Albtelekom abuzon në treg, Autoriteti i Konkurrencës nuk kryen inspektime
Kufizimi i prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik dhe zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence janë pikat kryesore ku niset Autoriteti i Konkurrencës për
të kryer inspektime në lidhje me shkeljen e konkurrueshmërisë. Kompania Albtelekom ka shkelur këto pika duke abuzuar jo vetëm me operatorët e të njëjtit profil por edhe me konsumatorët, por deri tani Autoriteti i Konkurrencës nuk ka nisur asnjë hetim. Sipas legjislacionit mbi të cilin funksion Autoriteti i Konkurrencës cilësohet si abuzim vendosja në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta blerjeje ose shitjeje, ose e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit, edhe kjo pikë e shkelur nga kompania monopol e shpërndarjes së internetit me shumicë në vend, Albtelekom. Një tjetër pikë e shkelur nga kompania është edhe lidhja e kontratave, me kusht që palët e tjera kontraktuese të pranojnë detyrime shtesë, pasi është e vetmja kompani në treg që shpërndan internet për ISP-të e tjera të operojnë në tregun shqiptar.
Konsumatorët
Abonentët e kompanisë Albtelekom, vijojnë të jenë abonentë të kësaj kompanie vetëm për hir të kostos së instalimit. Ato pohojnë se nuk po shkëpusin internetin pasi kanë shpenzuar për ta pasur atë. Edhe pse përplasen me neglizhencën e inxhinierëve e teknikëve për të riparuar problemet në rrjet. Ato pohojnë se nga një muaj që paguajnë në 10 ditë të tij nuk kanë fare sinjal. Madje qytetarët pretendojnë se interneti është shumë i dobët dhe asnjëherë në sasinë e paguar dhe të parashikuar në kontratë. Një tjetër probleme që haset është sorollatja për pagesat e faturave dhe shpjegimet e punonjësve të kompanisë në lidhje me procedurat dhe pagimin e faturave.
Kostot
Kosto e lartë dhe shërbim i dobët. Kështu mund të përkufizohet tregu i shërbimit të internetit në vendin tonë. Kompania e Albtelekom, shitësi i vetëm me shumicë dhe njëkohësisht shpërndarës për klientë me pakicë ofron një shërbim të dobët dhe pesë rreth herë më të shtrenjtë se kompania e të njëjtit profil në vendet fqinjë. Klientët e Albtelekom paguajnë 100 mijë lekë për 4 Mega Bit nga ana tjetër një klient italian që merr të njëjtin shërbim merr një internet 40 fish më të shpejtë dhe paguan 50 euro për shërbimin ose pak më shumë se gjysma e klientit shqiptar. Të njëjtat probleme hasin edhe klientët familjar që paguajnë një tarifë prej 12 mijë lekësh për 1 giga internet, por nuk mund të shkarkojnë nga interneti më shumë se një foto po një këngë. Kompania italiane Italkom tafirifon klientët e saj me për 3 GB me 19 euro në muaj, klientët shqiptar që kanë të ardhura mesatare 10 herë më të ulta se fqinjët tariforen për të njëjtin shërbim nga Albtelekom me 30 mijë lekë të muaj.
Tarifat
Çmimi monopolistik i çmimit të internetit, i diktuar nga kompania Albtelekom, e cila është e vetmja shpërndarëse me shumicë në vend, cenon interesat e shqiptarëve. Në një kohë që trumbetohet me të madhe se Shqipëria është në moshën e internetit dhe çdo gjimnazist shqiptar do të ketë internet në shtëpi qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë masë për rregullimin e tregut. Kompanitë caktojnë çmime monompolistike pesë ose gjashtë herë më të shtrenjta se vendet fqinjë dhe shërbim të dobët. Nga një vëzhgim në tregun vendas rezulton se abonentët Albtelekom paguajnë 12 mijë lekë në muaj për 1 giga internet dhe 30 mijë lekë për 2 giga. Ndërkohë që shpejtësia është e vogël dhe mungesa e shkarkimit të materialeve nga interneti janë të kufizuara. Në momentin që abonenti plotëson kilobajtët e paracaktuar nga kompania e ndërpritet e drejta pavarësisht se shkarkimi kryhet brenda afatit të abonimit. Ndërkohë 1 mega internet tariforet me 36 mijë lekë në muaj dhe 2 mega rreth 98 mijë lekë në muaj në kompjuterët e abonentëve nuk shkon asnjëherë internet për aq sa tariforet.
Pozita dominuese e një ndërmarrje
1. Pjesën e tregut përkatës të ndërmarrjes ose ndërmarrjeve në shqyrtim dhe të konkurrentëve të tjerë
2. Pengesat në hyrje në tregun përkatës
3. Konkurrencën potenciale
4. Fuqinë ekonomike dhe financiare të ndërmarrjeve
5. Varësinë ekonomike të furnizuesve dhe blerësve
6. Fuqinë kundërvepruese të blerësve
7. Zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së ndërmarrjeve dhe mundësitë e shfrytëzimit të burimeve të produkteve
8. Lidhjet ekonomike me ndërmarrjet e tjera;
9. Karakteristika të tjera të tregut përkatës si: homogjenitetin e produkteve, transparencën e tregut, uniformitetin e kostos dhe të madhësisë së ndërmarrjeve, qëndrueshmërinë e kërkesës ose të kapaciteteve të lira prodhuese.
Ja çfarë përbën abuzim
1. Vendosja, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta blerjeje ose shitjeje, ose e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit
2. Kufizimi i prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik
3. Zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence
4. Lidhja e kontratave, me kusht që palët e tjera kontraktuese të pranojnë detyrime shtesë
5. Vendosja e çmimeve ose e kushteve të tjera, që kanë si objekt ose si pasojë pengimin e hyrjes ose nxjerrjen jashtë tregut përkatës të konkurrentëve të veçantë a të një produkti të tyre
6. Refuzimi për të tregtuar ose për të dhënë licenca
7. Refuzimi i hyrjes së një ndërmarrjeje tjetër, kundrejt një shpërblimi të përshtatshëm, në rrjetin ose në infrastrukturat e ndërmarrjes me pozitë dominuese, nëse ky refuzim i përdorimit të njëkohshëm të rrjetit ose të infrastrukturave pengon ndërmarrjen tjetër të veprojë si konkurrent i ndërmarrjes me pozitë dominuese
Ornela Manjani