E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, sondazh në BalkanWeb për standartet

Zgjedhjet janë një kusht i vënë nga BE dhe SHBA për integrimin e Shqipërisë në unionin e vendeve të zhvilluara. Me një diferencë të vogël, votuesit e sondazhit “Besoni se do të plotësojmë standartet me zgjedhjet e Qershorit”? i janë përgjigjur “Jo” kësaj pyetjeje 

TIRANE-Votuesit e sondazhit në agjencinë e lajmeve BalkanWeb mendojnë se zgjedhjet parlamentare të Qershorit nuk do te plotësojne standartet ndërkombëtare. Me një diferencë të vogël, votuesit e sondazhit “Besoni se do të plotësojmë standartet me zgjedhjet e Qershorit”? i janë përgjigjur “Jo” kësaj pyetjeje. Në sondazhin e vendosur për një ditë online votuan 872 votues ku pro plotësimit të standardeve u shprehen 420 (48.2%) e votuesve kurse kundër 452 (51.8%) e votuesve.
Zgjedhjet e Qershorit janë një kusht i vënë nga Bashkimi Europian dhe SHBA për integrimin e Shqipërisë në unionin e vendeve të zhvilluara. Fakti se zgjedhjet në vendin tonë shoqërohen herë pas here me incidente, ka bërë që vëzhgues ndërkombëtare nga OSBE-ODIHR të mbërrijnë në Tiranë dhe t’i monitorojnë ato. Përfaqësuesit e dërguar nga këto organizata nuk janë shprehur asnjëherë se procesi i përfunduar zgjedhor shqiptar ka qënë shembull i përkryer i realizimit të zgjedhjeve sipas standardeve evropiane. Një fakt i tillë është pohuar vetëm nga pala fituese në zgjedhjet lokale apo parlamentare. Sot shumë shpresojnë se Shqipëria do ta kalojë këtë barrierë dhe do mund të bëjë zgjedhje të pastra, por gjithsesi edhe pse me një diferencë të vogël votuesit e agjencisë së lajmeve BalkanWeb, dëshmuan se janë ende skeptikë rreth këtij fakti.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›