E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhjet e vështira që Peruja të mos kthehet tek diktatura fuxhimoriste

28-04-2011 / Nga Mario Vargas Llosa (El Pais)

Kur të tre kandidatët që përfaqësojnë ruajtjen e sistemit demokratik dhe liberal u shkoklafitën me njeri-tjetrin, siç ndodhi me zgjedhjet e fundit peruane – e kam fjalën për Luis Castañeda-n, Alejandro Toledo-n e Pedro Pablo Kuczynski-n – përfundimi ishte i paraparë: Të tre kandidatët rrënuan njeri-tjetrin dhe i hapën udhë për në raundin e dytë zgjedhor dy kandidatëve, që secili në skajet përkatëse, përbëjnë kërcënim të mundshëm për mbijetesën e demokracisë dhe përparimin ekonomik, që, qysh prej 10 vitesh, e ka shndërruar Perunë në vendin që bën përpara me ritmet më të shpejta në të tërë Amerikën Latine. Poeti César Moro nuk e tepron edhe aq kur shkruan: “Kudo piqen bathët, por në Peru vetëm bathët piqen”.
Epo, nuk do vrasim veten, ngaqë vetëvrasja nuk i zgjidh problemet për ata që mbeten gjallë, në atë mënyrë, që tani, më pak se gjysma e peruanëve duhet të zgjedhin mes dy mundësive që u kanë mbetur: Ollanta Humala dhe Keiko Fujimori. Disa prej miqve të mi e kanë ndarë mendjen ta zhvleftësojnë votën, duke shprehur mospajtimin e tyre për të dyja kandidaturat e mbetura në garë. Ky është një vendim i respektueshëm në rrafshin vetiak e moral, por që është i pafrytshëm në kuptimin kolektiv e praktik. Të mos votosh është njëlloj sikur të votosh për atë që fiton, duke hequr dorë nga kryerja e një veprimi – edhe pse është aq i pakët sa ç’përfaqëson një votë e vetme – për t’ia pamundësuar rezultatin. Besoj se është më e pëlqyeshme të përzgjedhësh, duke kryer një përpjekje racionale dhe duke pranuar tezat e kompromisit sartrian, sipas të cilave ka gjithmonë një mundësi të parapëlqyer krahasuar me tjetrën, ndonëse mundësitë përngjasuese të përzgjedhjes mbartin rrezikun e pashmangshëm dhe mundësinë e gabimit.
Nuk kam pikë dyshimi se zgjedhja e Keiko Fujimorit si presidente e Perusë do të përbënte gabimin më të rëndë që mund të kryente populli peruan. Kjo është njëlloj si të legjitimosh diktaturën më të keqe që kemi pësuar që në hershmërinë e historisë sonë republikane. Alberto Fujimori nuk ishte vetëm një qeveritar vrasës e grabitës, siç e vlerësoi edhe gjykata që në një proces model e dënoi me 25 vite burg, (Sipas prokurorisë, janë riatdhesuar 184 milionë dollarë prej të paktën 6.000 të tillëve që u grabitën gjatë regjimit të tij nga arkat publike). Për më tepër, ai ishte edhe tradhtar i ligjshmërisë kushtetuese të zgjedhjeve legjitime që i dhanë fund së shkuarës, çka mundësoi mbërritjen e demokracisë në Peru, në 5 prill të vitit 1992. Keiko Fujimori ka shfajësuar këto fakte turpëruese dhe rreth e qark vetes ka mbledhur bashkëpunëtorët e diktaturës. Siç e kanë nxjerrë në pah edhe mediat e komunikimit, vetë ish-diktatori është koordinatori kryesor i fushatës zgjedhore të bijës së tij, që nga mjediset e burgut të tij të praruar.
Populli peruan nuk mund të ketë harruar se çfarë kuptimi kanë këto tete vite në të cilat Fujimori dhe Vladimiro Montesinos shpërdoruan sistematikisht të ardhurat publike, korrupsioni pati shtrirje në të gjitha mekanizmat dhe institucionet e pushtetit në një klimë pandëshkueshmërie; trafiqet e armëve, të drogës, mënyra se si politikanët, sipërmarrësit, drejtuesit e kanaleve televizive iu shitën diktaturës përmes “bursës” dhe tufës së “bankënotave”, skenat e skandaleve që kanë mbetur të regjistruara në video, ku vetë Montesino, mbante të regjistruara skandale që padyshim i nevojiteshin për të ushtruar trysni ndaj bashkëpunëtorëve (bashkëfajtorëve) të tij.
Aq më tepër nuk mund të shqiten nga kujtesa krimet e panumërta, zhdukjet e njerëzve, torturat, ekzekutimet e jashtëligjshme dhe të gjitha llojet e dhunimit të të drejtave njerëzore të bujqve, studentëve, sindikalistëve, gazetarëve që mbulonin kronikat e atyre viteve të tmerrshme, ndaj të cilave populli peruan ngriti krye në fundin e viteve 90-të, kur, përmes mobilizimit të kryer nga marshimi i “Los Quatros Suyos”, u kurorëzua më përmbysjen e diktaturës dhe rikthimin e lirisë në vend. Nuk besoj se është e mundur që këto vite të jenë fshirë nga kujtesa e peruanëve, të asaj historie të turpshme,  e që shumica e zgjedhësve peruanë të vendosin përmes votës që të hapen burgjet dhe dhjetra grabitës e kriminelë të diktaturës të rimarrin pushtetin. Gjithçka e denjë që i ka mbetur Perusë u dashka  penguar, për të rikthyer të shkuarën, çka do të përbënte diçka të padenjë për vendin tonë.
Të votosh për Ollanta Humala-n mbart në vetvete një rrezik për të gjithë ata që mbrojnë kulturën e lirisë. Për këtë jam i bindur. Simpatia e saj në të shkuarën për politikat shkatërrimtare të gjeneralit Velasco dhe diktatorit venezuelian Hugo Chávez, justifikojnë dyshimin se ardhja e saj në pushtet mund të nënkuptonte dhe një hov shtetëzimesh që do të fundosnin ekonominë  e vendit dhe do të largonin sipërmarrësit dhe investitorët, që gjatë këtyre dhjetë viteve, kanë dhënë kontributin e tyre të pamohueshëm dhe kanë ndikuar në rritjen e dukshme të ekonomisë së vendit, krijimin e mijëra vendeve të punës, zbutjen e varfërisë nga më shumë se 50%, në 33% të popullatës së aftë për punë, si dhe kanë krijuar një imazh të mbarë të Perusë në botë. Ndërkaq, është e kuptueshme edhe droja se simpatitë e vjetra mund ta tërheqin qeverinë e vendit për të fshirë edhe nje herë në radhë nga faqja e historisë sonë lirinë e shtypit.
Sigurisht, është e vërtetë që në këtë fushatë zgjedhore Ollanta Humala ka moderuar në mënyrë të dukshme mesazhin e tij politik, duke ofruar siguri se është ndarë nga modeli autoritarist çavist dhe është identifikuar me modelin e brazilianit de Lula. Aq me tepër kur në krah  në këtë fushatë ka ndihmës brazilianë të afërt me "Partido de los Trabajadores". Tashmë ka ofruar siguri së do të respektojë pronën private, që nuk do t’u drejtohet shtetëzimeve, që nuk do të cënojë pavarësinë e shtypit të lirë, madje as edhe ndërhyrjen e kapitalit të huaj, dhe që është i gatshëm të heqë dorë nga ideja e Asamblesë Kushtetuese, që ashtu siç veproi edhe Hugo Chávez në Venezulë, do të shmangte Kushtetutën aktuale që ndalon rizgjedhjen presidenciale. A janë vallë këto bindjet e natyrshme të dikujt që ka evoluar ideologjikisht nga pozicionet ekstremiste kah qendrimet demokratikë të së majtës latino-amerikane që mishërojnë Ricardo Lagos-in në Kili, José Mujica-n në Uruguaj, Lula-n apo Dilma Roussef-in në Brazil, apo Mauricio Funes-in në El Salvador? Apo është thjesht një qasje taktike për të fituar zgjedhjet tashmë që Ollanta Humala e di mirë se mund fitojë në këtë tur të dytë të zgjedhjeve vetëm nëse shtresat e mesme peruane do të votonin për të? Jam i mendimit se përgjigjia e kësaj pyetjeje që i bëjnë vetes ditëve të sotme shumë peruanë që votuan në turin e parë për Castañeda-n, Toledo-n dhe Kuczynski-n, nuk varet shumë nga qëllimet e fshehta që mund të ketë kandidati në thellësi të ndërgjegjes së tij, por tek vetë zgjedhësit që vendosin ta mbështesin apo edhe nga mënyrat se si e kryejnë atë.
Kjo mbështetje nuk mund të jetë një “heqje dorë”, por një mbështetje ngulmuese dhe kritike, gjer në çastin që Ollanta Humala të na ofrojë prova të besueshme të identifikimit me demokracinë, me një politike ekonomike të tregut, pa të cilat Peruja do të hynte në një krizë e varfëri që do të shkaktonin dështimin e të gjitha programeve të shpërndarjes së pasurisë dhe luftës ndaj varfërisë, që gjenden në planin qeveritar të “Gana Peru”-së. Me qëllim që këto programe të përmbushen me sukses, është e domosdoshme që Peruja të vijojë të përparojë siç ka vepruar këto vitet e fundit, ngaqë po nuk pati pasuri(m), nuk ke edhe çfarë të shpërndash. Këtë e kanë kuptuar mirë socialistët kilianë, brazilianë, uruguajanë e salvadorianë, që edhe pse vijojnë të quhen socialistë, kanë zbatuar apo zbatojnë në qeverisjet e tyre politika socialdemokrate (nuk po them liberale për të mos tromaksur ndokënd, por edhe nëse e përdorja këtë fjalë, nuk do të gënjeja). Nëse Ollanta Humala do t’i përmbahet këtij drejtimi që duket se e ka kuptuar, demokracia peruane do të mbetej shëndosh e mirë dhe do të vazhdonte përparimi ekonomik, shoqëruar kjo edhe me një politikë të mençur sociale që do t’u rikthente besimin tek sistemi edhe atyre që,  duke u ndjerë të mënjanuar e të trishtuar nga një zhvillim që nuk e prekin me dorë, anojnë nga alternativat ekstremiste.
Ndërkohë që po shkruaj këto artikull, një pjesë e mirë e votuesve të partisë së Alejandro Toledos (Perú Posible) duket se priren për t’i dhënë mbështetje ngulmuese dhe kritike kandidatit Ollanta Humala që unë propozoj. Mbetem me shpresë se edhe partitë e tjera demokratike të Perusë, si “Acción Popular”, “Partido Popular Cristiano” dhe “APRA", ashtu si edhe mjaft të pavarur, të luftojnë me kurajo diktaturën fuxhimoriste dhe të japin kontributin e tyre për ta mposhtur, për të shmangur rikthimin e një regjimi që zhvlerëson politikën dhe mbjell dhunë, krim e vuajtje në vendin tonë, si dhe për t’u siguruar që mbërritja e Ollanta Humala-s në pushtet nuk do të rrënonte, por do të fuqizonte demokracinë peruane që është përmirësuar dukshëm qysh prej dhjetë vitesh.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›