E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat: Ja objektivat për 2011-ën

27/01/2011  ISSH: Rritja e pensioneve me 5-10 për qind dhe përmirësimin e raporteve pagë/pension

Doganat: Ligj të ri për akcizat. Tatimet: Sistem i deklarimit të të ardhurave personale

Rishikimi i ligjit të tatimit mbi të ardhurat për telekomunikacionin dhe bankat do të jetë prioritet për Drejtorinë e Politikave Makroekonomike dhe Fiskale pranë Ministrisë së Financave për vitin 2011. Gjithë drejtoritë dhe institucionet në varësi të diskaterit të Financave kanë shpallur objektivat për vitin 2011.

Pensionet

Në fushën e pensioneve gjatë 2011-ës ISSH-ja do të zbatojë rritjen e pensioneve me 5-10 për qind dhe përmirësimin e raporteve kontribues/përfitues dhe pagë/pension. Ky institucion do të shtojë të dhënat në regjistrin qendror të pensioneve dhe duke u siguruar më shumë akses përdoruesve të sistemit të sigurimeve shëndetësore dhe shërbimit social shtetëror. Ky objektiv do të përfundojë brenda vitit 2011. Ndërkaq, do të përfundojë programi për llogaritjen e pensioneve të reja dhe pagimit të pensioneve.

Politikat

Nga heqja e pragut të TVSH-së do të përfitojnë këtë vit profesionet e lira dhe shërbimet e hotelerisë. Po kështu do të vijojë reformën e fiskalizmit në të gjithë territorin e vendit, reduktimi i tarifave nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet e rajonit (CEFTA), me Turqinë dhe me vendet e Bashkimit Evropian, por edhe përafrimi me legjislacionin e BE-së të kuadrit ligjor për TVSH-në, akcizën dhe tatimin mbi të ardhurat, në fushat e taksimit direkt dhe indirekt. Ky projekt do të përfundojë deri në 2012-ën. Ndërkaq, Ministria e Financave ka nisur punën për rishikimin e ligjit të tatimit mbi të ardhurat për telekomunikacionin dhe bankat, sipas porosisë së Kryeministrit Berisha. Sa i përket Drejtorisë së Thesarit, ekspertët e saj do të vijojnë punën për sigurimin në kohë reale i informacionit dhe centralizimin e transaksioneve të të hyrave buxhetore në një llogari të vetme thesari.

Tatimet dhe doganat

Mes punëve më të ngutshme të administratës tatimore mbetet zbatimi i sistemit të deklarimit të të ardhurave personale për çdo person të tatueshëm, i cili do të nisë nga 30 prilli i 2012. Tatimorët do të përfundojnë analizën e riskut sipas zhvillimit të profileve të reja, një praktikë që deri më sot ka qenë e mangët. Një tjetër detyrë e tyre është reduktimi i borxhit tatimor dhe shtrirja e deklarimit të pagesave të paarkëtuara dhe detyrimi i papaguar në 13 Drejtoritë rajonale Tatimore. Ndërkaq administrata doganore do të vijojë me hartimin e Kodit të Ri Doganor dhe do të përfundojë projekt-ligjin e ri të akcizave.

Borxhi

Legjislacioni i huamarrjes pritet të përshtatet më tej për daljet e ardhshme në tregjet ndërkombëtare të borxhit në çdo kohë dhe pa vonesa burokratike, të cilat përkthehen në kosto të shtuara të huamarrjes apo shërbimit të borxhit. Gjithashtu synohet rritja e numrit të ditëve mesatare në maturim në 466 ditë për totalin e instrumenteve përfshirë edhe eurobondin nga 384 që ishte në fund të 2010-ës. Ekspertët e kësaj drejtorie do të punojnë për përmirësimin e strukturës së ankandeve të letrave me vlerë, sa i përket numrit të ankandeve dhe pjesëmarrjes më të gjerë të institucioneve financiare vendase. Gjithashtu synohet ulja e normës mesatare të ponderuar të interesit për stokun e instrumenteve të borxhit të brendshëm, të jetë 8,10% krahasuar me 8,43% në fund të vitit 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›