Zgjedhjet vendore, Bashkitë e mëdha që LSI-ja do t’i kërkojë aleates, PD-së
Eljona Ballhysa
Megjithëse ende nuk është dekretuar data e zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor, partitë politike kanë filluar përgatitjen për pjesëmarrjen në këto zgjedhje dhe fitoren në to. Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, pjesë e koalicionit qeverisës, do të futet në këto zgjedhje në aleancë me Partinë Demokratike. Burimet nga kjo parti kanë bërë të ditur se në disa bashki, LSI-ja do të mbështesë kandidatët e Partisë Demokratike dhe në disa bashki të tjera do të jetë aleatja qeverisëse, PD-ja, që do të mbështesë kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Burimet gjithashtu nuk përjashtojnë ndonjë aleancë të pjesshme me kandidatët për pushtetin vendor të Partisë Socialiste. Megjithatë, synimi kryesor i LSI-së mbetet Bashkia e Tiranës. Këtë e ka bërë të ditur dje sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Ai tha se ende nuk është diskutuar me PD-në për kandidatin e përbashkët për Bashkinë e Tiranës, por, sipas Ramës, të dyja partitë do të bashkëpunojnë për një skemë të bashkëqeverisjes në Tiranë.
Bashkitë
Burime nga LSI-ja kanë bërë të ditur se kjo parti ka nisur më herët punën për ndarjen e zonave elektorale që janë bastione të kësaj partie. LSI-ja do të synojë pikërisht kandidimin në ato bashki në të cilat ka marrë më shumë vota në zgjedhjet e mëparshme, si për pushtetin vendor, ashtu dhe në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Deri tani janë diskutuar emrat e Bashkisë së Beratit, të Fierit, Skraparit, Lezhës dhe Durrësit që LSI-ja pritet t’i ketë të parat në listë për t’i kërkuar PD-së që të dalë me kandidatët e saj në këto qytete. Në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit me PD-në, LSI-ja ka drejtimin e Prefekturës së Beratit dhe asaj të Fierit, ndërsa drejton Bashkinë e Lezhës. Në këto qytete kjo parti ka dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ka nxjerrë dy deputetë, Nasip Naçon dhe Dritan Priftin. Burimet gjithashtu kanë bërë të ditur se LSI-ja do të kërkojë kandidim me përqindje në bashki dhe komuna të ndryshme të vendit. Ende nuk është përcaktuar se si do të jetë ndarja, por diskutimet e para bëhen për kandidimin e LSI-së në 10-15% të bashkive dhe në 20-30% të komunave në shkallë vendi. Megjithatë, pas dekretimit të datës së zgjedhjeve pritet të fillojë më konkretisht puna për përgatitjen e të gjitha partive politike për zgjedhjet vendore. Megjithëse këto janë zgjedhje administrative, në Shqipëri zakonisht ato marrin natyrë politike, kjo dhe për shkak të klimës së nxehtë politike në vend.
Qëndrimi
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, gjatë deklaratës për shtyp të mbajtur dje në selinë e LSI-së, bëri të qartë se LSI-ja ka nisur përgatitjen për zgjedhjet vendore. Ai gjithashtu bëri thirrje për fillimin e punës për realizimin e reformës zgjedhore. I pyetur nga gazetarët mbi kandidat të përbashkët në Tiranë midis LSI-së dhe PD-së, Luan Rama iu shmang përgjigjes direkte, duke theksuar se “Bashkia e Tiranës mbetet prioriteti kryesor i sfidës tonë të ardhshme politike dhe elektorale, që nuk lidhet thjesht dhe vetëm me emrin që do të jetë në krye të saj, por që lidhet me një skemë tërësore funksionale të mirëqeverisjes së Bashkisë së Tiranës, sepse prej shumë vitesh, pra që prej 2005-s e këtej, Bashkia e Tiranës nuk qeveriset”,- është shprehur Rama.
Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sjellja armiqësore e Partisë Socialiste, siç e quan kjo parti, ndaj LSI-së, e ka lënë atë në opozitë në dy zgjedhje të përgjithshme politike. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, është shprehur se lidershipi socialist vazhdon të mos ofrojë alternativa, duke mos u sjellë si një opozitë europiane. Sipas zyrtarit të LSI-së, kjo është monument i politikës së vjetër. “Një vit pas bashkëqeverisjes me PD-në dhe me koalicionin që ajo drejton, LSI-ja është një forcë politike më e konsoliduar, është gjithashtu me identitet më të spikatur dhe për shkak të angazhimit tonë në qeverisje, e cila nuk lidhet vetëm apo thjesht me ndarje të disa funksioneve në nivele të qeverisjes, por lidhet me një angazhim politik dhe shumë të përgjegjshëm për të kontribuar për procesin e pakthyeshëm europianizues të vendit”, - është shprehur Rama.
Duke folur për zgjedhjet e ardhme, Luan Rama shprehet se tashmë LSI-ja ka treguar forcën e saj për të qeverisur dhe se ajo është një forcë politike që do të kontribuojë për reformat e mëtejshme. “Ne kemi ndërmarrë disa iniciativa dhe do të vazhdojmë të insistojmë në to, sepse kushti për një reformë zgjedhore dhe efikase dhe që ta vendosë përfundimisht Shqipërinë në cakun e vendeve që zhvillojnë zgjedhje korrekte të lira të pakontestuara dhe transparentë është pa dyshim një angazhim madhor dhe që lidhet edhe me standardet europiane, që lidhet drejtpërdrejtë me të ardhmen europiane të vendit”, - vijoi Rama.
Reagimi
Armela Imeraj: “LSI-ja ta harrojë se do të fitojë sërish me vota të vjedhura”
Fill pas deklaratës së sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, ka ardhur dhe reagimi i selisë rozë. Zëdhënësja për shtyp e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, është shprehur dje se PS-ja nuk do të lejojë kurrsesi që Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatja e saj, Partia Demokratike, të fitojnë zgjedhje duke vjedhur vota, duke i akuzuar këto dy parti për vjedhje votash gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Më tej Imeraj e ka akuzuar LSI-në se i ka gënjyer qytetarët e saj dhe se nuk ka mbajtur premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale të vitit 2009. Sipas saj, ndryshe nga sa premtoi LSI-ja për hapjen e vendeve të reja të punës, aktualisht ka më shumë qytetarë shqiptarë të papunë. Imeraj gjithashtu bëri të ditur se LSI-ja, gjatë fushatës elektorale të 2009-s bëri fushatë kundër Berishës dhe u premtoi qytetarëve se do ta rrëzojë Berishën nga pushteti, por e kundërta ndodhi, tani janë aleatë. Zëdhënësja e selisë rozë akuzoi LSI-në për rrënimin e ekonomisë shqiptare dhe zhytjen e vendit në varfëri ekstreme. “Nëse LSI-ja mendon se mund të fitojë diçka duke vjedhur vota si në zgjedhjet e 2009-s në Ndroq, ta harrojë! Por, është e kuptueshme frika e LSI-së nga vota e shqiptarëve. Së pari, sepse tradhtoi e gënjeu votuesit e majtë duke mbajtur në pushtet Berishën. Së dyti, sepse premtoi 100 mijë vende pune dhe vetëm gjatë vitit të parë të pushtetit PD-LSI kanë humbur 100 mijë shqiptarë vendet e tyre të punës. Së treti, çka është më e rëndësishmja, në derexhenë ku e ka zhytur ekonominë shqiptare Saliu, nuk ka më shqiptar që voton as për të e as për aleatët e tij”, - është shprehur dje gjatë një prononcimi për mediat zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj.
PD: Rama kërkon të shmangë vëmendjen nga zgjedhjet lokale të 2011-ës
Deputeti demokrat, Aldo Bumçi, është shprehur dje se ishte PS-ja ajo që anashkaloi zgjidhjet për ngërçin politik, ndonëse në fund të muajit korrik u rikthyen negociatat, të cilat deri tani nuk sollën asnjë produkt. Bumçi shprehet se qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare janë të qarta mbi këtë çështje kur theksojnë qartë se zgjidhja duhet të kalojë në kanale ligjore e kushtetuese. Për këtë, deputeti demokrat sjell në vëmendje dhe deklaratën e ambasadorit të ri amerikan për Shqipërinë, i cili vetëm pak ditë më parë deklaroi se politika shqiptare duhet të zgjidhë krizën në përputhje me Kushtetutën.
Për të treguar mungesën e vullnetit të opozitës për zgjidhje, Bumçi kujton se PS-ja nuk konsumoi asnjë instrument ligjor që do t’i hapte rrugë këtij procesi. Për deputetin demokrat, kjo është strategjia e kryetarit të PS-së, Rama, për të shmangur vëmendjen nga zgjedhjet lokale të 2011-ës, sikundër shmangu ballafaqimin e tij publik për probleme të Tiranës. Lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale, Bumçi shprehet se pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, KQZ-së nuk i mbetet tjetër vetëm të zbatojë ligjin në lidhje me kutitë e votimit dhe fletët e votimit, duke iu referuar nenit 178 të Kodit, që flet për djegien e fletëve të votimit. Për Bumçin, nisja e sesionit të ri parlamentar përkon me zhvillime të rëndësishme, siç është vendimi për liberalizimin e vizave, njëkohësisht politika do të diskutojë buxhetin e ri 2011, si dhe do të përgatitet për zgjedhjet e reja lokale.
9 Gusht 2010