E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bandat mos të diskutojnë gjyqet”

 

Armand Bajrami

Këshilli i Lartë i Drejtësisë “shënjestroi” në akuza edhe njëherë dje Gjykatën për Krimet e Rënda, në lidhje me zvarritjen e proceseve gjyqësore. Duke iu drejtuar kësaj gjykate, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu tha në një takim me krerët e gjykatave të vendit se “bandat kriminale nuk mund të diktojnë procedurën penale në gjykatat shqiptare”. Spahiu theksoi se shpesh herë janë togat e zeza ata që nuk kanë kurajon e duhur profesionale, për t’i dhënë fund proceseve gjyqësore. Gjatë fjalës së tij, përpara drejtuesve të gjykatave, nënkryetari i KLD-së Spahiu kërkoi t’i jepej fund zvarritjeve në këto procese. Në takim u vlerësua nevoja e rishikimit të Kodit të Procedurës, për të mos lënë hapësira që mund të përdoren nga palët në proces për të “zvarritur” procesin. Diskutimet u fokusuan më tej mbi riorganizimin e gjyqësorit, pas dekretimeve të reja të gjyqtarëve nga Presidenti i Republikës.
Zvarritja e gjyqeve
Duke përmendur edhe “Omerta”-n, kodin e heshtjes së mafias, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, e cilësoi të papranueshëm faktin që bandat kriminale të ndikojnë në vijimësinë e proceseve gjyqësore. “Këtu fajtorët janë dy, ose gjyqtari ose ligji. Shpesh gjyqtarët nuk kanë kurajon, iniciativën, vullnetin, dëshirën për të përfunduar një çështje”, tha Kreshnik Spahiu. “Unë nuk do të përjashtoja presionet nga të gjitha format që marrin gjyqtarët dhe familjet e tyre nga familjarët e të pandehurve. Por nuk mund të lejohet që ligji i heshtjes “Omerta”, bandat kriminale, të cilat akuzohen për shumë vrasje, trafiqe apo vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, nuk mund të diktojnë procedurën penale dhe procesin e rregullt ligjor në gjykatat shqiptare”, tha Spahiu. Nënkryetari i KLD-së pohoi më tej se do të punohet për të shmangur hapësirat aktuale në Kodin e Procedurës që shfrytëzohen nga palët për shtyrjen e seancave. “Ne jemi informuar me hapësirat në kod, me shfrytëzimin e të cilave bëhen ‘akrobacira’”, u shpreh Spahiu duke sqaruar se do të shikohet përmirësimi në këtë anë, qoftë në mungesat e avokatëve, qoftë në shtyrjen e maksimumit të afatit të paraburgimit, apo edhe në praktika të reja të njoftimit të palëve. 
MBLEDHJA
Ndërsa ishte e pranishme në pjesën e parë të saj, diskutimet mes krerëve të gjykatave u bënë pa praninë e medias. Burime pranë KLD-së pohuan se gjatë mbledhjes u vendos ngritja e një grupi pune me përfaqësues nga kryetarët e shoqatave të gjyqtarëve, nga Dhoma e Avokatisë dhe nga Gjykata e Lartë, që do të japë mendime për ndryshime në Procedurën Penale. Gjithashtu, u theksua progresi i vendimmarrjes në Këshill ku vendimet mbi emërimet, transferimet e promovimet e gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave, do të jenë të arsyetuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›