E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhani Ciko drejton koncertin e jubileut në Bari

BARI- Orkestra simfonike e Barit ka kënaqësinë të ftojë mjeshtrin Zhani Ciko në cilësinë e dirigjentit të orkestrës për drejtimin e koncertit lirik simfonik "Simfoni dhe Arie të Operave Verdiane", organizuar nga komuna e Barit, për të nderuar jubileun e 150-vjetorit të Bashkimit të Italisë, thuhet në ftesën zyrtare drejtuar mjeshtrit Zhani Ciko. Orkestra simfonike e Barit e krijuar më 1968 përfaqëson një nga orkestrat e mirënjohura në Itali. Ajo organizon stinë të rregullta koncertore. Dirigjentë të njohur botërisht si Kurt Sanderling, Anatole Fistoulari, krahas mjeshtrave si: Nino Rota, Luciano Berio, Enio Moricone, etj kanë hipur në podiumin e orkestrës. Në koncertin që do të drejtojë në datën 1 qershor, mjeshtri Zhani Ciko, orkestra simfonike e Barit do të përbëhet nga rreth 60 muzikantë. Programi i koncertit përmban nga repertori i kompozitorit G.Verdi që është simbol i periudhës historike të bashkimit të Italisë, pjesë që lidhen me këtë atmosferë si simfonitë nga operat "Nabucco", "Forza del destino", "I vespri siciliani" arie dhe duete nga operat "Macbeth", "Aida", "Luisa Miller", "Traviata" etj. Mjeshtri Zhani Ciko e ka pritur me shumë kënaqësi ftesën. "E konsideroj si një nder të veçantë që më është besuar drejtimi i një koncerti Verdian në ditën e jubileut të bashkimit të Italisë në Bari, që veç të tjerave është dhe vendi ku jetojnë dhe shumë bashkombas. Një shqiptar në podiumin e dirigjentit në sheshin historik "Cavour", pikërisht aty ku është dhe pllaka përkujtimore për Luigj Gurakuqin i rrit shumë emocionet e mia për këtë eveniment sa profesional kaq edhe historik. Jam i mbushur me mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që më kanë besuar dhe nderuar jo vetëm për muzikën, por dhe përfaqësimin si shqiptar. Dhe kjo ka vlerë jo vetëm për mua. Në rast problemesh klimaterike koncerti do të jepet në teatrin "Norba" te Konversanos.
(GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›