Zgjerohet skandali, Irlanda: Asnjë litër ‘virxhin’ s’ka ardhur nga Shqipëria
Tiranë Rëndohet pozicioni i të akuzuarve për kontrabandën e naftës ‘virxhin’, pas përgjigjes së mbërritur nga Irlanda, se asnjë litër nuk është eksportuar në këtë vend. Prokuroria ka marrë kështu letër-porosinë e parë, që kishte si destinacion Irlandën, një nga 7 vendet, ku sipas deklaratave doganore rezulton të jetë ekspertuar një sasi e konsiderueshme nafte ‘virxhin’. Në përgjigje të letër-porosisë së Prokurorisë shqiptare, autoritetet irlandeze konfirmojnë se në periudhën që ka si objekt kërkesa e drejtësisë shqiptare, nuk rezulton të jetë importuar naftë ‘virxhin’ dhe aq më pak nga Shqipëria. Sasia e konsiderueshme e naftës, që i përket periudhës së vitit 2008, sipas faturave të kompanive nën hetim, rezulton të jetë eksportuar nga Shqipëria drejt Irlandës. Për këtë eksport, ka edhe një deklaratë doganore zyrtare, e cila konfirmon se sasia e naftës ‘virxhin’ është eksportuar nga kompania “Euroil”, me destinacion përfundimtar Irlandën. Në përshkrimin e deklaratës doganore, por edhe nga informacionet e siguruara nga hetimi, rezulton se më parë nafta ‘virxhin’ do kalonte transit nëpërmjet Turqisë, për të përfunduar më pas në Irlandë. Por ky pretendim është rrëzuar nga autoritetet irlandeze, të cilat kanë verifikuar informacionet e dërguara nga Prokuroria shqiptare dhe kanë dhënë përgjigje negative për këtë çështje. Letër-porosia fillimisht i është përcjellë Ministrisë shqiptare të Drejtësisë, e cila ka vënë në dispozicion të Prokurorisë dokumentin zyrtar, që mund të rëndojë edhe më shumë pozitën e të arrestuarve për skandalin e naftës ‘virxhin’. Burimet të rezervuara thanë se përgjigjja e ardhur nga autoritetet irlandeze është e para, ndër 7 letër-porositë e nisura në vendet ku, sipas deklaratave doganore, rezulton të jetë eksportuar naftë ‘virxhin’ gjatë periudhës 2007-2009. Burimet thanë se letërporosia është nisur dy muaj më parë, ndërsa autoritetet irlandeze janë treguar mjaft korrekte, pasi në periudhë rekord i janë përgjigjur interesit të drejtësisë shqiptare për këtë çështje, që deri tani numëron 12 të arrestuar dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim. Sipas librave të shitjeve të kompanisë “Euroil”, por edhe nga deklaratat doganore për ekspertin e këtij produkti, rezulton se nafta ‘virxhin’ ka shkuar në të paktën 7 vende, ndër to më i largëti Irlanda. Autoritetet e drejtësisë shqiptare kanë kërkuar informacion për ngarkesat e naftës ‘virxhin’ edhe nga homologët e tyre, duke përfshirë edhe Serbinë, ku rezulton të jetë ekspertuar një sasi e konsiderueshme ‘virxhin’ në vitin 2007. Sipas përshkrimit të deklaratës doganore rezulton se malli (nafta virxhin) është transportuar me tren drejt Serbisë, ndërsa pritet përgjigja e letër-porosisë për të konfirmuar, ose jo, të dhënat zyrtare që janë siguruar nga doganat.
2008 Sasia e konsiderueshme e naftës, që i përket periudhës së vitit 2008, sipas faturave të kompanive nën hetim rezulton të jetë eksportuar nga Shqipëria drejt Irlandës. Autoritetet e Irlandës mohuan eksportet
2007 Autoritetet e drejtësisë shqiptare kanë kërkuar informacion për ngarkesat e naftës ‘virxhin’ edhe nga homologët e tyre, duke përfshirë edhe Serbinë, ku rezulton të jetë ekspertuar një sasi e konsiderueshme ‘virxhin’ në vitin 2007.
Prokuroria, në pritje të përgjigjeve nga 6 shtete
Grupi hetimor, që ka në dorë dosjen e skandalit të naftës ‘virxhin’, ka kërkuar informacion për këtë çështje edhe nga autoritetet hetimore të Turqisë, Italisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Greqisë, vende këto ku rezulton të jetë eksportuar ‘virxhin’ përgjatë viteve 2007-2009. Deri tani, prokuroria ka mundur të provojë se të paktën 17 mijë ton naftë ‘virxhin’, e deklaruar për eksport, realisht është eksportuar vetëm me letra, pasi dyshohet se pas përzierjes me benzinë është shitur në tregun e pakicës si karburant i pastër. Për këtë abuzim, “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës urdhëroi arrestimin e 14 personave, mes të cilëve edhe katër biznesmenë, si dhe dy zyrtarë të tatimeve e doganave, të dyshuar për shpërdorim detyre, në lidhje me supermashtrimin që dyshohet se ka zgjatur për tri vjet me radhë.
Kontrabanda, Elezaj dhe 2 zyrtarët, sot para Apelit.