E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhbllokohen patentat, blihen 50 mijë copë

Lejet e drejtimit për automjetet do të nisin shumë shpejt të shpërndahen. Pas dy muajsh bllokimi, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) deklaron se është siguruar materiali i nevojshëm për mbulimin e kërkesës së patentave. Sikurse ndodhi edhe vitin e kaluar, mungesa e kartonit erdhi për shkak të procedurave në tender, që më së shumti konsiderohen teknike. Para hyrjes në fuqi të ligjit të ri për lejet e drejtimit, ka pasur një fluks kërkesash të individëve për të marrë patentë, me synim shmangien e kritereve të forta. "Kemi siguruar rreth 50 mijë kartonë për patentat. Mbetet verifikimi teknik i tyre. Shumë shpejt, brenda javës do t‘i jepet zgjidhje", thotë për "Shqip" nëndrejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor.

Çdo vit, DPSHTRR-ja blen mesatarisht 100 mijë copë patenta dhe tenderi zhvillohet në muajt e parë, për të shmangur radhët e gjata për pajisjen me to. Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë herë u përsërit problemi i mungesës së patentës. Shkak është bërë tenderi, zhvillimi i të cilit kërkon prezencën e një numri të caktuar shoqërish.

Për blerjen e kartonit të patentës, qeveria shpenzon 10 mijë lekë për çdo copë. Ajo çfarë i kushton kursantit është shërbimi që përfiton nga autoshkolla për mësimin e teorisë dhe praktikës, që mesatarisht arrin në 40 mijë lekë. Vlefshmëria e patentës varion nga mosha e drejtuesit të automjetit. Kështu, janë të vlefshme për 10 vjet, patentat e dhëna për drejtuesit e moshës deri në 50 vjeç, të vlefshme 5 vjet, mbi 50 deri në 60 vjeç, dhe 3 vjet, kur janë dhënë ose konfirmuar mbi moshën 60 vjeç.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›