E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet vendore në Itali, e majta në avantazh, Berluskoni humb preferencat

Pushteti vendor në Itali duket se ka pësuar një përmbysje politike, duke kaluar kryesisht në duart e së majtës, si një tregues se politikat e Berluskonit janë bërë të papëlqyeshme. Rreth 13 milionë votues italianë zgjodhën për dy ditë kryetarët e një mijë komunave. Por, në bashkitë e qyteteve të mëdha ishte gara e vërtetë. Në Torino, Milano, Bolonjë dhe Napoli pritet të ketë fitore për të majtën, ose balotazh. Në Torino e Bolonjë kandidatët e së majtës duket se janë drejt fitores pa qenë nevoja e mbajtjes së një balotazhi, ndërsa Napoli pritet të shkojë drejt balotazhit mes kandidatit të djathtë dhe kandidatit të së majtës ekstreme. Edhe Milano shkon në balotazh mes kryetares aktuale të Berluskonit, Leticia Morati dhe kandidatit të majtë, Xhuljano Pizapia, i cili duket si i favorizuar pasi mori 7 për qind më shumë vota. Humbja më e madhe për Berluskonin dhe aleatët e tij të Lega Nord është Milano. Ata e konsideruan anormal votimin. Ndërkohë, Berluskoni ka humbur gjysmën e mbështetësve të tij.   Gara e preferencave të politikanëve u fitua sërish nga kryeministri Silvio Berluskoni në Itali, por jo në masën që ai dëshironte. Kryeministri, si kreu i listës së PDL, ka mbledhur 27 972 vota, pak më shumë se gjysma në krahasim me 53 297 votat e  pesë viteve më parë. Kreu i Qeverisë italiane kishte parashikuar se minimumi që do të arrinte ishin 53 000 preferenca. Duke marrë parasysh që PDL ka mbledhur 171 mijë vota, Berluskoni ka pasur preferencën e 16,3 për qind të zgjedhësve të partisë së tij. Në vitin 2006, me 194 mijë vota për Forza Italia-n, Berluskoni kishte mbledhur 27,3 për qind të preferencave të disponueshme. Megjithatë, Berluskoni mbetet kandidati më i votuar mes atyre që janë paraqitur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›