Familjarët e viktimave të Otrantos: Kërkesat tona në 14-vjetorin e tragjedisë
Ata kanë kërkuar ndihmë nga shteti shqiptar për përfaqësim ligjor, si dhe sjelljen në Shqipëri të Katrit të Radës, anijes ku humbën jetën 81 persona
VLORË Familjarët e tragjedisë së Otrantos nëpërmjet një konference për shtyp i kanë bërë thirrje qeverisë për t’i mbështetur dhe për të ndërhyrë, pasi seancat gjyqësore të zhvilluara në shtetin fqinj italian janë shtyrë dhe sipas tyre kjo gjë nuk vë në vend drejtësinë. Familjarët janë shprehur se “tragjedia është 14-vjeçare, por përse e quajmë të tillë, sepse kjo tragjedi ka 14 vjet që vazhdon, pra siç e shikoni këta prindër që humbën fëmijët e tyre më 28 mars 1997 vazhdojnë dhe zvarriten në proceset gjyqësore, duke kaluar mbi trupin dhe gjakun e fëmijëve të tyre, dhe kjo është tragjedi”. Më pas, familjarët e viktimave të tragjedisë së Otrantos kanë bërë me dije kërkesat e tyre drejtuar qeverisë për t’i ndihmuar me një përfaqësues në çështjet gjyqësore. Ndërsa nuk kanë lënë pa akuzuar dhe avokaten Natasha Shehu, që sipas familjarëve të tragjedisë së Otrantos ka përfituar nga fatkeqësia e tyre. Shehu është cilësuar si avokatja mbrojtëse e palës shqiptare, por ajo sipas familjarëve jo vetëm që nuk i ka mbrojtur, por ka përvetësuar dëmshpërblimin e familjarëve, edhe pse është e dënuar nga shteti italian, pasi vendimi i saj është akoma i pa ekzekutuar.
Ndërsa pika e tretë në kërkesën e familjarëve të tragjedisë së Otrantos është: anija e kësaj tragjedie, e cila ndodhet në brigjet e Brindizit, të vijë në Shqipëri, t’i caktohet vendi dhe të jetë monument që kjo tragjedi të përkujtohet gjithmonë, ku familjarët të kenë një vend për t’i përkujtuar të afërmit e tyre. Nëse kjo pikë nuk realizohet, atëherë për familjarët e tragjedisë së Otrantos mund të cilësohet si një tragjedi e dytë. Ne kemi rreth 14 vjet që rropatemi rrugëve të Italisë për të kërkuar një të drejtë tonën, dhe i kërkojmë shtetit shqiptar e qeveritarëve që të na ndihmojnë në këtë çështjen tonë, të na ndihmojnë me përfaqësues ligjor e avokat, të cilët të jenë palë me ne në gjyqet që kemi hapur kundër qeverisë italiane për mbytjen e fëmijëve e të afërmve tanë. I bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të na ndihmojë dhe t’i bëjë kërkesë shtetit italian që të mos prishi anijen e tragjedisë së familjarëve tanë, anijen katërti i radës, por në bashkëpunim me shtetin italian të bëjë të mundur që anija e tragjedisë së Otrantos ku humbën jetën shumë nga familjarët tanë, të vijë në Shqipëri e të vendoset në një vend në bregdetin e Vlorës, për ta bërë më pas muze, ku ne si familjarë të vemi e të vendosim fotografitë e familjarëve tanë të mbytur e të zhdukur në detin e Otrantos, ku të kemi, si familjarë, një vend ku të qajmë e të bëjmë homazhe”.
81 viktimat e tragjedisë së Otrantos do të përkujtohen ditën e sotme. Në orën 10:00, në shenjë respekti ndaj familjarëve të cilët humbën jetën në këtë tragjedi, do të hidhen buqeta me lule në det.