E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat, në 9 muaj arkëtojnë 76.5 miliardë lekë

Administrata Doganore realizon dhe tejkalon planin e të ardhurave për 9-mujorin 2008 në masën 100.7%, duke arkëtuar në buxhetin e shtetit 76 miliardë e 571 milionë lekë, 523 milionë lekë më shumë se plani. Kjo u bë e ditur dje nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi. Krahasuar me realizimin faktit të të ardhurave për të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar–shtator 2007) rritja është 14.5% ose 9 miliardë e 689 milionë lekë më shumë. Për 9-mujorin 2008 realizuam 76 miliardë e 571 milionë lekë krahasuar me 66 miliardë e 882 milionë lekë që realizuam 9-mujorin 2007.

Gjatë muajit shtator 2008 janë arkëtuar në buxhetin e shtetit 9 miliardë e 731 milionë lekë, krahasuar me 9 miliardë e 813 milion lekë që ishte plani i përcaktuar nga Ministria e Financave me një diferencë prej 83 milionë lekësh. Mallrat e akcizës kanë rritur ndjeshëm të ardhurat, pasi zhdoganimi tyre është rritur. Në 9-mujor është rritur zhdoganimi i cigareve. Karburante janë zhdoganuar për 9-mujorin 308.325 t nga 302.113 t të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 6.212 t ose 2 % më shumë. Cigare janë zhdoganuar 3.008 t krahasuar me 2.578 t të zhdoganuara gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 430 ton ose 17 % më shumë. Kafe janë zhdoganuar 4.561 t nga 4.478 të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 83 ton ose 2 % më shumë. Birrë janë zhdoganuar për 9-mujorin 2008 27.247 hektolitra nga 25.063 hektolitra të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 2.184 hektolitra, ose 9 % më shumë.

Gjatë kësaj periudhe është regjistruar një rritje prej 11 % të volumit në total të eksporteve shqiptare e shprehur në sasi, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa vetëm eksportet shqiptare (Made in Albania) kanë një rritje prej 38.9 %. Gjatë 9-mujorin 2008 kemi realizuar një volum mallrash prej rreth 1.387.136 ton krahasuar me 1.250.507 ton mallra që janë eksportuar gjatë 9-mujorit 2007.

Si 9-mujor, volumi i importit vlerësohet në 324.035 mln lekë nga 281.519 mln lekë të realizuara gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar me një rritje prej 42.516 mln lekë, ose 15% më shumë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›