Shërbestari i fundit i komunizmit
E lexova jo me dëshirë shkrimin e fundit të Rexhep Qosjes në Gazetën shqiptare, dt 26. 04. 2011. Dhe ka kohë që nuk e lexoj Qosen. Ky gjasme akademik ka shkrime aq të gjata, aq bajate, aq të politizuara, sa të nxjerr mallin e shkrimeve të dikurshme në gazetën Bashkimi a në Rrugën e Partisë dhe të merr kohën, që është më e çmuara nga të gjitha. Malum akademiku ynë si ajo llamarina e shpuar bën më shumë zallahi e zhurmë, se sa një mulli i vjetër, që, edhe pse i vjetër, prapë e bluan ndonjë kokërr grurë. Akademiku ka kohë që bërbëlit e të lag me pështymë, më parë se ta hapë gojën, qoftë dhe për të marrë frymë. Me kësi dërdëllitjesh ndot inteligjencën dhe e bën të përçmuar mjeshtërinë e shkrimit, akademikllëkun e katandis për mëshirë.
Në këtë shkrim të fundit zbulohen përfundimisht dilemat rreth ligësisë së tij. Deri dje helmësinë e shkrimeve të Qoses e kemi shpjeguar me nevojën për para a me frustrimet që i vijnë prej politikës. Paskemi gabuar. Ligësia e Qoses është ligësi e komunizmit, ligësi e pashterur, e paepur, e llogaritur, e hekurt. Ligësia e krimit që bëhet hapur, në dritë të diellit. Shkrimi i Rexhep Qoses, botuar në Gazetën shqiptare, datë 26 prill 2011, “Sali Berisha, një ndër skenaristët e gjenocidit”, kundërshton idenë e hapjes së një Pavioni të Gjenocidit në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë. Shkrimi është kontradiktor në idenë se, edhe nëse ka pasur gjenocid në Shqipërinë komuniste, ashtu si edhe në historinë politike të komunizmit në shumë vende të Europës Lindore, pse Shqipëria bën marrëzinë t’i shpallë krimet ndaj vetes, kur vendet e tjera, me histori të ngjashme, nuk kanë hapur pavione për gjenocidin komunist në Muzeumet e tyre.
Jo vetëm kaq. Në historinë e shumë popujve, edhe nëse ka patur gjenocid p.sh. të francezëve kundër vetë francezëve, apo të gjermanëve kundër vetë gjermanëve, këta popuj duke qenë të mençur, nuk i pasqyrojnë në muze këto të zeza të historisë së tyre. Këto vende, sipas autorit, nuk e turpërojnë veten, moralin kombëtar, etikën kombëtare etj etj... Pse shqiptarët gjenocidin e ushtruar kundër vetvetes, këtë turp e faqe të zezë, nuk e mbulojnë, si të tjerët, po fyejnë nderin e ndërgjegjen e tyre kombëtare duke e shpallur?
Deri këtu autori duket se i do të mirën, i do nderin dhe dinjitetin Shqipërisë dhe sjell një argument për të mbrojtur idenë e tij që të këqijat që i kemi bërë vetes me dorën tonë, të mos i shpallim, t’i mbulojmë. Kjo mendësi ha debat, por po e lëmë me kaq. Në këto vite shqiptarë e të huaj kanë derdhur llumin e bojës nëpër libra e gazeta kundër vetes, historisë, figurave kombëtare, gjuhës shqipe etj. dhe akademiku, që ka heshtur kundër tyre, më së fundi, duket se ka mendimin që të mos t’ia nxjerrin bojën vetes në sy të botës. Kjo nuk është këshillë fort e keqe. Ky akademik u zgjua dhe ia dashka të mirën Shqipërisë. Aferim! Ku është qëndrimi kontradiktor, që shënuam më lart? Qëndrimi kontradiktor është se autori në pjesën e parë të shkrimit nuk e pranon që në Shqipërinë komuniste ka pasur gjenocid, ndërsa në pjesën që dhamë më lart, na thotë që edhe në ka pasur duhet të tregohemi të mençur e dinjitozë duke e mbuluar.
Pyetja shtrohet: ka pasur gjenocid në Shqipërinë komuniste a nuk ka pasur? Dhe, nëse ka pasur, pse duhet ta fshehim, për të mbrojtur nderin e Shqipërisë, apo të historisë komuniste të Shqipërisë? Pra, autori i do të mirën Shqipërisë, apo i do të mirën atyre që bënë gjenocid e nuk do t’u nxjerrim bojën komunistëve të Shqipërisë? Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, po u drejtohemi argumenteve që sjell autori në mbrojtje të idesë së tij se në komunizëm nuk ka pasur gjenocid. Vini re: më sipër na thotë, që dhe në ka pasur duhet ta fshehim. Sa të mençur e të sofistikuar janë këta akademikët! Po vallë janë të tillë? Këta që flasin për nder e dinjitet, vallë janë të ndershëm me vetveten, pa le me ne të tjerët? Ky akademik për mua është hileqar dhe fare i pandershëm.
Pse është i tillë? Se pasi, na thotë që nuk ka pasur gjenocid në Shqipërinë komuniste, dhe pasi shton, se, edhe në ka pasur gjenocid, atë duhet ta fshehim, autori del me tezën se në Shqipëri historikisht ka pasur dhunë shtetërore: edhe në Shqipërinë e Zogut, edhe në Shqipërinë e Enverit, edhe në Shqipërinë e Berishës. Shkurt me këtë sintezë historike ky akademik i vë vulën e zezë gjithë historisë së Shqipërisë. Dhe nuk mjaftohet me kaq. Vë shenjën e barazisë për cilësinë e sasinë e krimeve të monarkisë, komunizmit dhe demokracisë. Në një pasazh të shkrimit autori na thotë se i ka hequr syzat. Vërtet i ka hequr. Me këtë shkrim, sado lakadredhas, ka dalë shkoqur në mbrojtje të komunizmit e të enverizmit. I ka zbuluar rrënjët nga i burojnë rrjedhat e helmit e të ligësisë. Mirë. Le të jetë enverist. Kjo është puna e tij. Por meqë do të jetë apologjet i komunizmit enverist, pse deformon historinë e me artikuj të stërgjatë të stilit e të manierizmit bizantin komunist? Dhe pse kësisoj do të na mbushë mendjen se është për mbrojtjen e nderit e të dinjitetit të Shqipërisë? Qosja me këtë heqje të syzave, është vënë vetëm në mbrojtje të nderit komunist. Por jo hapur. Si vogël, ashtu i spërdredhur, tinëzisht. Pa dinjitet shkencor.
Tani të vijmë te çështja a ka pasur në Shqipërinë komuniste gjenocid? Kjo është pranuar si nëpër dhembë edhe nga vetë eksponentët komunistë ende të gjallë. Ne e kemi tepruar me luftën e klasave, ka thënë Ramiz Alia. Kësaj i thonë në gjuhën e popullit “i zoti e shet, tellalli nuk e jep”. Kush është tellalli i komunizmit, ai që nuk e shet edhe sot komunizmin? Qosja. Ai bën pyetjen: a ka pasur në Shqipërinë komuniste program politik dhe shtetëror e politik për zhdukjen e pjesëtarëve të ndonjë shtrese shoqërore? Ne i përgjigjemi: po ka pasur. Me programe partiake, fjalime në Kongrese e Plenume partie ka qenë vijë politike e pandryshuar lufta e klasave të përmbysura. Me urdhra partiakë pronarët u shpallën armiq të popullit, u sekuestruan, u shpronësuan, u flakën në rrugë. Në fazën e dytë u burgosën, u internuan, u pushkatuan. Ka pasur një platformë të Sigurimit të shtetit, të aprovuar në forumet më të larta të partisë-shtet për përndjekje e sistematike deri në asgjësim të ish-klasave të përmbysura, armiq e kulakë. Përndjekja u shtri në tre breza. Për të mos u zgjatur me shifra e me statistika po jap shkurt historinë e familjes sime. Unë jam nga familja Karbunara. Një paraardhës imi ka firmën në dokumentin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Më 1920, gjyshi im, Ibrahim Karbunara, e bëri shtëpinë strehë të Kongresit të Lushnjes. Deputet më 1920 deri më 1924, kur si fanolist, mërgoi nga Shqipëria me rikthimin e Zogut. Luftëtar antifashist me Frontin nacionalçlirimtar. Enveri e qeveria e tij në rrugën nga Berati në Tiranë buajtën në shtëpinë tonë. Prapë deputet gjyshi im deri kur atë, Ibrahim Karbunarën, e pushkatuan me “grupin e deputetëve” se kërkuan demokraci më 1947. Shtetëzim, sekuestrim, internim familjarisht. Pushkatim i babait tim dhe i xhaxhait tim. Burgosje e vëllait tim. Mua më ndaluan të shkruaj poezi. Më çuan të punoj në gurore. Gruas sime i pushkatuan vëllanë më 1972. Ky fat do t‘i priste dhe fëmijët e mi, po të mos kishte ardhur viti 1991. Fati i familjes sime ishte fati i mijëra familjeve të tjera shqiptare që kishin një emër, pasuri dhe themele të shqiptarësisë në gjakun e tyre.
Por tellalli komunist Qose thotë se në Shqipërinë komuniste burgoseshin ata që shkelnin ligjin, në Shqipërinë komuniste kishte punë për të gjithë. Pra ishte parajsa. Rrallë gjen njerëz me mend në kokë në këtë botën e sotme për një të tillë apologji të komunizmit. Edhe më të rrallë duhet të jenë njerëzit që me kaq cinizëm guxojnë e na fyejnë përsëri duke na bërë apologji për ata që në Shqipërinë e sotme janë shpallur, së paku moralisht si xhelatë të popullit shqiptar. Gazeta ku është botuar ky shkrimi yt mbase e ka harruar që ka botuar një listë të xhelatëve që bënë gjenocidin komunist në Shqipëri.
Shumë mirë, shoku Qose, hiqi syzet. Shfaqu me cinizmin tënd të hapur, pa hipokrizi.