E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhaku, rikthehet në ekran me Zhow-Show

SHKRUAN: Ilda Lumani 26-02-2011 11:24

Të gjitha sipërmarrjet e saj kanë një frymëmarrje krejt ndryshe. E ka dëshmuar mjaft herë, e veçanërisht në një nga emisionet më të suksesshme të viteve të fundit në ekranet shqiptare, “Metropolitan”. Por tashmë premton se do të sjellë punën e saj më të mirë! Inida Gjata, Zhaku, do të vijë këtë fillim marsi në ekranin e platformës Digitale, “T”, me satirën televizive “Zhow-Show”. Një format ku do të ekspozohen dhe gërshetohen fenomenet e jetës aktuale, që nga personazhet jo realë, e deri tek alienët. Fantazia e Zhakut, që vjen si autore, regjisore skenike, prezantuese dhe aktore, këtë herë meriton notën 10, ndërsa për sa i përket jetës personale, ajo ka vendosur të zbulohet paksa…

Zhaku, pas një mungese disa vjeçare rikthehesh sërish në ekran. Cili është emocioni që ndjeni?

Shumë e emocionuar! Kisha shumë kohë që akumuloja figura dhe forma të reja të përkthimit të ideve që kisha në mendje, por edhe eksperiencat që kam fituar gjatë kësaj kohe. Ky program është më i miri nga gjithçka që kam bërë deri tani. Nuk mund të ishte ndryshe. Çdo gjë është menduar mirë dhe realizohet nga unë, si regjisore skenike, autore, prezantuese dhe aktore e disa roleve.

Çfarë formati është dhe si e keni konceptuar?

Është një satirë televizive. Është e gjitha satirë dhe është ndërtuar për të qenë e tillë, nga fillimi në fund. Titullohet “Zhow-Show”. Zhow, është një gabim ortografik i show, por edhe për ta lidhur pak edhe me emrin tim, Zhaku. Bën fjalë për një televizor, i cili mbasi ezauron gjithçka që prodhojnë gjithë kanalet televizive. Ky televizor mbasi kontrollohet nga një teleshikues, i dëgjohet gjithmonë vetëm zëri dhe kalohen gjithë kanalet dhe befas ndodhet një ekran i errët, prej nga ku del një zhurmë buklthi dhe teleshikuesi thellohet aty brenda. Aty fillon të komunikojë me këtë ekran dhe nis të pyes nëse ka një njeri aty. Këtu shfaqen dy personazhe, Xheni, një vajzë e cila ecën në një pasarelë e veshur me një fustan balloje dhe i duket vetja si një superstar i vërtetë edhe pse në jetën reale nuk është askush, dhe Gjergji i cili është një lac, që gjithashtu bën si shumë i famshëm. Ai mund të ketë pak më shumë vizibilitet pasi ka dalë në një reklamë televizive.

Këta janë personazhe real, apo grimca jetësore të mbledhura sa tek njëri - tek tjetri?

Janë personazhe që kanë disa elementë nga disa njerëz, sepse në këtë realitet ku jetojmë shohim njerëz që në mënyrë të pavetëdijshme janë të pangjashëm me njëri-tjetrin dhe në mënyrë të vetëdijshme janë të gjithë uniform. Xheni dhe Gjergji takohen rastësisht, ndeshen dhe vendosin të shohin televizor. Ndezin televizorin dhe shfaqet befas një grua plakë. Është një paradizim i skulpturës së Nënës Shqipëri, monumenti që gjendet në Varrezat e Dëshmorëve. Nëna Shqipëri ka një problem shumë të madh, që mbasi ka pjellë 2000 vjet shqiptarë, të cilët i ka shpërndarë nëpër botë, të cilët e kanë zhvatur mirë e mirë, e kanë futur edhe në borxhe, vuan nga mungesa e vëmendjes së tyre dhe e kanë lënë të braktisur, ashtu në harresë totale, të mbytet nga pluhuri, të nxihet e tëra dhe të gjejë forma alternative për të jetuar. Dhe Nëna kështu ka bërë, ka pjellë një tjetër njeri që ta shpëtojë nga borxhet dhe kjo është një balerinë serbe. Këta fillojnë e komunikojnë me nënën, ja shohin balerinën, por ngaqë nuk ju pëlqen ndryshojnë kanalin dhe shfaqet një bisedë serioze mes meje dhe Adi Krastës.

Që do të jetë i përhershëm në emision?

Jo, do të jetë çdo javë një personazh i ndryshëm. Biseda me Adin ka të bëjë më shumë me jetën e tij, ku Adi shpjegon gjërat në realitetin në të cilin jeton dhe në realitetin të cilin ai e krijon vetë për të tjerët. Më pas shfaqet një polic trafiku, i cili pasi qeveria ka propozuar në parlament që të krijohet një ligj i ri, që televizioni të shpallet një mjet më i rrezikshëm se makinat për njerëzit. Meqë televizori të “fut trutë e gomarit” ka vendosur që çdo qytetar i përgjegjshëm duhet të shohë patjetër çdo 15 minuta në ditë lajme politike. Nëse polici kap qytetarë që nuk e bëjnë këtë, i gjobit.

Duket si një film me disa pjesë…

Nuk ka mbaruar ende. Mbasi mbaron skena me policin, vjen një alien nga planeti X. Ai ka një problem shumë të madh, se ka ngelur vetëm në planetin e tij, pasi 20 vitet e fundit që kur Shqiptarët u bënë me radio dhe me televizion, të gjitha frekuencat radio televizive i hynin në trup atyre dhe ata filluan të transmetojnë lajme gjatë gjithë kohës. E vetmja mënyrë për të shpëtuar, ishte ajo që të gjithë të braktisnin planetin. E braktisën të gjithë dhe ka ngelur vetëm njëri që dëshiron të bëhet Kryeministër. Ky kërkon njerëz nga Shqipëria për t’i çuar atje. Ju premton toka, shtëpi, para, të gjitha për t’i tërhequr në planetin e tij. Çdo javë këta personazhe do të krijojnë situatat e tyre, komunikojnë me televizorin, me shikuesit dhe me njëri-tjetrin.

Po nisni një show, duke lënë impenjimin tuaj të fundit, si menaxhere e lokalit

Haraxhuku është një lokal i veçantë në vetvete, për atë që mund t’i ofrojë jetës së kryeqytetit, por që fatkeqësisht do të mbyllet. Ishte një iniciativë që mu propozua nga të tjerë. Unë në atë moment nuk kisha ndonjë impenjim dhe bashkë me një shokun tim vendosëm që ta marrim përsipër, ta shohim dhe ta provojmë. Është i veçantë në fakt dhe ka prodhuar kuriozitet, por është shumë impenjativ. Është si një burg që të mban gjithë ditën lidhur dhe që nuk është për mua. Ndërkohë që unë jam njeri që nuk jetoj dot pa liri!

Përmendët shokun tuaj, me të cilin morët këtë iniciativë… por që në fakt nuk është vetëm shoku juaj..

Po, është edhe i dashuri im. Me të cilin jam shumë mirë. E dua shumë. Është pjesë e jetës sime.

Ka kohë që ka nisur kjo histori?

Kam një vit pothuajse. Nuk ka lidhje fare me fushën e punës sime, por është një njeri shumë i talentuar dhe është shumë artist dhe në perceptim dhe në stil.

Gjëja që ju lidh më shumë së bashku?

Mënyra sesi i shohim gjërat, i kemi të përafërta, pra sistemin nervor qendror (qesh).

Bashkëjetoni së bashku?

Jo nuk bashkëjetojmë dhe ky fakt na e bën më interesante marrëdhënien. Nuk kemi ndonjë hap konkret më tej, është pjesë e jetës sime dhe do të vazhdojë në rrjedhën që do të marrë jeta!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›