E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet vendimtare për integrimin në BE

31/03/2011  Mbyllet seminari për Planin e Veprimit, Fule këshilla politikës shqiptare

“Pa u zgjidhur ngërçi politik asnjë vlerësim pozitiv për Shqipërinë në raportprogres”

Zgjidhja e ngërçit politik që ka përfshirë politikën shqiptare është kriteri kryesor për vijimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, pas përfundimit të seminarit të organizuar nga KE-ja dhe Ministria e Integrimit për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve pas opinionit të KE-së e vuri theksin te përgjegjësia që ka secila palë në zgjidhjen e këtij ngërçi, duke lënë mënjanë konsiderata politike. Në të kundërt, ai paralajmëroi hapur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë se progresraporti i radhës i BE-së për vendin tonë nuk do të ketë nota pozitive. “Duhet të ndërmerren hapat e cilësive në një afat të shkurtër për të çliruar ngërçin politik. Nëse nuk gjendet asnjë zgjidhje, Komisioni nuk do të jetë në gjendje të bëjë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë në raportprogrsin e ardhshëm. Dhe jo vetëm që Shqipëria nuk do të shkojë drejt rrugës evropiane së bashku me vendet e tjerat ë Ballkanit, por mund të ngelet prapa. Ka ardhur koha që të vendosen përafrimet me BE-në”, - theksoi komisioneri Fyle. Ai e sheh çelësin e suksesit për zgjidhjen e kësaj krize politike pikërisht te realizimi i një proces të lirë dhe transparent zgjedhor. “U bëj thirrje të gjitha palëve për të zgjeruar qasjen konstruktive dhe të bazuar në konsensus për përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme. Zgjedhjet e lira dhe transparente janë një e drejtë demokratike për të gjithë qytetarët shqiptarë. Shqipëria nuk mund të humbë mundësinë për të treguar se mund të kryejë zgjedhje konform standardeve ndërkombëtare. Bashkëpunimi konstruktiv mes partive në zbatim të rekomandimeve të ODIHR-it për të përmirësuar praktikën elektorale është çelësi i suksesit dhe mund të ofrojë një mundësi për të çuar ngërçin politik drejt zgjidhjes”, - nënvizoi komisioneri për Zgjerimin. Fyle inkurajoi gjithashtu palët që të promovojnë dialog politik konstruktiv mes tyre dhe të përmirësojnë funksionimin e parlamentit dhe ta çojnë Shqipërinë në mënyrë të sigurt dhe të përbashkët drejt BE-së.

Dialogu politik

Fyle sugjeroi se marrja në konsideratë e opinionit në aspektin politik është e rëndësishme, pasi është kriza politike që përbën një pengesë kritike për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe që po pengon reforma të nevojshme drejt BE-së. “Ngërçi politik duhet të zgjidhet, kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë udhëheqësve politikë në Shqipëri, kjo është çka presin qytetarët shqiptarë. Përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre udhët të veprojnë dhe të gjejnë kompromise demokratike”, - tha ai.

Zv.kryeministri Haxhinasto

“Procesi i integrimit në tërësi dhe zbatimi i 12 prioriteteve nuk janë vetëm çështje teknike, por mbi të gjitha janë çështje prioritare kombëtare. Ne jemi tërësisht të hapur dhe besoj se jo vetëm maxhoranca, por edhe opozita, do të vazhdojnë të jenë të interesuar për të bashkëpunuar për të miratuar ligje të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve, që kanë të bëjnë me procesin e integrimit të vendit. Është e domosdoshme, e theksoj, që procesi i integrimit të ketë një përqasje gjithëpërfshirëse të forcave politike.”

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë takon studentët

Basha: Projekte për jetën akademike dhe punësimin

Lulzim Basha, kandidati për kryebashkiak në Tiranë, në vijim të fushatës së tij elektorale nën sloganin “ju jeni të parët”, zhvilloi një takim me një grup të rinjsh, studentë të juridikut, për të ndarë me ta idetë që ai ka për qytetin dhe nevojat e tyre. Studentët e ftuan Bashën në një mbrëmje që ata po organizonin mbrëmë në Tiranë. Duke biseduar me ta kandidati i PD-së u tha të rinjve se ai do të jetë mbartësi i shpresave të të rinjve për një Tiranë europiane. “Janë të shumtë të rinjtë që diplomohen në kryeqytet, mirëpo perspektiva e tyre e punësimit aktualisht nuk është shumë e sigurt. Për këtë unë do të punojë që oferta për punësim të rritet. Do të bëj gjithçka, do të krijoj të gjitha lehtësirat, në mënyrë që Tirana të kthehet në parajsë për investitorët dhe kështu mundësitë e punësimit të të rinjve të rriten”, - garantoi Basha studentët. Ndërkohë ekipi i ardhshëm i Bashkisë do të krijojë që tani kontakte me tregun e punës, në mënyrë që periudha e pasdiplomimit të jetë sa më e shkurtër dhe specialistët e rinj të kenë mundësi të ushtrojnë sa më shpejt profesionin e tyre. Kandidati për kryetar bashkie gjithashtu u tregoi të rinjve edhe rreth projektit që ai ka për studentët, ndërkohë që ata janë duke ndjekur jetën akademike. Në këtë mënyrë, ai u mundësoi zbardhjen e projektplanit për infrastrukturën universitare, në mënyrë që kjo të ndikojë në një kualifikim sa më të mirë. “Unë ju premtoj se, sapo të nis punën si kryebashkiak, do të filloj ndërtimin e bibliotekës universitare të Tiranës për të gjithë studentët, siç e kanë të gjitha kryeqytetet e tjera të Evropës”, - deklaroi Basha. Kandidati i PD-së për të kryesuar kryeqytetin i ftoi të rinjtë që t’i shkruajnë në adresën e tij sociale në “Facebook” për të gjitha sugjerimet që ata kanë për nevojat e tyre dhe për transformimin e Tiranës. Pak më herët kandidati për kryetar në bashkinë e Tiranës, premtoi zgjidhje të problemeve të njësisë bashkiake nr. 4 në Allias, zonë e cila vuante për rrugë dhe shkolla. Basha u premtoi banorëve se do të kenë vëmendjen e tij për të gjitha këto probleme. “Unë do të bëj rrugën, dhe do të ndërtoj edhe shkollën”, i siguroi ai ata.

Kryeministri pret komisionarin e BE-së

“Qeveria do të garantojë zgjedhjet konform standardeve”

Kryeministri Berisha dje në një takim Komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Stefan Fyle, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e seminarit të përbashkët Shqipëri– KE për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas opinionit të KE-së. Kreu i qeverisë garantoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i këtij shekulli për Shqipërinë dhe se qeveria është e vendosur, e angazhuar dhe po punon me të gjitha forcat për të përmbushur të gjitha kriteret, kërkesat e standardet që kërkon ky proces. Po ashtu numri një i ekzekutivit shprehu falënderimet për mbështetjen që Komisioni Europian i ka dhënë e po i jep qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në përpjekjet për të ecur përpara me shpejtësi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi zgjedhjet vendore të 8 majit, si dhe rëndësia që ato kanë për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë. Berisha i rikonfirmoi komisionerit Fyle angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për një proces tërësisht transparent dhe për të bërë çdo përpjekje për realizimin e zgjedhjeve më të mira konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri uroi që edhe opozita të shprehë të njëjtin nivel vullneti politik pozitiv në procesin zgjedhor.

Tabaku: Shpifja alternativa e vetme e Ramës

Kryesuesja e listës së PD-së për këshillin bashkiak të Tiranës, Jorida Tabaku, përmes një deklarate për mediet ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama se po ndjek një politikë të shpifjes dhe përbaltjes ndaj familjarëve të kundërshtarit të tij. “Shpifja dhe trillimi absurd ndaj kundërshtarit dhe familjarëve të tij mbetet e vetmja alternativë që Edi Rama ofron si bilanc të 4 vjetëve në krye të Bashkisë. Kjo politikë e dëshpëruar e shpifjes dhe përbaltjes nuk krijon asnjë vend të ri pune, nuk ul çmimet, nuk ndërton asnjë park, shkollë apo kopsht të ri, nuk tregon se ku shkojnë taksat e qytetarëve që ai i ka rritur nga viti në vit, nuk zgjidh kolapsin e trafikut, nuk e ul ndotjen e qytetit”, - deklaroi Tabaku. Duke iu referuar kandidatit të PD-së për këtë post, Lulzim Basha, Tabaku tha se ai është ndryshe. “Basha sot, si çdo ditë, është në mes të qytetarëve duke i dëgjuar, duke ndarë me ta projektet për përmirësimin e jetës në Tiranës dhe për zgjidhjen e problemeve që ka qyteti dhe njerëzit e tij. Sepse për Lulzim Bashën e para është Tirana, të parët vijnë qytetarët e saj dhe shpresat e tyre për të ardhmen”, - tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›