E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojaxhi: Do të rifillojmë importet

Shqipëria duhet të rinisë reformën e çmimeve të energjisë elektrike për të stabilizuar bilancet e të tre kompanive kryesore që veprojnë në këtë treg, deklaroi dje drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, i intervistuar nga "Top News". Sipas Bojaxhi, reforma e çmimeve është e domosdoshme dhe duhet të kryhet në mënyrë graduale. Ndonëse nuk kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë rritje çmimesh për konsumatorët, Bojaxhi ritheksoi nevojën për reformë, e cila nënkupton gjerësisht rritje çmimesh. Bojaxhi u ankua për çmimin e ulët me të cilin KESH detyrohet të shesë energjinë e prodhuar në vend te kompania OSSH, e cila tashmë është nën pronësi private.

Më herët, KESH është ankuar disa herë publikisht se çmimet aktuale nuk u mundësojnë mbulimin e kostos reale të energjisë elektrike, ndërsa kompania nën pronësi shtetërore ka vuajtur humbje të konsiderueshme financiare gjatë viteve të fundit.

Ndonëse KESH, OSSH dhe OST kanë refuzuar të publikojnë një bilanc financiar për katër vitet e fundit, të dhëna indirekte flasin se sektori po shkakton çdo vit humbje prej 200 milionë eurosh, të cilat mbulohen në mënyrë direkte dhe indirekte nga buxheti i shtetit. Çmimet e energjisë elektrike për prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen, përcaktohen nga Enti Rregullator i Energjisë. Ky i fundit është vendosur shpesh nën presion politik për të mos rritur çmimet e konsumatorëve finalë. Humbjet e shkaktuara nga mosrritja e çmimeve të energjisë, zakonisht i janë faturuar buxhetit të shtetit.

Rritja e çmimeve

KESH pati kërkuar një rritje të fortë të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2009, por qeveria ia uli shpejt kokën kur urdhëroi që çmimi të mos rritej në një vit zgjedhor. Ndërhyrja e qeverisë kundër rritjes së çmimeve, vuri në diskutim pavarësinë politike të Entit Rregullator të Energjisë, i cili iu nënshtrua presionit publik të Kryeministrit Sali Berisha për shumë vite me radhë. Ndërhyrje të tilla politike duket se shtynë investitorët privatë të kërkonin garanci shtesë. Kështu, blerësi i OSSH, CEZ, mori një garanci që i jep të drejtë të tërheqë nga buxheti i shtetit deri në 50 milionë euro në rast se Shqipëria refuzon të rrisë çmimet.

Për më tepër, me mbarimin e zgjedhjeve, rritja e çmimeve pritet të rifillojë dhe ka gjasa që do të jetë një rritje e mjaftueshme për të kompensuar edhe humbjet e vitit 2009. Aktualisht, shqiptarët paguajnë 8.4 lekë për kilovator të konsumuar, por Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka bërë të qartë se për të mbuluar kostot e energjisë, nevojitet që çmimi mesatar të rritet deri në 12 lekë për kWh, dhe kjo, pa Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

KESH, kompania e cila pas ndarjes së sektorit ka nën kontroll prodhimin e energjisë elektrike në vend, merr vetëm 0.79 lekë për kWh për energjinë e prodhuar në hidrocentrale. Disa ekspertë kanë hedhur sakaq akuzat se përcaktimi i një çmimi të tillë për korporatën, që është nën pronësi publike, mund të sjellë rrënimin e saj financiar dhe pamundësinë e investimeve në kapacitete të reja gjeneruese. KESH është sabotuar rregullisht që nga vitet 2000 në përpjekjet për të ndërtuar termocentrale dhe hidrocentrale dhe në vend të kompanisë publike, janë investitorët privatë ata që pritet të përfitojnë.

Do të rifillojnë importet

Kreu i KESH, Gjergj Bojaxhi, thotë se importet e energjisë elektrike do të rifillojnë menjëherë, me qëllim që niveli i rezervës hidrike në Kaskadën e Drinit të ruhet dhe që vendi të shmangë rrezikun e një krize të re. Gjatë vitit 2008, falë shirave të bollshëm, Shqipëria ka pasur mundësi të plotësojë me prodhim të gjithë konsumin e vet, duke ndërprerë importet dhe duke eksportuar një sasi të vogël energjie. Por pavarësisht sasisë së shirave, Shqipëria mbetet ende një vend deficitar për energjinë elektrike. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria importoi 40 për qind të energjisë së konsumuar. Mungesa e importeve këtë vit ka përmirësuar edhe situatën financiare të KESH, pasi prodhimi vendës ka një kosto të papërfillshme ndërsa importet kushtojnë qindra milionë euro.

Fierza

Në 2008, uji u përdor në eficencë maksimale

Përdorimi i rezervës ujore të kaskadës së Drinit gjatë vitit të kaluar, duket se ka shënuar një rekord historik në eficencë, sipas të dhënave të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë, (ERE). Por ndërkohë, viti 2007, ka qenë një nga më të këqijtë për sa i përket eficencës. Sipas statistikave, gjatë vitit të kaluar, në Fierzë u arrit të prodhohet 1 kilovat energji, duke përdorur vetëm 1.04 metra kub ujë, gjë që kryhet për herë të parë që nga viti 1985. Në vitin 2007, qe shpenzuar 1.4 m³ ujë për çdo kilovator energji të prodhuar.

Prodhimi i energjisë në Fierzë varet para së gjithash nga lartësia mesatare e liqenit. Sa më shumë ujë të ketë në liqen, aq më shumë energji prodhohet, për shkak të forcës më të madhe rënëse. Importet e larta të vitit të kaluar, ironikisht i kanë mundësuar KESH të përdorë me më shumë eficencë burimet ujore kombëtare. Më herët, ERE, pati këshilluar se shfrytëzimi i Fierzës në kuotë të lartë, mund të rrisë prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri teorikisht me 60 për qind, duke përdorur të njëjtat burime. Gjithsesi, vitin e kaluar, eficenca është rritur me shumë më pak se kaq. Rritja e eficencës së përdorimit të Drinit kërkon në fakt më shumë liberalizim tregtar me jashtë. Në rast se Shqipëria do të kishte mundësi teknike për të importuar të gjithë energjinë e nevojshme në çfarëdolloj periudhe të vitit, atëherë Drini mund të prodhojë shumë më tepër se aktualisht. Sot për sot, kjo gjë nuk është e mundur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›