E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket një 12-vjeçar nga jetimorja “Zyber Hallulli”

 

TIRANE - Drejtuesit e jetimores “Zyber Hallulli” në Tiranë, kanë denoncuar në Komisariatin Nr.1 të policisë zhdukjen e një djali 12 vjeç. Burime nga policia thanë se i mituri ka dalë nga rrethimi i shtëpisë së fëmijës tek rruga e Elbasanit, mëngjesin e së hënës, pa u vënë re nga njeri dhe nuk është kthyer më, të paktën deri mbrëmjen e djeshme. Përgjegjësi i turnit, Genci Lika, pasi ka kërkuar vetë për fëmijën e zhdukur, Agron M., i shqetësuar ka vendosur t’i drejtohet policisë për gjetjen e tij. Sipas burimeve nga policia mësohet se kjo nuk është hera e parë që 12-vjeçari largohet nga ndërtesa e jetimores, por në rastet e tjera është larguar në mëngjes dhe është kthyer në darkë, pa i kaluar 24 orë. Mësohet se policia ka nisur kërkimet për gjetjen e të miturit edhe në shtëpitë e familjarëve të tij, të cilët e kanë braktisur disa muaj pas lindjes, por nga këto verifikime nuk ka rezultuar asgjë. Fëmija është parë për herë të fundit nga përgjegjësi i turnit, i cili ka denoncuar zhdukjen e tij, si dhe nga disa fëmijë të tjerë. Hera e fundit që ai ndodhej brenda rrethimit të jetimores “Zyber Hallulli”, ka qenë në një nga korridoret e saj mëngjesin e së hënës, pastaj askush nuk e ka parë më, pasi ka përfituar edhe nga fakti që porta e jashtme e jetimores ka qenë e hapur. Policia ka marrë në pyetje personelin e shtëpisë së fëmijëve, të cilët kanë deklaruar se 12-vjeçari ishte larguar edhe disa herë të tjera, por pa qenë e nevojshme që ta denonconin, pasi është kthyer vetë dhe ka thënë që kishte dalë për të shëtitur. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe disa prej fëmijëve të tjerë të jetimores, por edhe ata gjithashtu janë kthyer pas disa orësh. Ndërsa rasti më i fundit i ka alarmuar drejtuesit e këtij institucioni, të cilët kanë kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e 12-vjeçarit Agron M. Policisë së Komisariatit Nr.1 i është dorëzuar edhe një fotografi e djalit të zhdukur, si dhe i janë shpjeguar karakteristikat e tij, gjatësia, si dhe rrobat që kishte veshur mëngjesin e së hënës, kur është larguar nga jetimorja. Mësohet se një grup pune është ngritur nga Policia e Tiranës për gjetjen e të miturit dhe kthimin e tij në jetimore.     e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›