Gossruck: Zgjedhjet ishin të mira Rama: Qëndrimi është personal
Grossruck njihet si mik i Kryeministrit Berisha dhe ka qenë i vetmi që i ka vlerësuar pozitivisht zgjedhjet e majit 1996
Ndryshe nga sa konstatuan vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it në dy raportet e ndërmjetme për zgjedhjet në Shqipëri, zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të këtij organizimi ndërkombëtar, Ëolfgang Grossruck, i njohur tashmë nga opinioni i gjerë si një mik i Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar dje se procesi elektoral që lamë pas ishte më i miri që Shqipëria ka realizuar ndonjëherë. Ndërkohë që raporti i ODIHR-it mbi zgjedhjet në Shqipëri, nuk është publikuar ende, kreu i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Grosruk, ka mbërritur dje në Tiranë me një agjendë të ngjeshur takimesh të zhvilluara me protagonistët e politikës shqiptare, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, kreun e opozitës, Edi Rama dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta.
Pavarësisht se qëllimi i kësaj vizite ishte dëgjimi i qëndrimeve zyrtare të institucioneve dhe forcave politike shqiptare lidhur me procesin zgjedhor, përpara se të hartohet raporti përfundimtar dhe përmbledhës i kësaj organizate, Gossruck nuk ka nguruar të japë dhe një vlerësim paraprak për këtë proces elektoral, duke e vlerësuar atë me nota pozitive. Madje, ai e ka cilësuar atë si më të mirin e realizuar ndonjëherë nga Shqipëria, megjithëse evidentoi faktin se në të u vunë re probleme që duhen zgjidhur sa më parë.
"Zgjedhjet ishin të mira dhe pa tensione, por në këtë proces u konstatuan dhe disa probleme teknike", - tha Gossruck, i cili njihet si njeriu që vlerësoi si të rregullt edhe procesin zgjedhor të vitit 1996, pavarësisht se të gjitha qeveritë dhe organizmat ndërkombëtare i cilësuan ato si të papranueshme. Në vijim të deklaratës së tij të bërë pasi doli nga takimi me kreun e LSI-së, ai ka theksuar se, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, tashmë për klasën politike lind nevoja që të bashkëpunojë për realizimin e reformave integruese. "Forcat politike shqiptare duhet që të çojnë përpara reformat në vend dhe qeverisë së re i dalin shumë sfida përpara në rrugën e integrimit", - tha Gossruck. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë rozë, e cila nëpërmjet kryetarit të saj e ka vlerësuar deklaratën e Gossruck si personale dhe jo si pjesë e qëndrimit të organizatës që ai përfaqëson.
"Është një deklaratë thjesht personale, për të cilën unë nuk kam asnjë koment. Ajo që unë dëshiroj të theksoj është se ne jemi jo vetëm të informuar, por edhe plotësisht të vetëdijshëm për gjithçka ka ndodhur, siç janë të vetëdijshëm të gjithë shqiptaret e shqiptarët, që nuk duan të jetojnë në një skemë të mbyllur, ku populli voton dhe pushteti numëron", - tha Rama pas takimit që zhvilloj me delegacionin e OSBE-së. Ndërkohë, burime pranë selisë rozë kanë konfirmuar për gazetën se, gjatë takimit, Gossruck, i cili edhe drejtonte delegacionin, nuk ka pohuar diçka të tillë, madje as ka dhënë asnjë vlerësim për zgjedhjet.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se në këtë takim kanë folur vetëm përfaqësuesit socialistë, të cilët kanë parashtruar para këtij delegacioni të gjitha faktet dhe provat që zotërojnë për të vërtetuar se procesi elektoral i 28 qershorit ishte i manipuluar dhe, për rrjedhojë, nuk mund të pranohet. Kështu, drejtuesit socialistë kanë renditur të gjitha format dhe rrugët që ndoqi, sipas tyre, pushteti dhe mazhoranca për të kondicionuar këtë rezultat, duke filluar që nga lirimi i të burgosurve nga burgjet, pushimet nga puna, bllokimi i procesit të numërimit etj.