E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet vendore/ Presidenti Begaj dekreton datën 14 maj: Partitë politike të zgjedhin alternativa serioze

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar 14 majin si datën për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 2023. Presidenti Begaj thekson se është momenti për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunimin institucional dhe pjekuri politike. Më tej, Begaj ka nxitur palët politike që të shkojnë drejt zgjedhjeve me respekt ndaj kundështarëve dhe qytetarëve.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, caktoi 14 majin 2023 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore të ardhshme. Presidenti e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe thekson se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare. Presidenti Begaj nxit të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë. Kreu i Shtetit i fton votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirë-informimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cënojnë votën dhe vullnetin e lirë”, thuhet në njoftim.

Sakaq, Presidenti u ka bërë thirrje partive politike që të shkojnë drejt zgjedhjeve të 14 majit me alternativa serioze dhe konkurruese. Ndër të tjera, Presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›