E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Venecias vs. Komisionit të Bathores

Më në fund e mbërritëm ditën e shumëpritur e njëherazi edhe të shumëkërkuar: Komisioni i Venecias shqyrtoi çështjen tonë zgjedhore duke dhënë më në fund, përfundime taksative e rekomanduese për të ardhmen e votës sonë problematike. Tymnaja, keqkuptimi dhe kundërsensi e përcollën edhe këtë shqyrtim asnjanës të specialistëve ndërkombëtarë të së Drejtës për hallin e për sherrit tonë të tejzgjatur që tani quhet: Ngërç institucional, pra edhe ngërç edhe institucional, ec e mere vesh!
Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefinë, që edhe përmbytjen e Shkodrës e quajti ‘Venecie’, na bëri sakaq me dije se Komisioni i Venecias nuk e quajti gabim apo shkelje “Bathoren” tonë të zgjedhjeve, KQZ-në e Ristanit bashkë me Kolegjin Zgjedhor të cilët kryen ngërçin, përndryshe numërimin mbrapsht të votave të hedhura gabim. Me një fjalë, zgjedhjet ishin të drejta e të ndershme dhe për këtë Venecia u dashka të na marrë shembull pasi, gjithnjë sipas Topallit kjo përbën konfirmim të praktikës shqiptare të numërimit të votave. “Institucionet në Shqipëri nuk gabuan kur vendosën t’i përfshijnë këto vota në rezultat dhe rasti i Shqipërisë meriton të shënohet si një rast pozitiv i respektimit të vullnetit të zgjedhësve”, - u shpreh Topalli, jo pa ngazëllim e triumf. Kjo do të thotë që Komisionit të Venecias i bie detyrë të mbajë shënim e madje edhe ta hapërdajë nëpër botë si një praktikë pozitive e të suksesshme maskaradën tonë zgjedhore, e thënë më shqip: Këtë bathorizim të vazhdueshëm e të pashembullt të zgjedhjeve që nis me listat vazhdon me fushatat pa inventar, shkon te kutitë e votimit me kod të dyshimtë e komisionerë të shitblerë për të përfunduar te KQZ-ja e Kolegjet Zgjedhore të shfytyruara të cilat nuk kanë asnjë drojë, cipë, frikë e përgjegjësi ligjore.
Ndërsa ashtu si e lypte tradita, përfaqësuesi i opozitës doli e tha të kundërtën, si ndodh përherë pas deklarimeve të ndërkombëtarëve…Edhe kjo nuk përbën më ndonjë risi habitor, kur një i bie gozhdës tjetri patkoit, ndërsa ne qytetarët opinion-ngrënës zëmë e ia hedhim fajin gomarit…Kurse ndërkombëtarët, qofshin edhe specialistë juridikë të Venecias, le të bëjnë të tyren, pra edhe at, nj’ashtu si komisionerët e Krokodilit, të Brukselit e të Washingtonit le të na japin këshilla e porosi dashamire (për të mos thënë atë që mendojnë e zbatojnë krerët tanë: Atë punë kanë ata, t’i bien legenit të demokracisë!”), ndërsa “specialistët” shqiptarë, ristanovët e ferdinantponët do të ndjekin të njëjtin avaz folkoriko-politik të majekrahit. Këtu e tatëpjetë, o byrazer, si ka qenë, ashtu do të jetë!
Me sa duket qenka tejet e vështirë që gjuha e Venecias të komunikojë e të merret vesh me gjuhën e Bathores dhe anasjelltas. Është provuar tashmë në të gjitha zgjedhjet në këto 20 vjet se në këtë lloj marrëdhënie incesti të horrave politikë me Drejtësinë nuk mund të ndërhyjë dot OSBE-ODIHR, as media, as qytetarët, as vëzhguesit ndërkombëtarë, as Kodi Zgjedhor e as Kushtetuta. Sado të përsosura, ultimative e të domosdoshme të jenë porositë dhe rekomandimet e organizmave dhe autoriteteve ndërkombëtare! Na kërcënuan se për shkaqet e mësipërme do të na lënë jashtë Evropës, e pastaj? Se mos mban kush ndonjë përgjegjësi në këtë vend? A kini dëgjuar të dënohet ndonjë komisioner apo ndonjë grup horrash që kanë bërë masakër zgjedhore në dobi të atyre që janë në pushtet? Përkundrazi, janë këta që janë bërë karrierë, kryepolicë, doganierë, anëtarë bordesh, biznesmenë brenda një nate. Në Serbi zv.kryeministri që mbulonte edhe integrimin u dorëhoq sepse u shty për në Mars dhënia e statusit të vendit kandidat, kurse tek ne politika ecën si gaforrja që kujton se përnjëmend po zë vend të parë. Paçka se ecën mbrapsht, në sens të kundërt.
***
”Në vitin 2009 propozuam një komision bipartizan duke menduar se kjo do të shtonte besueshmërinë e dy partive tek administrata zgjedhore, por zgjedhjet e vitit 2009 e 2011 treguan se një pritshmëri e tillë nuk u përmbush”, - thonë ekspertët e Komisionit të Venecias. Por, më e keqja është se njerëzit e pavarur tek ne aktualisht është e vështirë të gjinden. Askush nuk e di se ku ndodhen këta të uruar e për më tepër edhe si mund të pikasen se cilët janë të pavarurit e vërtetë. Nuk gjendet dot asnjë zgjidhje për pyetjen tjetër që pason: Kush do t’i zgjedhë të pavarurit dhe mbi cilat kritere? A nuk deklaroi kryeministri Berisha që edhe Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë konsesual, i pavarur apo politik? D.m.th një partiak i besuar dhe i provuar i asaj partie që ka pushtetin?
Kur Presidenti i Republikës duhet të jetë një partiak i thekur (ç’ka nënkupton: jo vetëm si Moisiu, po ca më keq, edhe si bukëshkali Topi…), atëherë si duhet të jenë drejtuesit e universiteteve, të Akademisë, të OJF-ve, të policive, të Këshillave Drejtuese, të bordeve, të gjykatave, të KLSH-së, të KLD-së, të kontrollit të pasurive e ca më tepër të KQZ-së e të Kolegjeve Zgjedhore prej nga dalin ose të humbur, ose fitues krerët partiakë?
“Përpjekjet e mëparshme për të ngritur një komision jo-partizan, ashtu siç parashikohet në Kushtetutën e vitit 1998 kanë dështuar për shkak se KQZ konsiderohej si e njëanshme”.
Ja përse askush nuk e ka të qartë se si do të duhet të ndërtohet nesër një KQZ e pavarur dhe e ndershme sepse tek ne edhe bipartizan, edhe jo partizan, d.m.th i sendërtuar me ca të pavarur ( kupto: edhe këta do të jenë të emëruar nga kryetarët e dy partive më të mëdha!) nuk funksionoka për qamet në Shqipëri, gjë që do të thotë se çfarëdo KQZ-je të ngihet nesër, sipas praktikës së deritanishme, ne do të kemi sërish të garantuar të njëjtin dështim, - që humbësi të mos e pranojë rezultatin dhe që përsëri të flitet për manipulim, për trafikim të votave dhe për komisionerë të shitblerës. Pikërisht këtë e kanë kuptuar specialistët e Venecias që nguten të thonë se nuk e kanë fajin ligjet, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor, por “aktorët kryesorë” të politikës.
Kurse specialistët tanë, të ngarkuar bash për këtë qëllim nga dy partitë kryesore për zgjidhjen e këtij ngërçi nëpërmjet një komisioni parlamentar ad hoc nuk kanë faj që nuk gjejnë dot asnjë ide se si mund të zgjidhet përsëmbari kjo çështje e kolokrepsur. Venecia rekomandon që të lipset një konsensus “sa më i gjerë”, që të ketë sa më shumë trupa që përfshihen në përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ, nga shoqëria civile, universitetet, gjyqësori, etj. Që të ketë më shumë trajnim të komisionerëve dhe grupe të numërimit të votave, që të parashikohet me ligj se si do të veprohet me votat e hedhura gabim etj etj. Po a mjaftojnë këto rekomandime për të kthyer përfundimisht nderin e humbur të votës?
”Nuk ka dyshim se problemet e vazhdueshme me mbajtjen e zgjedhjeve demokratike nuk zgjidhen vetëm përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Përvoja e kohëve të fundit ka treguar se edhe kur legjislacioni elektoral është i detajuar dhe gjithëpërfshirës, ai nuk garanton zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje të plotë më angazhimet e standardet e OSBE dhe Këshillit të Europës. Kjo ndodh në mungesë të vullnetit të mirë mes aktorëve kryesorë për të zbatuar ligjin në mënyrë të paanshme dhe të drejtë”.
Shoqëria jonë e cilësuar deledash-demokratike zuri këto ditë vendin e 87-të në botë për nga niveli i demokracisë e për këtë “meritën” më kryesore e mban procesi i përçudnuar sistematikisht i zgjedhjeve. Klasa e sotme politike, ndonëse ka stazh njëzet vjeçar, nuk ka se si të jetë e motivuar, aq më pak e interesuar të zbatojë ligjin “në mënyrë të paanshme e të drejtë”, pasi kësisoj shumica e aktorëve politikë jo vetëm që do të duhej të kishin dalë me kohë e me vakt nga loja e do të qenë harruar, por disa syresh do të gjendeshin, për njëmijë e një arsye, para organeve të Drejtësisë. Por trafikimi, shitiblerja, klientelizmi dhe mercenarizmi janë mjetet e tyre mbrojtëse e shpëtimtare. Aktorët kryesorë të politikës që duhet të largohen, sipas kuptimit e nënkuptimit të hapur që i dha kësaj çështjeje Venecia, nuk kanë tjetër rrugë veç të deformojnë zgjedhjet, që të zgjidhen e të rizgjidhen e që edhe po të humbasin, të gëzojnë “të drejtën morale” të na thonë se vota u manipulua ndaj nuk mund të largohen. Pyetja është e thjeshtë: A ka humbur ndonjëherë Berisha dhe kur e ka pranuar humbjen? Asnjëherë! Edhe kur vendi gati sa nuk ra në luftë civile në 97-ën për faj të tij, ai nuk tha që i humbi zgjedhjet, por tha që “e përmbysi rebelimi komunist”.
Ky është karuseli i mashtrimit që mban peng zgjedhjet e ndershme e të lira: Kryetarët e partive (jo vetëm të mëdhatë, po edhe të voglat), kurrë nuk i humbasin zgjedhjet, paçka se e humbur përherë del Shqipëria dhe qytetarët e saj. Se ujkut i mbeten varur mëlçitë në qafë në mënyrë “demokratike” nga të emëruarit e të përzgjedhurit me seleksionim klientelist (n’qofshin të varur a të pavarur, njëlloj ka për të qenë!) prej kryetarëve të partive në Kuvend, në qeveri, nëpër bashki, nëpër institucione, veçanërisht në KQZ-të dhe në komisionet zgjedhore në mënyrë që “aktorët kryesorë” nëpërmjet mashtrim-manipulimit që bëjnë të emëruarit edhe pa i urdhëruar të dalin përherë të fituar e të na thonë: Ç’faj kemi ne, kur vetë ju na keni zgjedhur?! E pra, në këtë treg të deformuar të vlerave morale, a nuk është gjëja më e vështirë të jesh vërtet i pavarur dhe me integritet?

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›