Zhduken dokumentet e udhëtimit të Dajtit
Të vetmet dokumente që i janë gjetur të arrestuarit janë vetëm ato të policisë me emrin Artan Zeneli
TIRANË- Dritan Dajti mendohet se ka dalë disa herë jashtë Shqipërisë dhe se ka qëndruar për një kohë të konsiderueshme në Spanjë por deri më tani nuk është gjendur asnjë dokument udhëtimi ose identifikimi që të jetë përdorur nga ai. Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, edhe pas kontrolleve të shumtë të kryera në banesat dhe strehët ku mendohej se fshihej i shumë kërkuari Dritan Dajti këto kohët e fundit ende nuk e ka gjetur pasaportën e tij. Nga ana tjetër, nuk i është gjetur asnjë dokument tjetër udhëtimi, për të hedhur dritë mbi lëvizjet e tij të kryera gjatë kohës së arratisjes gjashtë vjeçare. "Deri më tani nuk kemi mundur të verifikojmë apo të sigurojmë ndonjë të dhënë që provon se Dritan Dajti gjatë këtyre gjashtë viteve ka dalë jashtë territorit shqiptar. Të vetmet dokumente që i janë gjetur dhe sekuestruar janë tre kartat e identitetit të Policisë dhe një patentë italiane.
Tre kartat e policisë me gradën nën\komisar i Policisë së Korçës me emrin Agron Zeneli dhe një patentë shoferi të shtetit italian po me këtë emër, janë të vetmet dokumente që i janë sekuestruar shtetasit Dritan Dajti",- thanë burimet e grupit hetimor të çështjes. Gjithashtu, këto burime saktësuan se Policia e Shtetit deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë informacion apo shkresë zyrtare se shtetasi i arrestuar për vrasjen e katër agjentëve të policisë të ketë kryer aktivitet kriminal ndonjë vepër penale, si ajo e "trafikut të drogës" apo "gjobëvënës".
E vetmja gjë për të cilën prokurorët e çështjes Eugen Beçi e Ardian Nezha po hetojnë, sipas akuzës, janë për vrasjen e katër agjentëve të policisë, shoqëruesit të tij Ledion Mara dhe plagosjen e adoleshentit me inicialet F.S., i cili nuk është marrë ende në pyetje. Zyrtarët e prokurorisë, konfirmuan se janë në pritje të ekspertimeve të armëve, për të hedhur dritë mbi dyshimet se armët e gjetura në vendin e ngjarjes e që janë përdor nga i arrestuari Dajti të jenë përdorur në ndonjë krim tjetër penal.