E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerohen protestat ne SHBA. Arrestohen 700 persona

Protesta “Të pushtojmë Woll Street” zgjerohet edhe në qytete të tjera amerikane, ndërsa në New York manifestuesit që për dy javë kanë qëndruar në një kamp pranë bursës, arritën të bllokojnë për pak edhe korsitë e Urës së Bruklinit. Policia ndërhyri duke arrestuar 700 persona pasi marshimi ishte i paautorizuar. Trafiku në të dyja drejtimet e urës u bllokua për disa orë dhe qarkullimi u vështirësua. Marshimi nisi nga Zukoti Park në Manhatanin e poshtëm në afërsi të ish- Qendrës Botërore të Tregtisë, dhe anëtarët e lëvizjes për bllokimin e zemrës së distriktit financiar thanë se do të qëndrojnë jashtë gjatë gjithë dimrit.

"Unë jam historian dhe ajo që gjithnjë përbën një zhgënjim është të shohësh sesi në lëvizjet për drejtësi sociale, sidomos ato të klasës punëtore, policia kthehet kundër njerëzve të vet. Policia në përgjithësi është klasë punëtore. Ata nuk fitojnë shumë para dhe ndikohen në të njëjtën mënyrë nga krimet e Woll Street, sikundër edhe ne të tjerët. Por, ata detyrohen të bëjnë punën e tyre duke ushtruar dhunë mbi njerëzit, që në fund të fundit po mbrojnë edhe interesat e tyre”- tha protestuesi Jamie Warren.

Protesta të ngjashme kanë gjetur terren edhe në qytete të tjera të Amerikës. Në Los Anxhelos të rinjtë u mblodhën në sheshin përballë bashkisë, ndërsa një protestë me e vogël u mbajt edhe në pjesën tregtare të Cikagos. Marshimi nisi në Denver me thirrjen për të bllokuar rrugët e qytetit.

"Këtë mëngjes, janë duke u zhvilluar mbi 80 protesta si ajo e Wall Street, në qytetet e tjera të vendit, të paktën në ato që kanë faqe në FACEBOOK. Madje, mund të jenë edhe më shumë”- tha organizuesja e protestws, Claudia Flanagan.

Lëvizje të tilla shprehin indinjatën sipas modelit të Madridit, për humbjen e shtëpive, papunësinë e lartë dhe paketat e ndihmës për bankat në krizën e 2008. Edhe pse jo shumë e organizuar, lëvizja drejtohet kundër, sic thonë organizatorët, makutërisë së korporatave dhe risjell në mendje revolucionet rinore të së shkuarës në Shtetet e Bashkuara.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›