E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdoganimi i idesë se integriteti i Kosovës mund të cenohet

Sa herë që përmendet ndarja e Kosovës si mundësi, mendja na shkon te tri parimet themelore mbi të cilat u mbështetën negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës. Siç dihet tanimë, një nga këto tri parime kishte të bënte me mosndarjen e Kosovës. Tashmë kur janë bërë më shumë se dy vjet që nga e ashtuquajtura shpallje e pavarësisë së Kosovës, dhe kur po bëhet gati dy vjet që nga hyrja në fuqi e kushtetutës aktuale, të gjithë e kanë të qartë se në rreth 30 e sa për qind të territorit të saj funksionon shteti i Serbisë. Neni 1 i kushtetutës që thotë se: “1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.”, ka mbetur vetëm një nga rreshtat e një teksti të pavlerë, pasi që të pakët janë ata që janë duke besuar tashmë se Kosova po funksionon si shtet i pavarur, me të drejtën për të shtrirë sovranitetin e saj në tërë territorin e saj, e së këndejmi të pakët janë ata që besojnë se shteti i proklamuar më 17 shkurt 2008, do të jetë ndonjëherë unik dhe i pandashëm. Edhe atyre që atdhetarinë e kanë pasur motiv për vargje neoromantike dhe të këngëve hiperbolizuese epiko-legjendare, tashmë u është e qartë se krijimi i enklavave qysh gjatë viteve të plojës tragjike kundër shqiptarëve, nuk ka qenë një mënyrë e sigurimit të mbijetesës serbe në Kosovë në kuptimin e mbijetesës fizike të tyre nga ndonjë veprim i dhunshëm i shqiptarëve, por një veprim strategjik i Beogradit për të krijuar dy realitete faktike: realitetit shqiptar, realiteti i një populli që pasi u dogj, u vra dhe u dëbua në mënyrë biblike, kishte mbetur me gishta në gojë pasi që gjithë përgjegjësitë administrative i kishte marrë OKB-ja, dhe realitetit serb, realiteti i një grushti njerëzish që ndërtonin themelet e forta të copëtimit të mundshëm të Kosovës. Ndërmjet këtyre dy realiteteve kishte një bashkërendim të plotë, pasi të gjitha veprimet që kryenin dy qendrat e vendosjes serbe në Kosovë, ashtu siç i kam quajtur këtu e nëntë vjet më parë, qendrën e vendosjes serbe në Mitrovicë në krye me Oliver Ivanoviqin, dhe qendrën e vendosjes serbe në Graçanicë, në krye me Trajkoviqët Rada dhe Momçillo, dhe me popin Artemije, i kryenin në pikë të ditës, në mënyrë të hapur dhe pa u penguar fare. Dhe këto veprime ishin aq të hapura, sa që kushdo i interesuar mund të shkonte nëpër enklavat serbe dhe të shihte me sy të tij gjithçka që bënin serbët: që nga vendosja e tabelave me emërvende, nga vendosja e targave të automjeteve, nga vendosja e tabelave me mbishkrimin se në akëcilin objekte ishin zyrat e “Skupshtinës” serbe si pjesë të Republikës së Serbisë. Ky realitet, ta quajmë, me elemente absurdi dhe surrealizmi, ishte denoncuar me kohë nga njerëz të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj. Unë kam qenë njëri nga ata që qysh në fillim kam bërë publike shqetësimet se Kosovës po i kanosej edhe mundësia e ndarjes, edhe në formë të shkëmbimit të territoreve, edhe mundësia e bosnizimit të saj në pjesën e mbetur të saj. Në anën tjetër, po ashtu kam vënë në pah përgjegjësitë që kanë për këtë qoftë linja e Tiranës/Kretës, e cila pasi kishte realizuar një sërë vrasjesh dhe eliminimesh të tjera politike, kishte monopolizuar edhe UçK-në, si dhe linjën udbasho-jugosllavokomuniste, të përbërë nga bijtë e ish-funksionarëve të nomenklaturës komuniste në Prishtinë, si dhe nga bijë të atyre që drejtpërdrejt kishin qenë të përfshirë në veprimtarinë e SDB-së në Kosovë. Tashmë është bërë shumë e qartë se si Baton Haxhiu, nga një i arrestuar, ishte shndërruar në një bashkëbisedues të Jovica Stanishiqit, shefit të atëhershëm të SDB-së, por edhe takimi i Mahmut Bakallit me të. të gjitha këto takime kishin për qëllim një jargavitje politike për një lloj liderizmi në Kosovë, duke pranuar dhe duke u lutur që Milosheviqi t’i pranonte në takim. Të gjitha këto kishin për qëllim që ta dobësonim linjën institucionaliste të udhëhequr nga burrështetasi më i shquar shqiptar, presidenti Ibrahim Rugova, linjë e cila Kosovën e konceptonte si një shtet me themele të forta që në Dardaninë e hershme pellazgo-ilire, dhe si pjesë tërësore të hapësirës shqiptare në Ballkan, e jo një mutacion të çuditshëm dhe aspak në përputhje me realitetin sociohistorik dhe etnohistorik që e ka shquar vazhdimisht Kosovën dhe hapësirën shqiptare në përgjithësi. Dhe tërë kjo bëhej për të thyer unitetin politik, unitetin veprues dhe për më tepër, unitetin psiko-social të shqiptarëve, të cilët si kurrë më parë në historinë e tyre, dëshmonin zgjuarsi, mençuri dhe kurajë të paparë në të gjitha aspektet, si dhe një zotësi për të organizuar struktura të shtetit dhe solidaritet kolektiv në kundërshtim me të gjitha tezat historike serbe dhe të aleatëve të tyre sipas të cilave shqiptarët nuk dinë të bëjnë dhe të mbajnë shtet. Me rrënimin e linjës institucionaliste, pra synohej të thyhej uniteti i shqiptarëve që e mahniti botën, dhe që po ashtu e vendosi para një përgjegjësie morale, politike e diplomatike për gjithë ato që u ndodhnin shqiptarëve nga pushteti kolonial serb. Ngjarjet që pasuan plojën tragjike kundër shqiptarëve e deri më sot, dëshmojnë edhe për sikletin e madh që ka pasur vetë bashkësia ndërkombëtare, e cila hamendësohej ndërmjet të vërtetës së pavërtetë që e kishte stimuluar edhe vetë gjatë dhjetëvjetëshave të shkuar, sipas së cilës Serbia kishte një trajtim shumë të veçantë, e bile edhe ledhatues, për ç’arsye edhe vazhdimisht kishte luajtur rolin e një superfuqie ballkanike që mund të bënte ç’të donte me kombet tjera në një pjesë të Ballkanit, si dhe mund t’i plotësohej çdo dëshirë që mund t’i lindte në ndërkohë. Dhe kur e them këtë nuk mendoj vetëm gjithë atë zemërgjerësi që Fuqitë e Mëdha treguan ndaj Serbisë me territoret shqiptare gjatë dy luftërave ballkanike të 1912 dhe të 1913, e as në këmbënguljen amerikane gjatë Konferencës së Versajës, përkatësisht të Parisit gjatë viteve 1919 – 1921 e më tej, që Italia të hiqte dorë me çdo kusht nga Triesta dhe Ishujt Fiume në të mirë të Serbisë, përkatësisht të Mbretërisë SKS, e cila ishte krijuar me Marrëveshjen e Korfuzit të vitit 1916, nën ndikimin amerikan. Presidenti amerikan Woodrow Uilson, ishte larguar në mënyrë demonstrative nga Konferenca e Versajës, kur kishte hasur në kundërshtimin e delegacionit italian të kryesuar nga Vittorio Emanuele Orlando, kryeministër i Italisë, duke e lënë përfaqësimin amerikan në nivel Sekretari Shteti. Me atë rast, delegacionin amerikan e kryesonte Robert Lansingu, sekretar shteti, në kohën e të cilit u krijua edhe e ashtuquajtura çështja e Adriatikut, e që nënkuptonte mundësinë që nëse Italia pranonte t’i lëshonte Triesten dhe Ishujt Fiume, do t’i jepej Vlora dhe ishulli i Sazanit. Mirëpo, siç thashë më lartë, nuk i kam parasysh vetëm këto fakte të së shkuarës jo shumë të largët, por në trajtimin e veçantë që bashkësia ndërkombëtare i ka bërë Serbisë, por kam parasysh edhe trajtimin shumë të butë, mëshirues dhe tolerant që diplomacia botërore i ka bërë Serbisë edhe gjatë procesit të shpërbërjes së RSFJ-së. Si në asnjë rast tjetër, Serbia nuk u trajtua si përgjegjësi kryesor për shpërbërjen e RSFJ-së, ashtu siç ishte e vërteta; si në asnjë rast tjetër Serbia nuk u trajtua përgjegjësi kryesor për luftërat e nisura dhe të përkrahura nga ajo në hapësirën e ish-RSFJ-së; si në asnjë rast tjetër Serbia nuk u trajtua si përgjegjësi kryesor për gjenocidin e kryer kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve; si në asnjë rast tjetër Serbia nuk u ndëshkua kurrë si shtet për gjithë këto, por përkundrazi kishte fjalën kryesore në çdo tavolinë ku vendosej për të gjitha në ish-Jugosllavi. Edhe në Dejton, Serbia nuk ishte kriminelja e Ballkanit, e as Milosheviqi nuk ishte krimineli i Ballkanit, por një shtet dhe një politikan që u vlerësuan për “kontributin” e madh për paqen në Bosnjë. Bile pati edhe të tillë që e konsideruan Milosheviqin edhe mishërim të paqes, për ç’arsye edhe u konsiderua i denjë për çmimin Nobel për Paqe. A nuk ishte kjo fyerja më e madhe që mund t’u bëhej viktimave të gjenocidit në Bosnjë? Në anën tjetër, në rastin e Kosovës, situata ishte edhe më e rëndë, ngaqë Serbia pasi që kishte vrarë mijëra shqiptarë, pasi që kishte dhunuar dhjetramijëra nëna, motra e vajza shqiptare, pasi që kishte dëbuar rreth një milion shqiptarë nga vatrat e tyre, dhe pasi kishte djegur gjithçka shqiptare, jo vetëm që nuk u ndëshkua për të gjitha këto, por në procesin negociator, në të cilin do të duhej të gjendej formula e legalizimit të enklavave serbe në Kosovë dhe të hapeshin rrugët për fazat e tjera të negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, shteti serb kishte pozitë më të favorshme sesa Kosova. Në këto negociata, Serbia merrte pjesë si shtet i pavarur, kurse Kosova si një territor i administruar ndërkombëtarisht. Natyrisht se nga këto negociata nuk kishte se si të dilte diçka tjetër përveçse një dokument që legalizonte enklavat serbe, përkatësisht që krijonte bazën juridike të ndarjes së Kosovës, dhe të krijimit të një “Republika Sërbska” në Kosovë, dhe të vendosjes së Kosovës në një pozitë të tillë juridike, e cila si shtet i pavarur, ashtu si Bosnja në Dejton, por pa anëtarësim në OKB, do të nënshkruajë marrëveshje të tilla, sipas të cilave veriu i Kosovës do t’i aneksohej Serbisë për Preshevën, eventualisht edhe për Bujanovcin, e që gjithashtu kanë qenë pjesë të Kosovës edhe pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe komunat serbe në pjesën tjetër të Kosovës do të krijonin një entitet politiko-territorial të veçantë me një shkallë të lartë vetëqeverisjeje.
Tashmë kur u rikthehemi tri parimeve themelore mbi të cilat u zhvilluan negociatat për statusin e Kosovës, kuptohet sheshit se ato parime nuk kanë qenë asgjë tjetër përveçse një karotë për t’u dhënë fuqi shqiptarëve për të përballuar shkopinjtë që do t’i hanë më pastaj dhe që tash po duken më qartë dhe më fortë. Në asnjë rast, nuk ishte saktësuar se çka do të ndodhte nëse shkopinjtë që përmbante Pakoja e Ahtisarit nuk do të pasoheshin me karota të dhëna peshqesh nëpërmjet OKB-së. Pra, në asnjë rast nuk ishte saktësuar se çka nëse OKB-ja nuk e pranonte Pakon e Ahtisarit, e aq më keq BE-ja, pasi që u pa se të vetmit që e kanë pranuar këtë Pako, janë hartuesit e saj dhe shqiptarët e Kosovës. Misioni EULEX, i cili ishte parashikuar me këtë Pako u vendos si një mision neutral, e jo si një mision i BE në një shtet të pavarur. Neutraliteti i EULEX-it, në të vërtetë, u ndihmon serbëve për të mos shpërbërë strukturat shtetërore të Serbisë, të cilat edhe dy vjet pas 17 shkurtit 2008 vazhdojnë të mbajnë zgjedhje për pushtetin e Serbisë, të lëshojnë dokumente serbe për shqiptarët si dhe të bëjnë më të shpejt përfundimin e realizimit të interesave të Serbisë në Kosovë, interesa që kanë të bëjnë pikërisht me ndarjen e Kosovës dhe me krijimin e një “Republika Sërbska” në pjesën e mbetur të Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›