“Zgjerim i marrëdhënieve me Katarin, në të gjitha fushat”
Kryeministri Berisha pret në takim ambasadorin e ri të shtetit të Katarit Yossef Bin Hassan Bin Yousef Al Saai
Kryeministri Sali Berisha priti dje, në një takim, ambasadorin e ri të shtetit të Katarit , Yossef Bin Hassan Bin Yousef Al Saai, me rastin e marrjes së detyrës diplomatike, në Tiranë.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira miqësore mes dy vendeve dhe qeverive dhe u rikonfirmua vullneti dhe angazhimi i të dy palëve për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në interes të ndërsjellë.
Në veçanti, të dy qeveritë janë angazhuar në periudhën në vijim për realizimin e një sërë projektesh të rëndësishme në fushën ekonomike, sektorin e turizmit, bujqësisë, etj, të evidentuara si fusha me shumë interes për të dy vendet në takimin e Emirit të Katarit me kryeministrin Berisha dhe delegacioneve respektive, gjatë vizitës së tij, vitin e kaluar, në Tiranë.
Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në rajon, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e shtetit të Katarit dhe qeverisë së madhërisë së tij, Emirit të Katarit, ndaj Pranverës arabe dhe përpjekjeve të popujve të këtij rajoni për tu çliruar nga regjimet diktatoriale dhe për të jetuar të lirë dhe me dinjitet.
“Qeveria shqiptare ndjek me shqetësim atë çka po ndodh në Siri, ku regjimi i presidentit Bashar al-Assad po përdor pushtetin si licencë për të vrarë qytetaret e pafajshëm dhe popullin sirian”, u shpreh kryeministri Berisha.
Më tej, kryeministri theksoi se Shqipëria do të mbështesë plotësisht të gjitha nismat e ligës Arabe, Kombeve të Bashkuara dhe të çdo organizmi tjetër ndërkombëtar në ndihmë të popullit sirian, për shpëtimin e jetëve të qytetarëve civilë të pafajshëm, nga diktatura brutale al-Assad-it.
Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e ambasadorit të mëparshëm të Katarit Soltan Saad Al- Moraikhi, në forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, që gjatë kësaj periudhe kulmuan me vizitën historike të Lartësisë së Tij, Emirit të Katarit Sheikut Hamad bin Khalifa AL THANI në Tiranë, në muajin tetor, të vitit të kaluar.
Ambasadori Yossef Bin Hassan Bin Yousef Al Saai e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli atij urimet më të përzemërta të Lartësisë së Tij, Emirit të Katarit Sheikut Hamad bin Khalifa AL THANI, të Kryeministrit të Katarit Sheikut Hamad bin Jasim bin Jabir AL THANI, si dhe të gjithë miqve dhe dashamirësve të shumtë të kryeministrit Berisha dhe të gjithë popullit shqiptar, në Katar.
Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ti përcjellë, nëpërmjet ambasadorit, përshëndetjet më të përzemërta, Lartësisë së Tij Emirit të Katarit Sheikut Hamad bin Khalifa AL THANI, të Kryeministrit të Katarit Sheikut Hamad bin Jasim bin Jabir AL THANI, së bashku me dëshirën për ta pritur Kryeministrin e Katarit së shpejti në Tiranë.