E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimet shëndetësore edhe për emigrantët në proces legalizimi

11/05/2010 Urdhri për spitalet të mos padisin klandestinët që paraqiten në urgjenca për ndihmën mjekësore

Emigrantët shqiptarë në Itali që janë në pritje të procedurave të legalizimit do të përfitojnë shërbimet mjekësore ashtu siç i përcakton paketa e sigurimeve shëndetësore. Kontributi financiar i derdhur për legalizimin e lejes së qëndrimit do të shërbejë edhe për mbulimin e shpenzimeve të asistencës shëndetësore. Ky rregull tashmë do të jetë i vlefshëm për të gjitha provincat e shtetit italian. Sipas këtij rregulli, kush pret të legalizohet, mund të regjistrohet edhe në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, pasi 500 eurot e paguara për paraqitjen e kërkesës së legalizimit përfshijnë edhe mbulimin e shpenzimeve të asistencës shëndetësore. Megjithatë, regjistrimi do të jetë i përkohshëm me një kohëzgjatje njëvjeçare. Ndërkohë do të përtërihet për gjithë kohëzgjatjen e lejes së qëndrimit, në rast se legalizimi i emigrantit përfundon pozitivisht. Pra, të gjithë kanë të drejtë të jenë të regjistruar në sigurimin shëndetësor përkohësisht, ndërsa me përfundimin e procedurës së legalizimit regjistrimi do të bëhet përfundimtar. Për këto raste u komunikohet organeve përkatëse të gjithë emrat e personave që do t’u hidhet poshtë kërkesa e legalizimit, të cilët më pas hiqen edhe nga lista e përfitimit të sigurimeve shëndetësore.

Klandestinët

Një tjetër ndryshim për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për emigrantët është edhe vendimi se “nuk ekziston detyrimi i sinjalizimit të veprës penale të klandestinitetit”. Në këtë mënyrë, as mjekët e as pjesa tjetër e personelit nuk mund të denoncojnë të huajt pa leje qëndrimi që hyjnë në një repart të ndihmës së shpejtë, në një spital apo tjetër strukturë të shërbimit shëndetësor kombëtar. Mosveprimi i mëparshëm i këtij rregulli ka bërë që shumë emigrantë për shkak të frikës së dëbimit të refuzonin marrjen e ndihmës mjekësore, duke shfaqur rrezik jo vetëm për veten e tyre, por edhe për komunitetin përreth ndaj sëmundjeve të ndryshme. Ekspertët italianë lidhur me këtë nismë kanë pohuar se tani nuk mund të ketë më mëdyshje në interpretimin e ligjit, të huajt me qëndrim të parregullt mund të shkojnë të kurohen pa pasur frikë. Është në të mirë të të gjithëve.

Taksa për lejen

Kërkesa për lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit i nënshtrohet derdhjes së një kontributi, shuma e të cilit duhet të jetë minimumi 80 euro deri në nivelin maksimal, që është 200 euro. Ndërsa të vetmet leje pa taksë do të vijojnë të mbeten ato për strehim politik apo për mbrojtje humanitare. Në ndryshimet e bëra gjithashtu parashikohet që emigrantët të nënshkruajnë “një marrëveshje integrimi” me pikëzim, që do të rritet apo ulet në varësi të qëndrimit dhe sjelljes së tyre. Përveç kësaj së bashku me kërkesën për lëshimin e lejes së qëndrimit apo ripërtëritjen e saj emigranti duhet të ketë derdhur detyrimisht edhe taksën përkatëse. Aplikuesit për marrjen e lejes që nuk do të mbushin pragun e pikëzimit do të humbasin të drejtën për marrjen e lejes së qëndrimit, çka do të sjellë rrjedhimisht dëbimin e tyre. Në procedurat e marrjes së lejes kërkohet edhe rregulli i kalimit me sukses të një testimi lidhur me njohjen e gjuhës italiane për ata që kërkojnë leje qëndrimi afatgjatë. Leja e qëndrimit do të jetë dokument i detyrueshëm për kryerjen edhe të një sërë veprimesh të tjera, siç janë derdhjet apo tranfertat e parave. Drejtuesit e këtyre agjencive duhet të fotokopjojnë lejen e qëndrimit të klientëve të tyre dhe të bëjnë sinjalizimin te policia për ata që nuk mbajnë leje qëndrimi. Personat që nuk kryejnë një veprim të tillë, rrezikojnë anulimin e licencës për ushtrim aktiviteti. Leja e qëndrimit do të kërkohet edhe për qasjen ndaj shërbimeve publike dhe për akte të gjendjes civile, me përjashtim të shërbimeve sanitare apo regjistrimit në shkollat e arsimit të detyrueshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›