Monarko-fashistët Rama-Ruçi djegin flamurin e NATO-s
Drejtuesit e opozitës konfirmojnë gjenezën enveriste, por edhe rreshtimin e vetëm shpirtëror që njohin, rreshtimin filosllav. Politikanë që brenda partisë së tyre s’pranojnë zgjedhje dhe si filozofi të vetme të marrjes së pushtetit kanë dhunën fashiste, dje urdhëruan djegien e flamurit të NATO-s dhe nuk u shqetësuan as të bënin një distancim formal nga akti. Fryma antiperëndimore është lexuar nga BE, e cila në unison e ka injoruar protestën, duke mos dhënë asnjë reagim zyrtar solidariteti, qoftë edhe veç brenda së majtës
Simpatizantë të Partisë Socialiste, të urdhëruar nga Edi Rama dhe Gramoz Ruçi kanë djegur mbrëmë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, flamurin e NATO-s. Kjo ngjarje e shëmtuar ka bërë xhiron në të gjitha mediat e njohura botërore, duke cenuar imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve. Disa protestues huliganë të paguar keq dhe njëherazi të vënë në shërbim të ecejakeve personale të Edvin Kristaq Ramës, u mblodhën një natë më parë përpara kryeministrisë dhe demonstruan aty aktin e turpshëm të djegies të flamurit të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), pjesë e së cilës Shqipëria u bë vitin e kaluar. Edvini dhe përfaqësues të tjerë të PS-së nuk kanë komentuar për asnjë moment këtë ngjarje të paprecedentë, por për më tepër e kanë injoruar atë, duke përcjellë apelin anarshist për vazhdimin e mosbindjes civile ndaj qeverisë dhe strukturave të ligjit. Ishte kjo edhe protesta e parë e hapur publike kundër aleancës së Perëndimit, dhe konfirmoi edhe fytyrën e vërtetë të lidershipit të opozitës si një lidership monarko-fashist, që i ka sytë veç nga linja sllave; një lidership që nuk pranon që brenda partisë së vet t’u nënshtrohet zgjedhjeve, nuk pranon rotacion e as rezultatet e zgjedhjeve partiake, ndërkohë që si filozofi të vetme për marrjen e pushtetit ka dhunën fashiste. Por me djegien e flamurit të Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake në botë, Edi Rama u fakton shqiptarëve se nuk ka kurrfarë interesi për aspiratat e integrimit dhe për më tepër, të përdorë vendin dhe interesat kombëtare, për vënien në jetë të planeve ogurzeza të qarqeve serbe dhe mirëfillti sllave. Fryma antiperëndimore është lexuar edhe nga BE, e cila në unison e ka injoruar protestën, duke mos dhënë asnjë reagim zyrtar solidariteti, qoftë edhe veç brenda së majtës.
...