Zgjimi i nacionalizmit

Frika e një revolucioni nacionalist ka pushtuar Turqinë pas ngjarjeve të javës që shkoi, i cili tregoi rritjen e ndjenjave radikale të muajve të fundit. Gjatë një operacioni të jashtëzakonshëm që çoi në arrestimin e 21 personave që dyshohen të kenë lidhje me “Ergenekon”, një grupim i rrezikshëm nacionalist, policia zbuloi dokumente që tregonin mbi planet për një fushatë të vërtetë terrori dhe frike kundër qeverisë turke, gati për të nisur këtë javë. Sipas autoriteteve turke, grupi në fjalë kishte planifikuar një stuhi perfekte rrëmujash, duke filluar me protestat popullore, të ndjekura nga një valë vrasjesh dhe bombardimesh, për të kulminuar në një krizë ekonomike dhe një komplot ushtarak. Sipas këtij plani, qeveria moderatore islamike e Turqisë do të përmbysej, për t’u zëvendësuar me një diktaturë laike djathtiste. Dokumentet e zbuluara nga policia identifikojnë një togë vrasëse prej 30 anëtarësh, që kishte vënë si objektiva gjykatës dhe figura të tjera të rëndësishme të vendit. Episodi përbën traumën më të fundit që tronditi politikën turke, pas vendimit të kryeprokurorit të vendit për të hedhur në gjyq partinë në pushtet, AKP-në. Ndërsa kryhej operacioni, kjo parti e udhëhequr nga kryeministri turk, Taip Erdogan, dhe presidenti Abdullah Gul, po mbrohej në gjykatë nga akuzat se po përpiqet të transformojë Turqinë në një shtet islamik. Nëse AKP-ja dështon të bindë gjykatësit për pafajësinë e saj, 71 figura drejtuese të partisë, përfshirë këtu Erdogan dhe Gul, rrezikojnë të dëbohen nga politika për 5 vjet. Kështu, demokracia turke duket e rrezikuar nga një betejë për pushtet mes një kaste laike dhe klasës së mesme konservatore dhe fetare. Sipas disa analistëve turq, nacionalistët më fanatikë janë të vendosur të rrëzojnë partinë në pushtet, që pavarësisht origjinës së saj islamike është properëndimore.
Grupi “Ergenekon” ka marrë emrin pas një mali legjendar në Azi, ku turqit antikë thuhet se u strehuan për t’u shpëtuar mongolëve. Mes persona të arrestuar të shtunën në 4 qytete të vendit, ishin edhe dy gjeneralë të sapodalë në pension të ushtrisë turke, Hursit Tolon dhe Sener Eruygur. Ky i fundit, ish-komandanti i Xhandarmërisë Paraushtarake për Sigurinë e Brendshme, është gjithashtu kreu i shoqatës “Mendimi Qemalist”, dedikuar idealeve të Ataturkut për një shtet modern. Besohet se ai ka luajtur një rol kyç në dy komplotet e mëparshme që dështuan në përmbysjen e AKP-së, e rizgjedhur pas një fitoreje masive korrikun e kaluar. Avokatë nacionalistë, gazetarë të njohur laikë, politikanë të djathtë e madje edhe krerë të mafies u arrestuan gjatë operacionit. Duke pasur parasysh lojën konspiratore në të cilën është shndërruar politika turke, ka nga ata që thonë se çështja “Ergenekon” do të përdoret nga qeveria si një kundërpeshë për të siguruar mbijetesën e AKP-së.