E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhbërja

Me një lehtësi tronditëse shumica e Kuvendit miratoi një ndryshim në ligjin për Arsimin e Lartë. Në këtë ndryshim parashikohet që autoritetet universitare do të kenë të drejtën e mandateve të njëpasnjëshme në zgjedhjet universitare, gjë që zhbën në fakt atë që po kjo mazhorancë bëri para jo më shumë se katër vitesh. Kujtoj luftën e gjatë prej babëzitësish që u zhvillua në atë kohë. Qeveria e PD kërkoi që mandati i autoriteteve universitare të ishte katërvjeçar dhe pa të drejtën e përsëritjes. Qartësisht, PD, e cila sapo kishte marrë pushtetin, kërkonte të vendoste njerëzit e saj në krye të universiteteve, gjë që mund ta bënte vetëm nëse ishte e sigurt që do të largonte autoritetet ekzistuese prej tyre. Largimi duhet të ishte egërsisht sipas stilit komunist, por vetëm në përmbajtje. Në formë duhej të bëhej me ligj dhe kështu u bë. PD miratoi në Kuvend ligjin më të keq të bërë ndonjëherë për universitetet e këtij vendi. Kjo gjë u kundërshtua po kaq egërsisht nga njerëzit e socialistëve në krye të universiteteve të asaj kohe dhe nga partia e tyre me argumentin se mohohej e drejta që kanë individët për t’u zgjedhur. PD fitoi sepse kishte shumicën në Kuvend dhe që atëherë, mandati i autoriteteve të sotëm konsiderohet të jetë 4-vjeçar dhe pa të drejtën e një mandati tjetër vazhdues. Ashtu si para katër vitesh, edhe sot e kësaj dite, PD ka po të njëjtin qëllim: Të ketë njerëzit e saj në krye të universiteteve. Ajo që ndryshon sot në krahasim me katër vite më parë është se këtë radhë universitetet do të vazhdojnë të mbeten vasalë të pështirë të politikës jo më nëpërmjet kufizimit të mandatit të autoriteteve universitarë, si dikur, përkundrazi, nëpërmjet zgjatjes së këtij mandati.
* * *
Është jashtë çdo dyshimi që universitetet e këtij vendi janë shndërruar në kavie të politikës. Nuk ka eksperiment që të mos jetë kryer në fillim në kurrizin e tyre, e pastaj diku tjetër. Nuk ka sharlatan që nuk iu ka hipur njëherë në kurriz dhe nuk ka përjetuar ëndjen shtazarake të komandimit të të aftëve, të degdisjes së tyre deri në qoshen nga ku zëri nuk vjen më kurrë, të shqyerjes së mendimit të lirë, të kooperativizmit apo të menaxhimit katundaresk. Nuk ka mbetur sharlatan që nuk e ka provuar njëherë se si mund të drejtohet politikisht sistemi universitar i këtij vendi, se si para se të bëhet një politikë duhet të mendohet se si të zhbëhet ajo, duke i lënë përfundimisht universitarët e vërtetë të këtij vendi në mes të asgjësë, pa asnjë mjet në dorë për të ndryshuar universitetet, madje pa kurrfarë qëllimi, misioni. Le të fillojmë me vitin 2005. U projektua reforma e sistemit të kërkimit shkencor dhe po të mos ishte këmbëngulja e autorit të këtyre rreshtave dhe e ndonjë kolegu tjetër, ajo do të ishte si në formë ashtu edhe në përmbajtje, as më shumë dhe as më pak, vetëm një hakmarrje ndaj drejtuesve të Akademisë së Shkencave të asaj kohe. Gjithsesi, u arrit që të krijohej një dokument relativisht i plotë në të cilin reforma konceptohej si një ristrukturim thelbësor i krejt sistemit kërkimor të vendit. Vendin qendror e zinin universitetet dhe misioni thelbësor i reformës ishte edukimi i studentëve nëpërmjet kërkimit shkencor. Asgjë nuk ndodhi nga ato që u shkruan në letër aq sa vërtet shumë vonë e kuptuam që, ndërsa ne përgatitnim reformën në letër, diku tjetër projektohej zhbërja e saj. Sot, nuk ka mbetur pothuajse asgjë nga ato që parashikonim të ndodhnin, përveçse disa qindra të mjeruara që akoma i karakterizojnë si kërkimore dhe disa njerëz të hutuar që vinë vërdallë e ndërrojnë karriget e tavolinat me njëri-tjetrin. Ish-profesorët e instituteve kërkimorë të dikurshëm shtyhen qosheve nga kërkuesit e rinj, të cilët janë shfaqur në horizont si silueta, pa personalitet, pa ditur matematikë, me një anglishte që e flasin me të njëjtin stil sikur kafshojnë bukën e dikurshme të misrit hibrid dypërdorimshme: Njëherazi si ushqim për njerëzit dhe për bagëtinë, por me një dokument partie në xhep dhe me instinktin e të qënit gjithmonë me partinë që është në pushtet. U projektua reforma në arsimin e lartë dhe u vendos në një Master Plan. Ekzaktësisht si me reformën në kërkimin shkencor, ndërsa përgatitej ky Master Plan, diku tjetër, në zyrën e ministrit, përgatitej edhe zhbërja e tij. Kjo gjë u provua shumë shpejt kur shumica e PD në Kuvend, në vitin 2007, miratoi një ligj që në substancë ishte në kundërshtim të plotë me Master Planin, ndërsa ky i fundit u hodh në të njëjtin kosh plehrash ku gjendet dinjiteti i shërbyesve të sotëm të popullit, pra politikanëve. Shumë vite më parë ishte nënshkruar nga politikanët e këtij vendi pjesëmarrja në procesin e Bolonjës, por nuk pushuan asnjë ditë përpjekjet për të bërë të kundërtën në Shqipëri. Shpresat ishin të mëdha pas vitit 2005. Politikanët e PD bënë ekzaktësisht atë që nuk pritej: Devijuan plotësisht politikën universitare nga procesi i Bolonjës dhe këtë e bënë pa iu hyrë asnjë gjemb në këmbë. E zhbënë këtë proces në Shqipëri akoma pa e filluar atë, si zakonisht. Ajo që mbeti nga zhbërja ishin disa kualifikime prej të cilave Evropa kishte kohë që kishte hequr dorë, ndërsa studentëve të hutuar iu thoshin, pacipërisht, se ishin bërë pjesë e procesit të Bolonjës. Dhe së fundi, sepse nuk ishte gjë tjetër veçse një mënyrë e rafinuar për të çuar paratë publike te xhepat e pronarëve të universiteteve private, vjen reforma financiare e universiteteve ose një nga djallëzitë më të pështira të politikanëve të sotëm. Është jashtë çdo dyshimi që një reformë financiare do ta rivitalizonte sistemin universitar dhe për një reformë të vërtetë, esenciale, të ndershme, përpjekjet e vërteta kanë filluar në vitin 1996. Përpjekja e sotme për të realizuar një reformë financiare, në fakt, nuk është gjë tjetër vetëm një zhbërje e të gjitha përpjekjeve të ndershme të kryera në këtë drejtim. Edhe në këtë rast, si në të gjitha rastet e tjera, politikanët që mbulojnë arsimin e lartë veprojnë ekzaktësisht si më parë: i thonë publikut ekzaktësisht atë që kanë kohë që e kanë zhbërë dhe përgatiten për të bërë financimin e universiteteve në kundërshtim të plotë me interesat e tij.
* * *
Tani po bëhet një zhbërje tjetër, ajo e sistemit të zgjedhjeve në universitete. Realisht, ky nuk është problemi më i madh që shtrohet sot, megjithëse pas tij fshihet interesi i politikës për të sunduar universitetet. Problemi më i madh është ai që vendoset në raportin midis zgjedhjeve universitare dhe vetë universiteteve. Pra, kështu si zhvillohen zgjedhjet në universitetet tona, a i shërbejnë progresit të tyre apo i zhytin akoma më shumë universitetet në baltën e prapambetjes? Gjendja në të cilën ndodhen një pjesë e madhe e mësimdhënësve dhe studentëve në universitete, pra gjendja në të cilën është shumë e dyshimtë mënyra se si kanë ardhur në universitet dhe akoma më shumë, mënyra se si i kanë marrë gradat dhe titujt, kjo për pedagogët, dhe se si i marrin diplomat, kjo për studentët. Pra mënyra thellësisht e dyshimtë se si i marrin të dy palët kredencialet e tyre akademike vë në një dyshim të thellë integritetin e një pjese të konsiderueshme të universitarëve të sotëm, dhe prandaj, në të njëjtën kohë, vë në një dyshim të thellë edhe rolin e zgjedhjeve në universitetet tona. Problemi që hasim sot në sistemin universitar nuk është kohëzgjatja e mandatit të autoriteteve universitare. Problemi i vërtetë, shumë më i rëndë, shumë më kompleks, i krijuar si gjithmonë dhe dobiçërisht nga politika e këtij vendi, nga makutëria e saj për të sunduar universitetet, është: Zgjedhjet në universitete, ashtu siç janë katandisur këto të fundit, bëjnë më shumë mirë apo më shumë keq? Jam i sigurt që kjo është një çështje esenciale që duhet të bëhet e qartë për publikun e këtij vendi, por me siguri që do të kërkojë hapësirën dhe dedikimin e një shkrimi tjetër. Ajo që mund të thuhet në hapësirën e këtij shkrimi është se një parim shumë i rëndësishëm i adoptuar në hapësirën e arsimit të lartë evropian ka të bëjë me standardin që duhet të respektohet kur zgjidhen autoritetet universitare. Po citoj: Universitarët duhet të shohin te ata që do të zgjedhin jo thjesht dhe vetëm një produkt të preferencës së tyre, por personalitetin, shqetësimin, aspiratën, guximin për fjalën e lirë, mendimin dhe ndërgjegjen qytetare; pra gjithçka që do të donin t’i kishin vetë në përfytyrimin e tyre qytetar. Qartësisht, integriteti i votuesve është kusht themelor për të kuptuar nëse zgjedhjet universitare do të bëjnë më shumë mirë se keq, apo të kundërtën. Një universitar pa integritet, i cili sheh tek autoriteti universitar të cilit i jep votën njeriun që do t’i bëj një favor personal, do t’i japë një titull të pamerituar, një diplomë të pamerituar, do ta bëjë pjesë të korrupsionit, duhet ta ketë të ndaluar të votojë! Fatkeqësisht, të tillë votues janë shtuar shumë në universitetet tona, duke përçudnuar thelbin dhe rolin e zgjedhjeve universitare. Politika ka punuar për një kohë të gjatë që të zhbëj integritetin e universitarëve sepse vetëm kështu mund t’i bëjë ata të pandjeshëm në procesin e sundimit të universiteteve prej saj.
* * *
Amendamenti për dhënien e mundësisë autoriteteve ekzistues të universiteteve edhe për një mandat tjetër nuk u paraqit nga ministri i linjës, gjë që do të ishte një normalitet, madje nuk u paraqit as nga një deputet që të kishte një lidhje të veçantë me universitetet, t’i njihte universitetet në thelbin e tyre, madje as nga një deputet i PD, si forcë kryesore qeverisëse. Mandati iu paraqit Kuvendit në mënyrën më pak të pritshme, si mbi një sini, tavë, si një kokë e prerë, si një triumf i një kohe tashmë të harruar. Mandati iu paraqit Kuvendit nga një deputet me mbiemrin e çuditshëm Tavo, minoritar, dhe më kryesorja, nga një deputet i LSI, i një partie që nuk ka kohë të ngre kokën nga pesha e skandaleve të njëpasnjëshme dhe jo më të gjej kohë për mandatin e autoriteteve universitare! Çdo gjë është e çuditshme në këtë amendament, por më e çuditshmja nuk thuhet asnjëherë: si është e mundur që PD, pak vite më parë, injoroi përpjekjet sublime të profesorëve të universiteteve për të reformuar sistemin universitar dhe pranon sot me lehtësi një amendament qartësisht në zhbërje të standardeve universitare, nga një deputet i vetmuar, i një partie akoma më të vetmuar, që vetëm shembull për universitetet nuk mund të jetë.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›