E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket tregtari në Elbasan, denoncon familja

Elbasan- Një tregtar veshjesh është zhdukur pa asnjë gjurmë që nga e premtja paradite, pasi është parë të largohet me urban nga qendra e qytetit. Hekuran Latollari, 44 vjeç, me banim në Elbasan, baba i dy fëmijëve,tregtar veshjesh që nga viti 1993, ishte duke marrë një dyqan me qira, pasi donte të largohej nga tregu aktual i veshjeve poshtë kryqëzimit të Cërrikut. Ditën që është zhdukur ai ka dalë nga shtëpia, ka shkuar tek i vëllai ku edhe ka lënë çelësat e makinës dhe të dyqanit me qira, dhe është larguar. Në afërsi të bashkisë në qendër të qytetit, i fundit që e ka takuar ka qenë një shok i tij dhe mësohet se e kanë parë teksa kishte hipur në urbanin e linjës që të çonte poshtë urës së Shkumbinit. Nga ai moment, askush nuk di të thotë gjë për fatin e 44- vjeçarit. Denoncimin në polici e ka bërë i vëllai i tij, pasi kanë humbur shpresat për ta gjetur vetë, apo me ndihmën e të afërmve. Familja ka thënë se nuk ka ndonjë hasmëri apo sherr që mund të ishte një pistë e mundshme për zhdukjen e tij. Kërkimet për gjetjen e tij deri tani nuk kanë sjellë asgjë të re. Edhe denoncimi në polici nuk ka zbardhur ndonjë pistë për zhdukjen e 44-vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›