Zgjidhet ngërçi me CEZ, Naço: Borxhi 40mln i kthehet KESH

Vizita e Kryeministrit cek Petër Neças në vendin tonë duket se ka qenë një ogur i mirë dhe për zgjidhjen e ngërcit mes kompanisë çeke CEZ dhe Qeverisë shqiptare, si rezultat i borxheve. Këtë e ka konfirmuar ministri shqiptar i Energjitikës, Nasip Naço, i cili deklaroi se CEZ do të shlyejë të gjitha borxhet ndaj Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, në bazë të gjitha dispozitave ligjore të përcaktuara.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjve me CEZ do bëhet brenda kuadrit ligjor.CEZ do të shlyejë borxhin prej 40 mln euro si detyrim ndaj KESH dhe OST. Kompania ka marrë këtë vendim për shuarje të borxheve, borxh që do të shlyhet në ditët në vijim”- ka deklaruar Naco pas takimit me homologun çek.
Më herët gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të dy Kryeministrave, ai cek ka tërhequr vëmendjen për zgjidhje të mosmarrëveshjeve të CEZ me Qeverinë shqiptare.
“Jam siguruar nga Berisha që edhe pala shqiptare ka interes për bashkëpunim të suksesshëm me CEZ. Dimë që ka patur mosmarrëveshje dhe shpresojmë që do t`i zgjidhim ato. Problemi me CEZ dhe zgjidhja e situatës do të jetë një sinjal kyç edhe për Evropën, pasi CEZ është një 5 ndër kompanitë më të mëdha energjetike të Evropës. Berisha me siguroi se pala shqiptare do bëjë çmos që ta zgjidhë këtë”, tha ai.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha ka pranuar mosmarrëveshjet me kompaninë CEZ, ndërsa ka pohuar përpara homologut Necas se problemet do të zgjidhen.