E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerohet porti i Durrësit. Investimi, 1 milion USD

Sheshi i madh i portit detar së shpejti do të ketë një pamje të re.

Ai do të zgjerohet edhe me rreth 600 metra katrore territor, pasi njëra prej ndërtesave më të vjetra do të rrafshohet. Ka qenë projekti i vitit 1999 i cili kishte parashikuar rrëzimin e 3 godinave të ndërtuara në vitet ‘50 në mënyrë që porti të përfitonte sheshe për kontejnerët si dhe rrugë kalimi për automjete. Që nga ajo kohë dy prej godinave janë shembur dhe në proces është edhe prishja e së tretës.

Projekti që po zbatohet pranë drejtorisë së portit parashikon rrëzimin e ndërtesave ku janë strehuar reparti i zjarrfikësve dhe Policia Kufitare të cilat kanë zënë mesin e sheshit qendror dhe transferimin e tyre në objekte të reja. Pikërisht për ndërtimin e godinave të reja si dhe për zgjerimin e sheshit të madh, APD-ja ka miratuar një fond prej 1 milion dollarësh disa kohë më parë. Momentalisht puna për zbatimin e këtij projekti është përqendruar në ndërtimin e objekteve të cilat janë drejt përfundimit e ku do të vendosen zjarrfikëset dhe policia kufitare si dhe në rikonstruksionin e një sipërfaqeje territori prej 300 metra katrore ngjitur me këto objekte. Me përfundimin e tyre, është parashikuar që brenda këtij viti të kalohet në rrëzimin e godinës së vjetër dhe transformimin e truallit në një pjesë të sheshit qendror të portit.

Në këtë mënyrë merr fund edhe zbatimi i projektit të BB-së për modernizimin e pjesës perëndimore të portit detar. Ndërkohë APD-ja po me fondet e veta ka nisur riparimin e një segmenti rrugor pranë hyrjeve nr. 1 dhe 2 të portit si dhe rikonstruksionin e një parkingu automjetesh që ndodhet pranë rrugës. Ky projekt parashikon ndërtimin e infrastrukturës së nëndheshme si dhe atë mbi sipërfaqe.

Edhe puna në projektin e madh të rikonstruksionit të terminalit të trageteve është në fazë të avancuar. Firma sllovene ka arritur në fazën e mbushjes së sheshit pranë terminalit të trageteve me beton dhe shumë shpejt punimet do të përqendrohen brenda në terminal.

Ky projekt përbën fazën e dytë të rikonstruksionit të sheshit të trageteve dhe është parashikuar të përfundojë brenda 2 viteve. Punimet nisën në muajin maj të këtij viti. Me përfundimin e tyre porti përfiton rreth 2 ha sheshe shtesë përveç terminalit ekzistues. Për realizimin e këtij projekti janë dhënë 15 milionë euro nga BEI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›