E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zgjidhja e krizës është në dorë të palëve. Presidenti s’ka instrumente ligjore”

11/05/2010 Kryetari i shtetit reagon për situatën politike në vend

Konsensusi për ndryshimet kushtetuese shembull i mirë për kompromis

I pafuqishëm për të zgjidhur krizën politike mes mazhorancës dhe opozitës, pavarësisht vullnetit të tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka kërkuar palëve që të gjejnë gjuhën e kompromisit, siç bënë me ndryshimet kushtetuese më 21 prill të dy vjetve më parë. “Është vullneti i tyre për të instaluar dialogun, për të marrë vendime të rëndësishme dhe mos harroni që në harkun kohor dhe jo në retrospektivë të largët partitë politike shqiptare mund t’i referohem datës 21 prill 2008, kanë gjetur një konsensus që unë e kam përgëzuar, me votat e 115 deputetëve, kur kanë ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë. Atëherë kanë detyrimin të rikthehen, të marrin të gjitha vendimet”, - theksoi Topi, duke nënvizuar se gjithçka është në dorën e tyre. Kreu i shtetit ka konfirmuar se aktualisht nuk ka asnjë dialog institucional. “Ende nuk ka një dialog institucional që ka të bëjë me situatën politike në Shqipëri. Kjo po futet në një shtrat kronik, sepse u bënë muaj, muaj e muaj që kthehemi te dialogu, dalim nga dialogu. Ka një shprehje që ju duhet ta dini: ‘Për t’u marrë vesh, duhen dy palë. Për të bërë divorc, mjafton një palë.’ E thashë këtë se është domosdoshmëri kur të diskutojmë për dialogun, është domosdoshmëri që partitë politike, mazhoranca dhe opozita të ulen në tavolinën e dialogut. Problemi i formalizimit të tryezës është një problem sekondar. Kjo situatë duhet të mbyllet në mënyrën më korrekte të mundshme. Se si e mbyllin, janë partitë politike”, - vijoi kryetari i shtetit. Presidenti ka kujtuar se Shqipëria është republikë parlamentare dhe jo presidenciale, për të nënvizuar më pas se Presidenti nuk ka në dorë asnjë instrument ligjor që të detyrojë palët. Por ai ka kërkuar që pavarësisht kësaj palët të respektojnë institucionin e tij. “Unë kam predispozicionin konstant që kam pasur gjithmonë. Tryeza e Presidentit mund të riinstalohet në çdo kohë, por tryezë që të jetë me rezultate, jo tryeza për tryezë që të fillojë t’i bjerë dhe vlera. Pra, duhet të kemi respekt jo thjesht për individin, individi është pjesëtar i shoqërisë. Sot është President, nesër është një qytetar i thjeshtë i Shqipërisë, por duhet të kenë respekt për tryezën e Presidentit, për institucionin e Presidentit, për çdo institucion të Shqipërisë, në mënyrë që edhe bota të na ketë më në konsideratë”, - përfundoi ai. Presidenti i Republikës iu përgjigj interesimit të medieve lidhur me situatën politike në vend në përfundim të veprimtarisë së organizuar sot në Muzeun Historik Kombëtar, ku dekoroi (pas vdekjes) me urdhrin “Nderi i Kombit” Myzafer Pipën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën dhe Havzi Nelën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›