E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet vendore Burgaj: Kemi trajnuar 8 700 policë

TIRANE-Rreth 8700 punonjës të policisë së shtetit do të angazhohen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj në një takim që zhvilloi sot me krerët e drejtorive të policisë në rrethe theksoi se 8700 policë janë trajnuar për zgjedhjet vendore dhe është përgatitur edhe një libër xhepi me të dhëna të vlefshme për policët. Ai gjithashtu siguroi se Policia e Shtetit do të përmbush të gjitha detyrat që i ngarkon ligji me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Ai theksoi se askush nuk mund të dalë mbi ligjin.

Burgaj gjatë takimit me drejtuesit lokalë të Policisë në të 12 qarqet duke i konsideruar zgjedhjet e 8 Majit u kërkoi të vlerësojnë procesin zgjedhor dhe të përmbushin me sukses misionin për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
“Qytetarët shqiptarë nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, pa pasur më parë mbështetjen e Policisë, detyra e së cilës është të sigurojë një mjedis të sigurtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme", tha Burgaj.
Ai kërkoi nga të gjithë efektivat që në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia të kontribuojë pozitivisht në procesin parazgjedhor dhe të garantojë zbatimin e ligjit gjatë votimit dhe numërimit të votave.

Gjithashtu Burgaj duke iu referuar vlerësimeve që OSBE/ODIHR- i bëri policisë së shtetit në zgjedhjet e përgjithshme theksoi se policia e shtetit do t`i ruajë dhe do t`i përmirësojë më tej këto vlera.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›