E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhet Qeveria e re e Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë votoi mbrëmë para mesnate kabinetin e ri qeveritar të udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Për përbërjen e re të koalicionit qeveritar midis VMRO-DPMNE dhe partisë shqiptare BDI votuan 70 deputetë, 47 kundër dhe asnjë abstenim. Lajmi bëhet publik nga agjencia maqedonase e lajmeve, INA.

Rritja e zhvillimit ekonomik dhe punësimet, integrimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit, mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe investim në arsim, shkencë dhe teknologji informatike, janë pesë prioritetet të cilave do t'u përkushtohet Qeveria e re.

Në koalicionin e ri qeveritar, BDI udhëheq me 5 ministri dhe 2 poste të zëvendëskryeministrave, ndërsa nga një ministri pa resor do të kenë përfaqësuesit e komunitetit turk dhe rom. Përbërja zyrtare e Qeverisë është si vijon:
Nikolla Gruevski – Kryeministër
Nikolla Popovski – ministër i Punëve të Jashtme
Gordana Jankullovska – ministre e Punëve të Brendshme
Zoran Stavrevski – ministër i Financave
Elizabeta Kançevska – Milevska – ministre e Kulturës
Nikolla Todorov – ministër i Shëndetësisë
Spiro Ristovski - ministër i Punës dhe Politikës Sociale
Pançe Kralev – ministër i Shëndetësisë
Vladimir Peshevski – zëvendëskryeministër për çështje ekonomike
Ivo Ivanovski – ministër për Informatikë dhe Administratë Publike
Mile Janakievski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve
Lupço Dimov – ministër i Bujqësisë

Ministrat nga radhët e BDI-së:
Fatmir Besimi – ministër i Mbrojtjes
Blerim Bexheti – ministër i Drejtësisë
Valon Saraçini – ministër i Ekonomisë
Abdylaqim Ademi – ministër i Ekologjisë
Nevzat Bejta – ministër i Pushtetit Lokal
Musa Xhaferi – zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit
Teuta Arifi – zëvendëskryeministre për Evrointegrime

Me propozim të mandatarit Gruevski për ministra pa resor janë caktuar Nexhdet Mustafa dhe Hadi Neziri, Bul Pavlevski. Votimi i Qeverisë së re pasoi pas dy ditësh debatesh të ashpra midis pozitës dhe opozitës. Nikolla Gruevski ka marrë kështu mandatin e tretë si kryeministër i vendit pas fitores në zgjedhjet e vitit 2006 dhe ato të parakohshme të vitit 2008 dhe 2011.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›