Rama: Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhja e vetme
Pas një takimi me delegacionin e OSBE-së, kreu socialist theksoi se PS-ja nuk i shet zgjedhjet e grabitura
"Për ne, rezultati i zgjedhjeve është i papranueshëm dhe nuk tërhiqemi pa e zbardhur deri në fund krimin elektoral"
Partia Socialiste është e vendosur që t'i shkojë deri në fund zbardhjes së asaj që ajo e konsideron si krimi elektoral i 28 qershorit. Në pritje të raportit përfundimtar të vlerësimit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, selia rozë konfirmon edhe një herë se qëndrimi i saj karshi procesit elektoral të zgjedhjeve parlamentare që lamë pas mbetet i pandryshuar, si zgjedhje që nuk arritën standardet e kërkuara dhe ku verdikti i shqiptarëve nuk u lexua drejt. Ka qenë vetë kryetari socialist në detyrë, Edi Rama, ai që ka bërë të ditur se pozicionimi i forcës që ai drejton kundrejt këtij procesi, vazhdon të mbetet i njëjtë dhe se misioni i tij dhe i gjithë socialistëve është që t'u kthejnë shqiptarëve pushtetin e votës.
Rama
Duke dalë nga takimi me delegacionin e OSBE-së, të kryesuar nga zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të saj Ëofgang Grossruck, shefi i selisë rozë ka bërë të qartë për gjithë opinionin publik shqiptar dhe atë ndërkombëtar, se ekzistojnë të gjitha provat që vërtetojnë deformimin e votës së shqiptarëve nga pushteti. Për rrjedhojë, Rama ka theksuar se rezultati i dalë nga këto zgjedhje është jo real dhe, për pasojë, i papranueshëm. "Nuk do të tërhiqemi pa e zbardhur deri në fund krimin elektoral të 28 qershorit.
Për ne rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit është i papranueshëm dhe i gjithë aksioni ynë politik do të jetë i fokusuar në betejën për të mos lejuar që deformimi i rëndë i 28 qershorit të kthehet në bazë për një ecuri normale të një jete politike, e cila tanimë është e kushtëzuar nga domosdoshmëria për të vënë në vend dinjitetin e votës dhe të votuesve shqiptarë, të cilët nuk e panë rezultatin e votës së tyre të shprehur si funksion i një procesi të lirë dhe të ndershëm nga fillimi deri në fund", - tha Rama gjatë një prononcimi për mediat, duke shprehur në këtë mënyrë, as më shumë dhe as më pak, por thelbin e rezolutës që miratoi Asambleja Kombëtare e kësaj force lidhur me qëndrimin zyrtar për zgjedhjet e 28 qershorit.
Në vijimësi të kësaj logjike, PS-ja vlerëson se edhe institucionet e dala prej këtij rezultati, si Parlamenti, qeveria dhe çdo institucion tjetër në varësi, kanë legjitimet të pamjaftueshëm për të qeverisur vendin në një mandat të plotë. "Pa as më të voglin dyshim, ky Parlament ka një legjitimitet të cunguar rëndë dhe qeveria që do dalë nga ky Parlament ka një mandat që për ne është i pamjaftueshëm për të respektuar vijimësinë normale të saj", - u shpreh kryesocialisti.
Zgjedhjet
Nisur pikërisht nga këto deformime të pretenduara të vullnetit të zgjedhësve, socialistët bëjnë të ditur se do të luftojnë deri në fund me të gjitha mjetet ligjore që të zbardhin atë që fshihet në kutitë e pahapura të një sërë qarqesh, ku dhe kjo forcë pretendon se janë bërë manipulime të mëdha, kryesisht gjatë procesit të numërimit të votave. Por, krahas këtij misioni, PS-ja bën të qartë se do të këmbëngulë fort për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, si e vetmja mënyrë për t'u dhënë legjitimitet institucioneve shqiptare.
"Zgjedhjet e parakohshme janë pa as më të voglin dyshim, një objektiv, që buron jo nga një nevojë për të ndryshuar pushtetin nga duart e një partie në duart e një partie tjetër, por nga një domosdoshmëri jetike për demokracinë në vend, për rivendosjen e asaj baze, pa të cilën nuk ka jetë demokratike dhe politike normale", - tha më tej Rama. Përballë një situate të tillë, ai u ka përcjellë dhe një mesazh të qartë kundërshtarëve të tij politikë, Berishës dhe Metës, se qeverisja e tyre nuk do të mund të funksionojë për shumë kohë, pasi ata nuk kanë mbështetjen e duhur të shqiptarëve për të kryer reformat e kërkuara.
Në këtë kuadër, ai ka theksuar se as PS-ja nuk do të japë mbështetjen për këto reforma, për sa kohë institucionet më të larta të vendit, si Parlamenti dhe qeveria, do të kenë mungesë legjitimiteti. "Nuk ka bashkërendim dhe bashkëpunim mes palëve politike, nuk ka dialog dhe nuk ka shanse për të realizuar ato konsensuse që i duhen një shoqërie demokratike dhe një vendi që ka gjithë këto sfida dhe objektiva, siç është vendi ynë. Për këtë arsye, ne jemi absolutisht të bindur se misioni ynë, sot si opozitë, është në radhë të parë të mbrojmë demokracinë e kërcënuar", - u shpreh Rama.