"Vendim i turpshëm i Bordit të QKK"

Drejtori i Tirana-48 Hour Film Project, Andi Tepelena thotë se është skualifikimi i pabazë i festivalit të të rinjve. Anëtari i bordit, Esat Mysliu: Nuk u mor parasysh, sepse projekti ndërkohë ishte realizuar
Organizatorët e festivalit të filmit 48-orësh për të rinjtë ndodhen se fundi para një fakti të hidhur. Premtimi se Qendra Kombëtare Kinematografike do të mbështeste festivalin, ka qenë totalisht bosh. Andi Tepelena, drejtor i projektit i realizuar 11-19 qershor, thotë se është i turpshëm vendimi i Këshillit Miratues të Projekteve për skualifikimin e Tirana-48 Hour Film Project. "Më 28 qershor u njoftuam nga Qendra e Kinematografisë që projekti ynë nuk është mbështetur.
Arsyeja: projekti është realizuar mbas mbledhjes se bordit. Në fakt ne e kemi shtyrë organizimin e festivalit disa herë në varësi të bordit që thanë se do mblidhej më 25 maj, pastaj më 10 qershor dhe së fundmi e shtynë në 28 qershor."
Tepelena shpjegon se logoja qendrore në afishet e aktivitetit, ajo e QKK vërtet është vënë vullnetarisht nga organizatorët, por kishin premtimin e kryetarit Artan Minarolli se ky institucion do të ishte partner.
Më 28 qershor, Këshilli mori në shqyrtim projektet e festivaleve filmike. Nga nëntë projekte, menjëherë u eleminuan 5: "First Step Film Fest", "Shqipëria thesari i kineastëve", "Albanian Film Music" dhe "48 hour film project".
Për Festivalin "First Step Film Fest" KMP vendosi të mos kalojë në konkurrim për arsye se Shtëpia Filmike që aplikoi, "First Step Association", "është një organizatë jofitimprurëse" dhe QKK, sipas ligjit, nuk financon organizma të tillë.
Projekti "Shqipëria thesari i kineastëve" nuk është futur në konkurrim sepse, sipas regjisori Esat Mysliu, qëllimi i aplikuesit, Boris Uka ishte realizimi i një ekskursioni me kineastë, nëpër Shqipëri për promovimin e turizmit.
"Albanian Film Music", projekt i kompozitorit Aleksandër Peçi, KMP nuk e vlerësoi si projekt kinematografik..
Ndërsa për "48 hour Film Project" i shtëpisë filmike "AA", për të cilin ka aplikuar Aida Kasemi, Mysliu jep këtë përgjigje: "Ishim para faktit të kryer që festivali kishte mbaruar. Do të thotë që i ka gjetur paratë dhe nuk ka ç'të marrë nga Qendra".
Ky projekt nuk është shqyrtuar nga KMP me pretendimin absurd që festivali ka mbaruar, një praktikë që Qendra Kombëtare e Kinematografisë e ka ndjekur edhe për çdo projekt tjetër festivali.
Edhe Tepelena i referohet një tjetër projekti si "Giffoni Shqipëria Film" i cili ka përfunduar në maj, por ai mbetet në pritje të projekteve të festivale që kërkojnë financim dhe do të shqyrtohen më 20 korrik. Te kjo listë janë: "Ani Fest Rozafa 2010", "Tiff 2010", "Giffoni Shqipëria Film", "Java e Filmit Shqiptar" dhe "Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit-Durrës".
Këto projekte kanë pasur probleme në dokumentacion dhe brenda datës 20 korrik, aplikuesve u kërkohet materiale të detajuara ku të pasqyrohen: Juria dhe presidenti i festivalit, lista e filmave konkurrues, infrastruktura e festivalit, si dhe zërat e financimit të buxhetit.
"Festivali Giffoni është realizuar tashmë e megjithatë pret të shqyrtohet, kurse Tirana-48 Hour Film Project nuk u financokësh për të njëjtën arsye se bordi është mbledhur pas festivalit të shtyrë 3 herë. A kush një përgjigje më objektive për rrëzimin e këtij projektit më novativ në fushën e kinemasë që nxit energjitë e reja dhe mbi të gjitha prodhimin e filmit të shkurtër? Si është e mundur që u rrëzua me ftohtësinë më të madhe?"
Tepelena shpjegon se QKK i është kërkuar mbështetja me 5 milionë lekë për të paguar çmimet e fituesve (7), "çmime të cilat do t'i ndihmonin kineastët (profesionistë dhe amatorë) të blinin teknikë, kompjuterë montazhi të paguanin veten dhe mbi të gjitha të motivonin prodhimin e filmave në të ardhmen". Me pjesën tjetër të buxhetit do të ngrihej një infrastrukturë e festivalit për vitin në vazhdim.
Në Tirana-48 Hour Film Project i themeluar nga artisti Robert Aliaj morën pjesë 28 grupe, u realizuan plot 16 filma të zhanreve të ndryshëm, në harkun kohor të 48 orëve, me angazhimin e rreth 300 të rinjve të dhënë pas kinemasë dhe formuar në këtë fushë. Prandaj Tepelena këmbëngul se historia e Tirana-48 Hour Film Project ka një moral.
"U krijua një lëvizje, një energji, të gjithë kineastët e rinj u angazhuan nga pasioni për kinemanë. Ishte diçka që solli të re për qytetin, u evidentua Tirana me simbolet e saj dhe temën sociale që kishin të gjithë filmat. Pse nuk u analizua tek ky bord kjo prurje? Kjo na shtyn të mendojmë se kemi të bëjmë me një akti korruptiv: favorizon dikush në vend të një tjetri.
Drejtori i "48 hour Film Project" njofton se do të protestohet për mosmbështetjen e të rinjve. Në fund të fundit, sipas tij, kjo është çështje midis të resë dhe "atyre që për cinizëm, paaftësi, dashakeqësi, meskinitet etj., po e frenojnë këtë energji".