.
Me tej presidentja e Kosoves shpreh shqetësimin e thellë me paralajmërimet e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, me të cilat shkel sovranitetin e shtetit tim, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës - thuhet në letër. Ahtifete Jahjaga i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të tregojnë vendosmëri në mos lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. Republikës së Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se një nga kërkesat kyçe për rrugën e saj drejt integrimit në BE është parimi i respektimit të fqinjësisë së mirë”, përfundon letra e presidentes Jahjaga.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›