E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhet kriza qeveritare mes PDK-së dhe LDK-së

Kosova ka kaluar krizën më të shkurtër dhe më dramatike qeveritare që pas shpalljes së pavarësisë. Ka marrë fund pas më pak se 12 orësh një furtunë që ka shpërthyer në koalicionin qeverisës mes Partisë Demokratike të Kosovës të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës së Presidentit, Fatmir Sejdiu. Dy partitë kryesore qeverisëse në Kosovë kanë konfirmuar angazhimin për ruajtjen e koalicionit qeverisës pas deklaratave të mëparshme kundërthënëse për një prishje të mundshme të aleancës pas zgjedhjeve lokale. Si PDK-ja ashtu edhe LDK-ja kanë deklaruar se do të ruajnë strukturën ekzistuese qeverisëse. PDK-ja tha nëpërmjet një deklarate se "është fuqimisht e përkushtuar për stabilitetin funksional të institucioneve qendrore të Kosovës dhe për procesin e shtet-ndërtimit". PDK-ja thotë se zgjedhjet e 15 nëntorit që, sipas saj, ishin të lira, të drejta, demokratike dhe gjithëpërfshirëse, "nuk do të mund të ndikojnë në funksionimin e mirë të institucioneve qendrore: Parlamentit, Presidentit dhe Qeverisë". Një deklaratë të ngjashme bëri edhe LDK-ja pas një mbledhjeje të kryesisë nëpërmjet nënkryetarit të saj, Ekrem Kryeziu. "LDK-ja do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore nga partneriteti që dalin në nivelin qendror e që është me rëndësi parësore për funksionimin e institucioneve qendrore shtetërore të Republikës së Kosovës, Presidencës, Parlamentit dhe qeverisë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin", thuhet në deklaratën e LDK-së.

Përplasja

Deklarata e fundit e PDK-së pason qëndrimin e së njëjtës parti, vetëm 10 orë më parë, për mundësinë e, siç thuhet, "riformatizimit të koalicionit qeverisës në nivel qendror". Zyrtarë të lartë të PDK-së thanë se shkak për këtë qëndrim ishin "shkelja e marrëveshjes së koalicionit" nga ana e partnerit të saj, LDK-së. LDK-ja thotë se mbetet e përkushtuar për stabilitetin e vendit. "LDK-ja është parti e përgjegjshme dhe objektiv parësor ka stabilitetin e vendit," tha zoti Kryeziu.

"Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit i kanë dhënë një provë të fuqishme pjekurisë dhe demokracisë në Kosovë, në të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë kontribut madhor", tha ai. Megjithatë, zoti Kryeziu tha se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale LDK-ja "do të krijojë partneritet me partnerë të ndryshëm sipas specifikave të secilës komunë". Para dy netëve u përfol shumë për mundësinë e krijimit të një koalicioni të ri qeverisës ndërmjet PDK-së dhe Aleancës për Kosovën e Re (AKR) e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) pas qëndrimit të PDK-së për mundësinë e prishjes së koalicionit me LDK-në. Mirëpo edhe AKR-ja, edhe LDD-ja përjashtuan mundësinë e bisedimeve të mundshme të zhvilluara për koalicion qeverisës.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›