Prokuroria e Tiranës: Dy procedime për Taçin
Biznesmeni i hidrokarbureve, Rezart Taçi, ka dy procedime penale të hapura në Prokurorinë e Tiranës. Ai është marrë person nën hetim për privatizimin e kompanisë së përpunimit dhe tregtimit të naftës, ARMO, ndërsa kohët e fundit ka probleme me drejtësinë për goditjen ndaj gazetarit Mero Baze. Hetimi për privatizimin ka nisur në fund të korrikut të vitit 2008 dhe është përqendruar në verifikimin e të gjitha procedurave të shitjes kundrejt vlerës së 125 milionë dollarëve amerikanë. Sipas burimeve zyrtare nga Task-Forca, me shpalljen e fituesit të blerjes së 85% të aksioneve shtetërore në kompaninë ARMO, shoqëria që u rendit e dyta në shpalljen e fituesve ka bërë një kallëzim në prokurori, nën akuzën e "pabarazisë në tenderë", duke denoncuar mënyrën e përzgjedhjes së firmës fituese, procedurat e ndjekura nga kompania fituese, si dhe favorizimin që i kanë bërë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kompanisë fituese. Për këtë hetim, biznesmeni Rezart Taçi ka dhënë shpjegime në prokurori, para oficerëve të policisë gjyqësore. "Problemi" i dytë me drejtësinë në Tiranë për biznesmenin është ngjarja e 2 nëntorit të këtij viti, ku Taçi akuzohet se ka goditur gazetarin Mero Baze. Prokuroria ka filluar hetimet dhe ka kërkuar në gjykatë "arrest me burg". Për këtë ngjarje, Taçi ka qëndruar 15 ditë në burg dhe ka paguar një garanci pasurore prej 100 mijë eurosh për lirimin nga qelia e burgut 302 në Tiranë.