Zgjedhjet vendore/ Del Monaco: Shqipëria ka vend për përmirësim! Besoj tek profesionalizimi dhe aftësia e KQZ

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco intervistën e tij të fundit e dha nga Shkodra pasi përmbyll misionin e tij në Shqipëri. Ai u shpreh se Shqipëria por edhe çdo vend tjetër ka gjithmonë hapësirë dhe mundësi për t’u përmirësuar.
Ambasadori i OSBE-së u shpreh se qeveria, KQZ dhe institucionet e tjera e dinë fare mirë se cilat janë rekomandimet e OSBE lidhur me procesin e zgjedhjeve. Del Monaco tha se beson plotësisht tek profesionalizimi dhe aftësia e KQZ duke filluar nga vete komisionerët.
“Shqiptarët e dinë se cilat janë nevojat e tyre dhe çfarë duhet të bëjnë në të ardhmen. Unë këtu jam mik, jam vezhgues i vëmendshëm dhe besoj plotësisht tek profesionalizimi dhe aftësia e KQZ duke filluar nga vete komisionerët. Çdo vend duke nisur edhe nga vendi im ka diçka që duhet përmirësuar dhe përmirësimi është diçka që duhet të bëhet në mënyrë të përditshme qoftë për politikë, ekonomi dhe të gjitha sferat. Një shembull i mirë është çuarja përpara e partneritetit me strukturat tuaja qoftë me Kuvendin, qofte me Gjykatën Kushtetuese apo me shoqërinë civile dhe javën e shkuar na u thanë dhe fjalë shumë të ngrohta nga Gjykata juaj Kushtetuese dhe nga ministrja juaj e jashtme, ama siç e thashë edhe më parë në fund fare unë dua të dëgjoj prej shqiptarëve të zakonshëm çfarë mendojnë ata për punën tonë dhe asnjëherë nuk mjafton ajo që ne bëjmë”, tha ambasadori i OSBE.
Prezenca e OSBE-së po zhvillon këto ditë edicionin e 8-të të “Shtigjeve rinore”, që mbledh të rinj nga i tërë Ballkani Perëndimor. Tema në qendër të këtij edicioni është mjedisi, më konkretisht çfarë mund të bëjnë të rinjtë për qeverisjen mjedisore. Ndërkohe një pjesë e programit prej dy ditësh po zhvillohet edhe në Shkodër. Ndërsa këtë të mërkurëe në bibliotekën “Marin Barleti” u zhvillua një takim pune i Këshillit Vendor të Sigurisë së Shkodrës, kushtuar sfidave mjedisore, ndotjes dhe qeverisjes. Më pas aktiviteti vijoi në Muzeun Historik me temë “Sfidat vendore dhe rajonale të qeverisjes mjedisore, ndikimet e mundshme në procesin e integrimit në BE”.
/rtsh/