E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduken shqiptarët e Ohrit, mbesin 6 për qind

OHER-Vetëm 39 km larg nga dogana e Tushemishtit ndodhet qyteti i Ohrit. Një rrugë e veçantë midis pyllit dhe hapësirës së kaltër të liqenit deri sa të shkosh në Ohër pasi ke kaluar Lubanishtin, Trepezicën dhe Peshtanin kalon hotelet luksoze 'Desaret', 'Metropol', 'Granit' e 'Sllavia'. Futesh në autostradë dhe befas shfaqen në sfond konturet e Ohrit në krahun e majtë të rrugës në mes të një pylli me mështekna dhe pisha ku ndodhet vila e marshallit Tito i cili çdo verë, ashtu si udhëheqësi komunist Hoxha, pushonte në brigjet e të njëjtit liqen ballë përballë njëri-tjetrit secili në pjesën e tij Kalaja dhe qyteti i Ohrit i futur në gjirin e liqenit i shtrirë edhe në kodër i japin Ohrit një pamje magjike. Ohri është qytet i turistëve të shumtë që i dy-trefishojnë popullatën çdo verë, është qytet i UNESKO-s së bashku me liqenin që mban emrin e këtij qyteti. E reja dhe e vjetra, modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra-tjetrës duke i dhënë qytetit një bukuri të veçantë.
Ohri i dikurshëm
Dikur Ohri ishte qytet i rëndësishëm për shqiptarët, si për nga prezenca ashtu edhe për ndikimin e madh të banorëve të tij për kauzën shqiptare. Madje, në momente të caktuara të Rilindjes Kombëtare në shekullin XIX, Ohri nga patriotët shqiptar propagandohej edhe si kryeqytet i Shqipërisë së pavarur nga perandoria osmane. Mbi 80 % e banorëve të Ohrit kanë qënë shqiptarë. Por, sot pas njëqind vitesh gjërat kanë ndryshuar shumë. Tashmë, edhe prezenca shqiptare këtu është simbolike dhe e papërfillshme dhe padyshim shpërnguljet në drejtim të Turqisë dhe migrimet më të vonshme drejt Evropës dhe Amerikës kanë bërë të vetën në boshatisjen e këtij qyteti. Qyteti i cili në mesjetë qeverisej nga familja fisnike shqiptare Gropa, qyteti nga ku kanë dalë luftëtarët e mëdhenj të pavarësisë shqiptare si Dervish Hima, Hamdi bej Ohri dhe figura të tjera, sipas regjistrimit të fundit numëron rreth 3600 banorë shqiptarë ose rreth 6 % të numrit të përgjithshëm të banorëve të Komunës së Ohrit. Nga vitin 1930 deri në vitin 1945 midis Pogradecit dhe Ohrit ka pasur një linjë komunikimi nëpërmjet një vapori i cili vinte çdo ditë nga Ohri në Pogradec duke transportuar njerëz në të dy anët e kufirit dhe mallra ushqimore dhe industriale.
Qyteti i Ohrit sot
Sot qytetarët shqiptarë të Ohrit në masë të madhe ndjehen nën hijen e atyre të Strugës sepse gjithçka i lidh me Strugën, duke filluar nga biznesi, shkollimi apo edhe punësimi në disa raste pasi në Strugë jetojnë mbi 65 % shqiptarë. Struga është shfrytëzuar si një oaz për ata shqiptarë që nuk kanë ikur në emigrim janë afruar në qytetin e Strugës vetëm 11 km larg qytetit të Ohrit. "Kjo situatë ka ndikuar që disa edhe të shpërngulen në drejtim të Strugës", - na thotë për "Gazetën Shqiptare" kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko. Ai thekson se, pothuajse se shqiptarët po braktisin Ohrin si rezultat i paperspektivës dhe mospasjes së vendeve të punës, respektivisht diskriminimit në këtë aspekt. Le të marrim një shembull konkret për të ilustruar mendimin e mësipërm: Në qytetin e Ohrit ka një shkollë fillore ku mësohet në gjuhën shqipe "Vëllazërim Bashkimi", ku numri i nxënësve shqiptar është reduktuar në masë të madhe. Para disa viteve funksiononin katër klasë të para me nga tridhjetë nxënës, ndërsa sot zhvillojnë mësimin vetëm dy klasë me nga pesëmbëdhjetë nxënës, ky shembull nuk ka shumë nevojë për koment për shqiptarë të Ohrit. Nedim Pollozhani, veprimtar politik nga Ohri, thekson se pavarësisht ecurisë pozitive që është bërë në disa drejtime viteve të fundit, shqiptarëve të Ohrit iu mbetet të vazhdojnë me përpjekjet për përmirësimin e gjendjes se tyre. "Padyshim se për ndryshimin dhe përmirësimin e situatës së shqiptarëve këtu në Ohër, rol të rëndësishëm luajnë dhe subjektet politike shqiptare. Këtu para së gjithash është e nevojshme që subjektet politike të kenë më shumë mirëkuptim për kërkesat e qytetarëve të Ohrit të cilat nuk janë të parealizueshme. Kjo sipas Pollozhanit do të arrihej duke bërë përfshirjen dhe avancimin e kuadrove nga qyteti jonë në pushtetin qendror, si mekanizëm i drejtpërdrejtë në funksion të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të kësaj komune. I vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Këshillin Komunar të Ohrit, Kujtim Hyseni na thotë se nëse duam të përmendim për faktorët që kanë ndikuar për braktisjen e shqiptarëve nga Ohri të shqiptarëve është emigrimi, dëbimin apo degdisjen e shqiptarëve nga këto troje si rezultat i një trysnie sistematike. Kështu në 100 vjetët e shkuara në Ohër jetonin rreth 80% shqiptarë, ndërsa tani, kur takon ndonjë bashkëkombës nga diku tjetër, të pyet: 'Paska shqiptarë në Ohër?'", - thekson, - "Shqiptarët këtu kam përshtypjen se janë si ai zogu i vogël që sapo ka dalë nga veza e që pret zogun mëmë t'i sjellë për të ngrënë. Na ka mbetur të shpresojmë se mrekullitë vërtetë ekzistojnë". Ndërkohë që, kryetarin e Komunës së Ohrit Aleksandër Petrevski, gradualisht gjendja e shqiptarëve po ndryshon pozitivisht në aspektin e investimeve dhe përfaqësimin e tyre në organet e pushtetit vendor. Kryetari Petrevski thekson se gjatë dy mandateve që ai po drejton qytetin e Ohrit vetëm në qeverisjen lokale të Petrevskit janë bërë një sërë investimesh në lagjet shqiptare, që për dekada të tëra ishin në pritje dhe harresë. Këshilltari shqiptar Hyseni thekson se problematike është çështja e punësimit sidomos nëpër institucionet e nivelit qendror. "Është e pakuptueshme që në Ohër të punësohen kuadro nga Struga, Dibra apo vende të tjera dhe qytetarët shqiptarë të Ohrit të mbesin pa punë. Kjo praktikë duhet të ndalet në të mirë të avancimit të banorëve shqiptarë të këtushëm. Ndërsa sa i përket punësimit në organet e pushtetit lokal, mund të them se janë bërë përpjekje dhe gradualisht numri i shqiptarëve është në rritje progresive, falë edhe kujdesit që po tregon në këtë drejtim Kryetari i komunës së Ohrit", - thekson këshilltari i vetëm shqiptar në Këshillin e Ohrit, Kujtim Hyseni.
Marrëdhëniet
e Ohrit me
Pogradecin
Ndonëse kanë qënë kaq afër njëri-tjetrit për 50 vjet këto dy qytete fqinje kanë qënë krejtësisht të izoluara nga diktatura dhe shihnin në mbrëmje vetëm drita të ndezura buzë liqenit. Me ardhjen e demokracisë u shemb muri ndarës. Etapat evoluuan me shpejtësi nga një vizë që mund ta merrje në Tiranë për të kaluar në Maqedoni më pas vizat merreshin në kufi, më pas u vendos një pasaportë kufitare që futeshe në Maqedoni pa lekë dhe më pas nga dita e djeshme kalimi i kufirit në Maqedoni ka filluar për të gjithë shqiptarët me karta identiteti. Prej më shumë se 10 vjetësh është vendosur festa e Liqenit që festohet çdo 21 qershor me rotacion një vit në Pogradec, një vit në Ohër dhe vitin tjetër në Strugë. Së bashku të dy shtetet festojnë festën fetare të Shën Nuamit në çdo 3 korrik. Prej më shumë se 5 vjetësh është përcaktuar që të vendoset një traget midis Ohrit - Pogradecit dhe Strugës por kjo ka ngelur një ëndërr vere. Është një pengesë burokratike që vazhdon pambarimisht midis dy shteteve për të firmosur marrëveshjen dy palëshe që ky projekt të marri jetë. Tre kryetarët e bashkive respektive Artan Shkëmbi i Pogradecit, Ramiz Merko i Strugës dhe Aleksandër Petrevski i Ohrit kanë vendosur të sfidojnë pushtetin qendror të shteteve të tyre duke mbushur tragetin me administratat e tyre dhe gazetarët e rajonit dhe për të thyer këtë zvarritje burokratike, por edhe ata nuk e realizuan këtë premtim sepse as ata nuk e realizuan këtë projekt dhe ngeli si ëndrra e një nate vere.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›