E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e biznesmenit Familjarët: “Nuk kemi asnjë konflikt”

Autori i Lajmit: Redaksia

Personi i fundit që ka kontaktuar me biznesmenin e zhdukur prej 27 dhjetorit të vitit të shkuar, është djali i tij. 15-vjeçari është përshëndetur me të atin pasdite dhe më pas asnjë prej të afërmve të tij nuk ka mësuar asgjë mbi fatin e tij. Zhdukja e mistershme ka alarmuar familjarët, të cilët denoncuan në polici. Vëllai i biznesmenit ka pohuar dje se vëllai i tij nuk kishte konflikt me asnjë person. Arjan Bulku rezulton i humbur prej 9 ditësh, por ngjarja është e pashpjegueshme, ndërsa ka tronditur gjithë familjen. "Vëllai im nuk kishte konflikt me askënd. Ai ishte njeri i qetë dhe i qeshur e të gjithë e respektonin. Nuk gjej një arsye që dikush mund të kërkojë ti bëjë keq Arjanit",- është shprehur vëllai i Arjan Bulkut. Për zhdukjen e vëllait ai është vënë në dijeni nga nipi i tij 15-vjeçar, djali i madh i Arjanit. "Nuk dimë të ketë pasur ndonjë problem. Mësuam se ditën e zhdukjes nuk e ka takuar teknikun e televizorit, për te i cili ishte nisur, por as makinën e tij nuk e kemi parë më nga ajo ditë",- thotë vëllai i pronarit të lokalit te "21 Dhjetori". Besnik Bulku tregon se rreth orës 18:20 më bëri një telefonatë, por unë nuk ia hapa duke menduar se po vinte te lokali ku mblidheshim për të luajtur domino, por më pas telefoni i tij ka dalë i fikur dhe vazhdon të jetë i fikur”,- pohoi vëllai.
Dëshmitë
Nga dëshmitë e marra, Arjani, para se të zhdukje, pak pasi kishte dalë nga shtëpia, ishte ndalur për disa minuta në lokalin e tij dhe mandej kishte vazhduar rrugën me makinë për të mos u parë më nga askush. Ndërkohë celulari i tij që në ato momente ka rezultuar i fikur dhe familjarët pohuan se asnjë mundësi tjetër nuk kishin se ku të gjenin të afërmin e tyre. Familja thekson se Arjani nuk dihej të kishte probleme me askënd, kurse policia tha se po bën kërkime të vazhdueshme dhe po heton në disa pista, por duke mos dhënë detaje të mëtejshme.
Zhdukja
Një biznesmen në kryeqytet rezulton të jetë zhdukur prej të paktën tetë ditësh dhe asgjë nuk dihet për vendndodhjen e tij, ndërkohë që familja i është drejtuar për ndihmë policisë, duke iu frikësuar enigmës së pazbardhur. Arjan Bulku, 39 vjeç, pronar i një lokali në Tiranë, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, me banim në Tiranë, rezulton të jetë i zhdukur që prej datës 27 dhjetor 2009.
Hetimet
Burime në sektorin e krimit kundër personit të Policisë së Tiranës, bënë të ditur se Arjan Bulku, për herë të fundit, është parë duke dalë nga shtëpia e tij pranë qytetit të nxënësve në Tiranë. Familjarët e Bulkut i thanë policisë se Arjani është larguar pasditen e së dielës, rreth orës 17.30, duke u thënë se do të shkonte tek një teknik për të rregulluar televizorin dhe pastaj nuk ishte kthyer më. Arjan Bulku ka lëvizur me makinën e tij, një veturë e markës “Volksvagen”, me ngjyrë të verdhë me targa, TR 1947 S. Policia ka marrë deklarime edhe nga disa banorë të lagjes ku ndodhet familja e Arjan Bulkut, të cilët janë shprehur se nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm të tij. Të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe familjarët e biznesmenit. Policia tha se nga momenti kur është denoncuar i humbur e deri mbrëmë, nuk ka të dhëna për vendndodhjen e 39-vjeçarit, madje gjatë kontrolleve që janë kryer në terren, nuk është gjetur as automjeti i tij.

Ky lajm është publikuar: 06/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›