Kush nga këta nuk po gënjen

Siç u njoftua nga kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Artan Minarolli, më 30 qershor, Këshilli Miratues i Projekteve do të mblidhej për shqyrtimin e projekteve të botimeve kinematografike dhe trajnimeve. Deri në orën 13.00, dje, asnjë nga pesë anëtarët e Këshillit nuk u pa në ambientet e Kinostudios, madje as vetë kryetari.
Mbledhja nuk u zhvillua (të paktën të ambjentet administrative të QKK) me gjithë pretendimet e koordinatores së projekteve Ardita Mullai. Sipas saj takimi kishte përfunduar përpara orës 11.00! Të kontaktuar me telefon, dy nga anëtarët e Këshillit shpjeguan se mbledhja e fundit e tyre kishte qenë më 28 qershor kur ishin shqyrtuar edhe projektet për festivalet e filmit. Mësohet se Kryetari i Këshillit Teodor Laço nuk ka qenë në takim.
Mbledhjet e bordit të këtij viti për të cilat u premtuan "dyer të hapura", vazhdojnë të jenë të izoluara. Jo pak herë, anëtarët u janë shmangur shpjegimeve me indiferencë ose japin përgjigje arrogante.
Edhe pse mbledhja nuk u zhvillua, në faqen zyrtare të QKK janë publikuar projektet fituese. Sipas regjisorit Esat Mysliu, për këto projekte "Këshilli ka vendosur që më 28 qershor". Në kategorinë e botimeve, është miratuar financimi i "Gjuha Audiovizive -Kinematografia" i Vladimir Priftit. Është një tekst për studentët e regjisë së filmit dhe televizionit. Projekti mbështetet me vlerën 500.000 lekë.
Projekti i dytë fitues është revista "Ekran" e ish-skenaristit Nexhati Tafa. Mbështetet me 400.000 lekë. Revista botohet dy herë në vit. Për këtë projekt, Esat Mysliu shpjegoi se botimi do të përmbajë analiza për filmin dhe ka karakter kritik, studimor, jo panoramik. Në këtë periodik ftohen të shkruajnë kineastë, kritikë, njerëz profesionistë që kanë kulturën e duhur për të bërë analizat e filmit.
Stafi i personave që do të punojnë për botimin do të zgjidhet nga Tafa i cili duhet "të konsultohet njëherë me QKK". Asnjë garanci nuk ka për një botim të pavarur dhe objektiv që u dashka të raportojë te QKK përmbajtjen e vet.
Projekti i tretë i miratuar është pjesëmarrja në European Producer's Workshop, për të cilin ka aplikuar Aldo Shllaku. Mbështetet në masën 400.000 lekë.